Faji në derën e më të dobëtit
Mimoza Kalaja
Në morinë e lajmeve që pasqyrohen çdo ditë në mediat shqiptare, më tërhoqi vëmendjen deklarata e ministrit të Shëndetësisë. I ftuar në një emision televiziv, tek fliste për arritjet e dikasterit që ai drejton më bëri shumë përshtypje deklarata e tij sipas të cilës medikamentet nëpër spitale keqpërdoren dhe shpërdorohen nga" personeli i mesëm". Kjo nuk është hera e parë, pasi opinionit publik shpesh herë i janë servirur turlilloj lajmesh të bujshme dhe skandaloze për trajtime mjekësore të gabuara apo neglizhenca nga ana e personelit mjekësor. Kemi dëgjuar shpesh ministra dhe zyrtarë të lartë të cilët nxitohen duke dhënë deklarata aspak të drejta, duke ia deleguar fajin personelit shëndetësor dhe për ironi të fatit në rastet e tragjedive që kanë ndodhur në vendin tonë (rasti i Gërdecit) infermierët kanë rezultuar të jenë heronj në aksionet që ndërmarrin në terren dhe spital, në transportimin dhe kujdesjet që ata dhanë për paciente të gjetur dhe të dëmtuar nga shpërthimi. Kujt i vlen kjo situatë? Si mendoni se është më mirë: të themi që kemi infermierë të papërgjegjshëm, që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, infermierë të paaftë profesionalisht, apo të pranojmë që është sistemi i tillë, jo korrekt, që nuk na lënë të bëjmë punën siç duhet dhe kur duhet? Mos ndoshta se jemi pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme dhe nxitohen të marrin situatën në dorë sa herë që ka probleme të cilat bëhen mediatike dhe deklarojnë se: jo, nuk ka mungesa në medikamente, por ato vidhen nga infermierët, laboratorët funksionojnë në çdo orë, por mjekët nuk dinë të kërkojnë analiza, spitalet janë si në Gjermani, por nuk mirëmbahen nga personeli. E gjithë kjo është një situatë absurde ku infermierët sulmohen dhe kërcënohen pikërisht nga ata njerëz të cilët janë përgjegjës për mbarëvajtjen e punës së tyre, dhe si rrjedhojë kjo demagogji bën që në një pjesë të konsiderueshme të pacientëve të përhapet si epidemi ndjenja e përçmimit dhe urrejtjes ndaj personelit shëndetësor. Të nesërmen, një tjetër lajm mjaft tronditës ishte dhunimi i një kolegut tonë infermier në krye të detyrës në QSUT. Mbase për shumëkënd kjo mund të jetë një ngjarje e rëndomtë dhe e parëndësishme, por po ta shohim me qetësi dhe gjakftohtësi nuk është goditur një infermier, por i tërë personeli shëndetësor. Akoma më e rëndë bëhet kur, përveç Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, i cili reagoi menjëherë, sektori i infermierisë pranë QSUT, apo ai i Ministrisë reagojnë me heshtjen e tyre, ose më mirë nuk duan të zgjohen nga ai gjumë i thellë dhe i gjatë që i ka zënë prej kohësh , për të dënuar dhunën ndaj personelit të bluzave të bardha dhe për të qenë në mbështetje të kolegëve që punojnë me vetëmohim dhe përkushtim, por në kushte aspak të denja. Përditë mjekë dhe infermierë dhunohen psikologjikisht dhe madje fizikisht për shkak të mungesave në mjekim, mjete diagnostike dhe infrastrukturë mjekësore. Duke mos dashur të inkurajoj dhunën, unë do të doja në radhë të parë t’u bëja thirrje të gjithë drejtuesve të institucioneve të shëndetit të tregojnë më shumë respekt për infermierët, të cilët janë partnerët e tyre në dhënien sa më me cilësi të kujdesjeve shëndetësore, që kanë në dorë suksesin dhe dështimin e tyre dhe jo të delegojnë fajin tek to. Sot infermierët kanë mbaruar fakultete, kanë kryer trajnime afatshkurtër dhe afatgjatë në vende të ndryshme të botes, kanë hedhur themelet e para të fakultetit të Infermierisë, duke e transformuar nga një kurs një vjeçar në një fakultet, kanë bërë projekte madhore në fushën e infermierisë me një kosto shumë të lartë financiare që sot qëndrojnë në sirtarët e drejtuesve të Infermierisë. Prandaj të nderuar titullarë lërini hapësirë infermierëve ta bëjnë vetë ata infermierinë. Në radhë të dytë dua t’u bëj thirrje dhe qytetarëve që të tregohen më të kujdesshëm dhe më respektues ndaj infermierëve të cilët u qëndrojnë pranë shtratit të tyre 24 orë në 24 duke u bashkuar me dhimbjen e tyre, duke u përkujdesur për ta.