I madhi Torres

Menaxheri Roberto di Matteo lavdëroi sulmuesin Fernando Torres pas fitores 2-0 të Chelseat ndaj Newcastle Unitedit në Stamford Bridge të shtunën. Plejmejkeri belg Eden Hazard shënoi nga penalltia, pasi Torres ishte ndalur në mënyrë të palejueshme brenda zonës.
Kurse më vonë ylli spanjoll e dyfishoi epërsinë dhe ia siguroi fitoren gjigantit londinez, duke shënuar një gol të bukur nga distanca, të dytin nga tri duelet e deritashme. “Gjithmonë kam qenë i kënaqur me Fernandon”, deklaroi Di Matteo për BBC Sport.
"Puna e tij e përgjithshme është e jashtëzakonshme dhe kur ai nuk shënon, është shërbyes”, shtoi strategu italian pas fitores së tretë të ekipit nga po aq ndeshje të sezonit të ri në Premierligë. Chelsea ruajti bilancin e qindpërqindtë dhe u ngjit në pozitën e parë në tabelë.
Goli i Torresit kundër Newcastle Unitedit ishte i gjashti i tij në nëntë paraqitjet e fundit për klubin dhe përfaqësuesen spanjolle. Forma e tij në këtë fillim sezoni është krejt tjetër nga ajo që shfaqi në sezonin e shkuar kur kaloi 24 ndeshje pa realizuar. “Vetëbesimi më është kthyer pasi tani po luaj më tepër”, deklaroi Torres i cili lavdëroi përkrahjen nga bashkëlojtarët.
“Është kënaqësi kur keni një bashkëlojtar si Hazardi (përforcim i ardhur më herët gjatë këtij afati kalimtar të verës nga Lille për 32 milionë funte). Është privilegj të luani me Juan Matan dhe Hazardin”, theksoi reprezentuesi spanjoll.
Di Matteo po ashtu lavdëroi edhe Hazardin, i cili realizoi golin e tij të parë në Premierligë për Chelsean. Por, italiani u nda i kënaqur edhe me pjesën tjetër të skuadrës. “Është mirë që ai shënoi gol sepse ka ndihmuar në realizimin e shumë të tjerëve në këtë fillim sezoni”, u shpreh Di Matteo i cili udhëhoqi ekipin drejt triumfit në FA Cup dhe Ligën e Kampionëve prej kur mori detyrën në mars.
“Është mirë kur shohim funksionimin e gjithë ekipit. Mesfusha dhe mbrojtja po ashtu u paraqitën shumë mirë”, theksoi ai. Ndeshja e ardhshme e Chelseat është të premten në Superkupën e Evropës kundër Atletico Madridit, përballje që zhvillohet në Monaco. “Është shumë, shumë ndjenjë e veçantë të ndeshem me ish skuadrën time. Do të jetë hera e parë që do të dua që Atletico të humb”, u shpreh ish anëtari i Atleticos, Torres.