E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta pa akcizë, nis gjuetia ndaj fermerëve që nuk kthyen paratë

Aksioni Ministria e Bujqësisë, marrëveshje me Tatimet. Borxhi, disa miliona dollarë

Fermerët që përfituan nga skema e naftës pa akcizë duhet t’ia kthejnë paratë shtetit. Ministria e Bujqësisë njoftoi dje se planifikon të nisë aksionin për mbledhjen e borxhit, madje ka nënshkruar një marrëveshje me tatimet. Pakti i bashkëpunimit lidhet me ndjekjen e të gjithë debitorëve, të cilët rezultojnë nga Fondi Kundërparti, “Non Project Grand Aidi”, si dhe të gjithë debitorët e tjerë nga shpërndarja e naftës pa akcizë të shpërndarë në zbatim të projektit “Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR” në vitet 2004-2005, sipas VKM nr. 244, datë 23.04.2004, VKM nr. 703. Borxhi i subjekteve që kanë përfituar nga subvencionet në linjat e përpunimit, serat me ngrohje deri në datën 30.06.2010, sipas kësteve që duhet të kishin paguar deri në këtë datë pa penalitetet që shoqërojnë kontratën është 495058578 lekë, ose rreth 4.7 milionë dollarë.

Sipas marrëveshjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të bëjë mbledhjen e detyrimeve në favor të AZHBR-së, detyrime të cilat rezultojnë nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale dhe detyrimeve që rrjedhin nga ligji.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në bashkëpunim me strukturat e saj të ngritura në qendër dhe në rrethe, ka detyrimin e saj ligjor të kryejë evidentimin e subjekteve debitore dhe të përgatisë të gjithë dokumentacionin e subjekteve debitore, të cilat do t’i vihen në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me anë të kësaj marrëveshjeje të përbashkët ka marrë përsipër që me burimet dhe mjetet e saj të bëjë evidentimin e subjekteve, të cilët zhvillojnë aktivitet tregtar dhe të ushtrojë kontroll tekniko-financiar të vazhdueshëm mbi ta.
Bashkëpunimi do të zgjasë deri në mbledhjen e të gjitha detyrimeve nga subjektet debitore. Borxhi i subjekteve tregtare të karburantit, që kanë operuar në vitet 2004-2005 për shpërndarje të karburantit pa akcizë, është 42044354 lekë. Për subjektet që kanë operuar gjatë vitit 2006 është 9289084 lekë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›