E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, dita vendimtare për spanjollin për drejtimin e Tiranës

Gazeta Shqip

Rubio-Tirana

Trajneri është në pritje të vendimit, klubi kërkon ulje page

Klubi i vetëm në Shqipëri që ka fituar 24 kampionate, sot nuk ka një trajner që ta drejtojë. Spanjolli, i cili mori drejtimin e bardhebluve 14 muaj më parë, arriti që me ata pak futbollistë të fitonte trofeun e Superkupës në drejtim të skuadrës vetëm dy muaj nga marrja në dorë. Më pas, ai luftoi në kampionat duke rivalizuar të gjitha ekipet dhe të fitonte takime si jashtë dhe brenda. Ndërsa në javët e fundit nuk mundi të luante për të njëjtat qëllime, sepse në mes të ekipit dhe synimeve të klubit hynë interesat partiakë. Ndaj Tirana nuk arriti të fitonte dot titullin kampion të 25. Megjithatë, sërish spanjolli Hulian Rubio Sançez fitoi titullin e Kupës së Republikës dhe atë të Superkupës për sezonin 2011-2012. Gjithashtu, edhe në ndeshjet paraeliminatore të UEFA Europa Ligë kaloi turin e parë. Këto të dhëna janë shumë për një trajner që merr drejtimin e një ekipi. Për sa u përket financave, Tirana është 2 muaj pas me pagesat, ndaj dhe ky është një problem i madh në drejtimin e klubit, pasi probleme të tilla nuk kanë ndodhur më parë. Tashmë bordi drejtues i klubi Tirana tallet me trajnerin, i cili me të drejtë kërkon rritje page për të rinovuar kontratën. Ai ka qëndruar në tribunë në takimin e parë që luajti Tirana ditën e shtunë kundër Tomorit në Berat, për shkak të mosnënshkrimit të kontratës. Gjithçka vërtitet rreth drejtuesve, të cilët po ulin vlerat e një trajneri të tillë, i cili është nga të rrallët që ka ardhur në Shqipëri për sa u përket cilësive që ka për drejtimin e një skuadre. Megjithatë, sot bordi drejtues do të rimblidhet për të vendosur për të ardhmen e trajnerit, i cili duket se ka pak shanse të rinovohet. Klubi kërkon që trajneri të nënshkruajë për dy vite dhe ti japë titullin e 25 Kampion skuadrës, ndërsa nga ana tjetër drejtuesit, me në krye Lulzim Bashën, nuk garantojnë financat për ekipin dhe kërkojnë ulje pagese për trajnerin. Këto probleme presin zgjidhje të shpejtë, pasi në këtë situatë trajneri dhe disa lojtarë mund të kërkojnë largimin dhe skuadra të dalë nga objektivat që ka.

Sot, dita vendimtare për spanjollin për drejtimin e Tiranës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›