Ish-të përndjekurit politikë s’duan t’ia dëgjojnë as emrin Kurt Kolës
Retrospektivë - 24.03.1999
Nga Engjëll Kokoshi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare
Rastësisht takova një bashkëvuajtës i cili, sa më pa, më tha se kishte marrë një ftesë nga Kurt Kola, për një ceremoni me rastin e tetëvjetorit të daljes së numrit të parë të gazetës „Liria“. Bashkëvuajtësi u habit kur mësoi se unë nuk përfshihesha në të nderuarit e ftuar nga Kurti. Por i thashë edhe se Kurti e dinte shumë mirë që ata të cilët krijuan Shoqatën dhe, sidomos, ata që i dhanë jetë kësaj gazete, s’kishin se si të pranonin ftesën e një individi, që kishte uzurpuar Shoqatën. Sepse, si ish-i burgosur ordiner, nuk ishte ballëhapët para ish-të persekutuarve dhe, aq më pak, të organizonte ceremoni të tilla me ofiqin e titullarit të një shoqate, anëtarët e së cilës mbartin kujtimin e qindra mijëra të flijuarve e të internuarve dhe sot u vjen rëndë të shkelin në atë Seli, që Kurti me klanin e tij e përdhunuan, për shkak të veprimtarisë në kundërshtim me aspiratat e të vuajturve.
Shkodranët kanë një fjalë të urtë: „Mendja e madhe, e zeza e të zot“!
Kjo shprehje është e mishëruar në gjithë qenien e Kurtit.
Sidoqë u bë, Kurtin në atë ceremoni, e nderoi vetëm pjesëmarrja e Ministrit të Informacionit të qeverisë, së cilës Kurti i dha mbështetje nëpërmjet „Forumit për Demokraci“, sidomos kur shkoi në Vlorë së bashku me pushtetarët e sotëm e kur nderoi me tre gishtat, duke ftuar bandat të rrëmbenin armët për të „çliruar“ Shqipërinë „e pushtuar“ nga shqiptarët. Ai u bë bashkëveprimtar i atyre bandave që dihej fare mirë se kush i organizoi dhe lojën e kujt bënin. Por nga ky individ s’kishte përse të çuditeshim për veprime të tilla „në shërbim të Kombit“.
Sikur të bënim një historik të shkurtër se kush e krijoi dhe e drejtoi stafin e „Lirisë“, duke filluar nga zotërinjtë Uran Butka, Uran Kostreci, Luan Myftiu, Eden Babani, Kostaq Xoxa, Ilirian Taga, Roald Hysa, këta u larguan në shenjë proteste nga drejtimi i gazetës „Liria“, duke mos pranuar ndërhyrjen individuale të Kurtit si edhe vijën e tij krejt personale, në shkelje të aspiratave të të përndjekurve politikë.
Por cili është Kurt Kola? Nga mesi i vitit 1992, i ndodhur në Greqi para dy vitesh, i kërkoi një bashkëvuajtësi, funksionar i lartë i PD-së dhe me detyra të rëndësishme në pushtet, që ta ndihmonte për strehim dhe punë për vete dhe për djemtë e tij. Falë këtij personi, Kurtit iu plotësua dëshira. Këtë mirësi Kurti ia shpërbleu bamirësit, duke e akuzuar si spiun! Në Kuvendin e Dytë të Shoqatës Kombëtare, Kurti bëri këtë betim solemn, tashmë në ofiqin e kryetarit: „Në rast se deri në dhjetorin e 1993-së nuk do të kem përmbushur detyrën që më ngarkon ky Kuvend, unë do të jap dorëheqjen“. Këtë dorëheqje, që i ishte kërkuar disa herë dhe, sidomos, nga Kryetari i Kryesisë së Këshillit Kombëtar, zotit Luan Myftiu, Kurti jo vetëm që e refuzoi, por ky qëndrim i papërgjegjshëm i tij e detyroi zotin Luan Myftiu të japë dorëheqjen, në shenjë proteste.
Për fat të keq, postin e Kryetarit Kurti e përdori si mjet arbitraritetesh e abuzimi. Kjo vazhdon edhe sot, në ritme të shfrenuara. Me luhatjet e tij të paprincipta, dikur u mbështet nga pushtetarët e asaj kohe. Takohej me personalitetet e fuqishme, gjoja për interesa të Shoqatës, por në fakt për përfitime vetjake dhe të disa bashkëpunëtorëve të joshur nga ai, duke i shpërfillur dhe duke i lënë me gisht në gojë ata që, të mashtruar, i dhanë votën në atë kohë...
