Fajon: BE? Kosova ende shumë kritere për të përmbushur
BRUKSEL-Eurodeputetja slovene, Tanja Fajon në një intervistë për BBC tha se Kosova është ende larg marrjes së një pyetsori nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave, por shfaqi shpresën e saj se Komisioni Evropian do të fillojë së shpejti një lloj dialogu edhe me Prishtinën për këtë proces. “është e qartë se Kosova është ende larg nga një udhërrëfyes këtu në Bruksel sa i përket liberalizimit të vizave. Komisioni Evropian ofroi një lloj udhëzuesi dhe unë besoj se qytetarët e Kosovës duhet të kenë të njëjtën mundësi që të udhëtojnë lirisht në BE sikur edhe fqinjët e tyre në rajon. Sepse nëse vazhdojmë që të kemi këtë lloj “muri të hekurt” për Ballkanin perëndimor nuk mund të flasim për paqen, përparimin dhe për një kontinent të bashkuar evropian”, tha Fajon. Zonja Fajon tha se statusi i pazgjidhur i Kosovës, për 5 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, do ta vështirësojë rrugën për të gjetur zgjidhjen për qytetarët e Kosovës. “Ju e dini se Kosova është një çështje shumë e ndjeshme dhe politikisht shumë e vështirë, sepse statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur. Ka pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kanë probleme të mëdha me këtë”m, tha Fajon duke shtuar se “Mendoj se është një rrugë e gjatë për të gjetur zgjidhjen për qytetarët e Kosovës dhe gjithashtu është shumë e vështirë që tani të paragjykohet se cila do të jetë zgjidhja por në fund të fundit ajo do t’u jepet qytetarëve”. Eurodeputetja slovene tha se Kosova ka ende shumë kritere për të përmbushur dhe u bëri thirrje autoriteteve kosovare që të vazhdojnë me reformat në vend. “Unë dhe Parlamenti do të bëjmë çdo gjë të mundur që të sjellim qytetarët e Kosovës më afër BE-së por ka shumë probleme dhe kritere për të përmbushur nga ana e kosovarëve dhe udhëheqësve përgjegjës në rajon”. Eurodeputetja Fajon tha se shpreson se Shqipëria dhe Bosnja të hyjnë në procesin e lehtësimit të vizave brenda këtij viti dhe se Kosova nuk do të mbetet, siç u shpreh, një “vrimë e zezë” në hartën e Ballkanit Perëndimor. Kosova që pas shpalljes së pavarësisë, shteti I ri I Kosovës krahas përpjekjeve për njohjen e Republikës po lufton për tu përfshirë në organizatat më të mëdha botërore. Aktualisht Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.(d.b/BalkanWeb)