Faji i largimeve

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger beson se ishte shumë pranë krijimit të një skuadre në gjendje të luftojë për titujt kryesor. Por, ëndrra e tij u prish nga largimi i disa prej yjeve kryesor të ekipit.
Një numër i konsiderueshëm i futbollistëve me famë botërore përfshirë Cesc Fabregasin, Samir Nasrin, Emmanuel Adebayorin, dhe së fundmi Robin van Persie e Alex Song, braktisën gjigantin londinez njëri pas tjetrit duke ‘tradhtuar’ planin e Wengerit për krijimin e një skuadre triumfuese në Premierligë dhe më gjerë. “Isha afër ndërtimit të një skuadre që do të kishte kualitete të nevojshme për të fituar tituj”, deklaroi Wenger gjatë një interviste për Mail on Sunday.
“Fabregas, Adebayor, Van Persie dhe Nasri duke luajtur së bashku në një ekip do të ishin shumë të suksesshëm por ne i humbëm ata brenda një periudhe të shkurt kohore. Ka qenë shumë e vështirë për mua të shoh një futbollist i cili erdhi si i ri në Arsenal, debutoi me ne në Premierligë, dëshmoi se ka talent duke shkuar diku tjetër. Vlerësimi im për ta ishte i saktë, por tani një ekip tjetër përfiton nga talenti i tyre”, shtoi francezi.
“Problemi është se nuk është bërë asgjë për të parandaluar këtë. Nuk dua të kthehem prapa dhe të analizoj arsyet që kanë detyruar klubin të shes këta futbollistë, por ka qenë një situatë e dalë nga kontrolli dhe është e vështirë për tu pranuar” theksoi ai.
Ndodhitë e viteve të fundit dhe largimi i disa prej yjeve kryesor të ekipit kanë detyruar Wengerin të ndryshojë qasjen e tij. Menaxheri që aktivizoi ekipin e parë në Premierligë me komplet lojtarë të huaj tani synon ndërtimin e një skuadre të përbërë nga talentë lokal, derisa vazhdon kërkimin e futbollistëve të pjekur që mund të jenë të dobishëm në Emirates.
“Duket sikur është dashur të nisemi nga fillimi pas largimit të shumë yjeve dhe ne tani jemi duke ndërtuar një skuadër të re duke përdorur mentalitet të freskët, me bazë të futbollistëve britanikë të cilët kanë lidhje më të fuqishme me klubin e tyre lokal. Kemi Jack Wilshere, Aaron Ramsey, Carl Jenkinson dhe Alex Oxlade-Chamberlain të cilët kanë depërtuar nga ekipi i juniorëve dhe tani luajnë rol me skuadrën e parë. Ndoshta ata do të qëndrojnë më gjatë këtu”, theksoi Wenger i cili si shembull përmendi Fabregasin.
“Shikojeni se çka ndodhi me Fabregasin. Ai ishte mirënjohës për atë që bëri këtu dhe ndërtoi dashuri të vërtetë për Arsenalin, por nuk mundi ti rezistojë Barcelonës sepse ai është klubi i tij. Kjo është ajo që ndodhë kur keni futbollist të huaj, në një moment, ai do të kërkoj të shkojë diku tjetër”, përfundoi Wenger. Arsenali është në kërkim të titullit të parë nga viti 2005 kur triumfoi në FA Cup.