Fatkeqësisht, disa nga personalitetet me të cilët mbante kontakte (natyrisht, jo për zgjidhje problemesh në favor të të përndjekurve), i besuan këtij kameleoni. Për çudi, i besuan edhe organet që do të merreshin me hetimet e allishverisheve të titullarëve të një firme biznesmenësh ish-të përndjekur, të cilët s’kishin bërë asnjë marrëveshje me Shoqatën; megjithatë, kërkonin të ishin të favorizuar, në emër të saj! Në këtë punë jo të pastër Kurti veproi në kundërshtim me pjesën dërrmuese të Kryesisë së Shoqatës, e cila mori vendimin që firma në fjalë të gjendej jashtë kuadrit të Shoqatës. Por Kurti, ndonëse vendimi përmbante firmën e tij, veproi në mënyrë të dyfaqshme. Sepse u kërkoi, nga ana tjetër, autoriteteve, që ta ndihmonin këtë grup biznesi. Kuptohet se kjo punë nuk u bë gratis nga Kurti. Përfitimet do të shfrytëzoheshin edhe nga „përkrahësit“.
Deri në gusht të 1994-s Kurti ishte i përkëdheluri i një klani të caktuar pushtetarësh (socialistë). Greva, në fakt, u instrumentalizua edhe nga disa persona të veshur me pushtet. Ky veprim ndikoi në armiqësimin e Shoqatës me PD-në e me Qeverinë. Veprimet e papërgjegjshme të Kurtit synonin të implikonin anëtarë të Kryesisë dhe, sidomos, Sekretarin e Përgjithshëm, të cilit i përgatiti edhe atentatin e shëmtuar me anë të horrave të tij, ngjarje që u pasqyrua edhe nga shtypi i kohës.
Por akti që zbuloi lojën e ndyrë të Kurt Kolës ishte kërkesa (sapo doli nga burgu shtëpiak) që i bëri Bankës Tregtare që të financonte një shumë prej 12000 $ për blerjen e një veture “fuori strada”. Kjo ndodhi në dhjetor të 1994-s dhe zgjoi reagimin tonë, meqë një shumë e tillë do të mund të vihej më mirë në shërbim të halleve të të përndjekurve, e jo për tangërllëqe kryetarësh të cilët, sidoqoftë, s’ishin pa veturë!
Jam i mendimit se jo vetëm Drejtori i përgjithshëm i B. Tregtare por edhe vetë Ministri i Financave nuk duhej t’ia aprovonin këtë kërkesë thjeshtësisht individuale përsonit që, për katër muaj, kishte sulmuar me të gjitha forcat dhe me frazat më fyerëse PD-në dhe qeverinë. Megjithatë ky vendim u miratua edhe diku, më lart! Në këtë investim, të aprovuar nga Drejtori i Bankës dhe të tjerët, ishte implikuar në mënyrën më të ulët, në emër të Shoqatës, edhe klani i allishverisheve, duke zhgënjyer bashkëvuajtësit për mashtrime të tilla në kurriz të tyre.
Veçanërisht Kurti damkosi veten e tij dhe ata që e ndoqën, në ngjarjet e vitit 1997. Vajtja në Vlorë dhe dalja në tribunë në Sheshin e Flamurit më 30 qershor, pranë atyre që persekutuan shtresën tonë të të përndjekurve për gati gjysmëshekulli, duke brohoritur për fitoren e bandave të kallashnikovëve, i dha përfundimisht vulën e turpit këtij shpërfillësi të aspiratave të të përndjekurve.
Ndonëse nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm (pas largimit të z. Kin Basha, i emëruar nga Kuvendi i 3-të Kombëtar, në maj të vitit 1995) e të tjerët, iu kundërvunë, më vonë, ambicjes së shfrenuar të Kurtit, për të qenë i privilegjuar në pushtetin e ri të uzurpuar, në kompensim të shpërblimit të shërbimeve, - ata, sidoqoftë, duhej të mos ishin aq pasivë ndaj aventurizmit të K. Kolës. Por duhet shtuar edhe se Kurti s’ka qenë kurrë kolegjial dhe ka vepruar „në emër të të përndjekurve“, sikur Shoqata të ishte pronë e tij personale. Kështu ai e ka mbushur kupën dhe ka mbetur pa bashkëpunëtorë. Kjo është bërë objekt edhe në shtyp. Ish-të përndjekurit janë prononcuar me neveri për krushqitë (me kryetarin e PS-së) dhe me njerëzit e tij në pushtet.
Është e drejta e Kurtit të mohojë gjakun e të parëve të tij, të masakruar pikërisht nga etërit e atyre që drejtojnë sot, me të cilët ka flirtuar Kurti, për të arritur në të dy postet, që i janë dhënë si dhuratë kolaboracionizmi. Por atij nuk i lejohet që të shkelë mbi gjakun, mundin dhe vuajtjet e qindra mijëra ish-të persekutuarish të diktaturës. Kurti, me paturpësinë më të madhe po vazhdon endé sot, në të vetën.
E vetmja gjë që i mbetet të bëjë është që, jo vetëm të japë dorëheqjen nga të dy postet që ka uzurpuar me ndihmën e „miqve“, por të zhduket nga ky vend, duke u bërë nder mijëra e mijëra bashkëvuajtësish, që janë të dëshiruar për bashkimin e Shoqatës.
Ish-të persekutuarit politikë shprehen: Emrin, Kurt Kola, mos ta dëgjofshim më kurrë!
----------------------------
Autori i shkrimit ishte njëri nga të dënuarit me vdekje nga regjimi i diktaturës, që iu kthye në dënim të përjetshëm