E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajtor si Batoni

Pas pak ditësh kolegu ynë, Baton Haxhiu, do të jetë sërish i lirë. Dikush do ta duartrokasë, dikush do vazhdojë ta kritikojë dhe të gjithë ne do të vazhdojmë të ruajmë të njëjtin mendim për Batonin, siç e kemi pasur përpara shkuarjes së tij vullnetare në Hagë. Por të gjithë sot duhet të jemi solidarë me të. Të gjithë gazetarët sot duhet të bëjnë “FAJIN” e tij dhe të tregojnë në mënyrë të përsëritur emrin e dëshmitarit që rrëfeu Batoni, atë të Nazif Ramabajës, sepse ky akt ka të bëjë me thelbin e profesionit tonë: atë të nxjerrjes së sekreteve, jo atë të groposjes së tyre. Sepse ky akt ka të bëjë me të vërtetën, sado e rëndë qoftë ajo dhe jo me fshehjen e saj.

Në këtë kuptim, Baton Haxhiu ka pasur ndërgjegjen profesionale për ta bërë siç duhet punën e tij. Në këtë kuptim, ai ka dhe fatin që të bëhet një precedent shqiptar për të mësuar sesi ne, gazetarët, duhet të luftojmë për ta mbrojtur profesionin tonë.

Po çfarë faji ka bërë në fakt Baton Haxhiu?

Më 24 dhjetor të vitit që shkoi, ai ka botuar një shkrim në gazetën “Express”, drejtor i së cilës ishte ende në atë kohë, ku shpjegonte se pse për ish-ministrin e Kulturës së Kosovës, Astrit Haraçia, ishte hapur një çështje nga Gjykata e Hagës. Haraçia së bashku me një tjetër gazetar, Bajrush Morina, akuzohej se i kishin bërë presion njërit prej dëshmitarëve të Gjykatës së Hagës në procesin ndaj Ramush Haradinajt. Ky dëshmitar gjendej prej kohësh në Oslo, në Norvegji. Një ditë, ndërsa procesi kundër Ramush Haradinajt zhvillohej në Hagë, (këtij dëshmitari, pra Nazif Ramabajës, ish-pjesëtar i trupave të FARK) i shkon në shtëpi, atje larg, në Skandinavi, Bajrush Morina. Nafiz Ramabaja i kishte njoftuar autoritetet e Hagës për një gjë të tillë dhe si pasojë e kësaj, banesa e dëshmitarit ishte mbushur me mikrofonë të padukshëm.

Gjatë përgjimeve që u dëgjuan nga hetuesit e Hagës rezultonte se vizitori gjendej aty i dërguar nga ministri i Kulturës, Astrit Haraçia, me një qëllim. Të ndërronin dëshminë kundër Haradinajt.

Kur çështja kundër Haraçisë dhe Morinës ishte bërë publike, Baton Haxhiu vendosi ta tregojë atë në gazetën e referencës në Prishtinë, “Express”. Për herë të parë ai përmendi emrin e dëshmitarit që mbahej i fshehtë nga Gjykata e Hagës. Dhe bëri mirë. Së pari, sepse ai tha një të vërtetë, që nuk i takonte atij ta ruante. Për ruajtjen, e saj, sipas çdo tradite të demokracive botërore, janë të tjerë persona përgjegjës. Aspak gazetarët.

Së dyti, edhe sikur ky koncept i pranuar botërisht të mos merrej parasysh, përsëri Baton Haxhiu nuk ka faj. Ruajtja e emrit të dëshmitarit ka vlerë, për sa kohë atë nuk e ka marrë vesh personi i akuzuar, ai që mund të dënohet si pasojë e rrëfimit të këtij dëshmitari, ai që mund ta kërcënojë direkt apo indirekt këtë dëshmitar, por jo kur ky i akuzuar (në këtë rast Ramush Haradinaj) ka qenë në dijeni.

Ai, sipas akuzuesve të Hagës, ka dërguar edhe të tjerë për ta ndërruar dëshminë kundër tij. Ndaj, në këtë pikë, sekreti nuk ka më vlerë. Ai mbetet vetëm një raport midis gazetarit dhe publikut. Dhe këtë raport Baton Haxhiu e ka respektuar, duke respektuar njëkohësisht edhe secilin prej nesh, që kërkon ta ushtrojë ndershmërisht këtë profesion.

Deri këtu kemi të bëjmë me argumentet serioze të kësaj ngjarjeje, sepse për më tej ajo nuk është tjetër vetëm se një farsë qesharake. Sepse, një gjykatë e ngritur për të dënuar kriminelët e luftës në ish-Jugosllavi, përfundon të merret me Batonin. Do ishte e kotë të tentoje të tregoje dështimet e TPI. Është jashtë vendit dhe mundësive të këtij shkrimi. Por mendoj se nuk ka njeri që s’e kupton, nuk ka njeri që s’i duket qesharake, kur e mendon se Haga, që tashmë ka liruar vrasësit dhe zhdukësit e kriminelëve, po mëton të merret me ata që thjesht kanë shkruar në shtyp emrat e dëshmitarëve. Nëse dikush në Hagë e ka dashur në burg Ramush Haradinajn dhe nuk arriti ta bëjë këtë, për një gjë të tillë sot nuk mund të bëhet fajtor as Baton Haxhiu dhe as gazeta që publikoi emrin e dëshmitarit. Kjo është vetëm një shaka. Një farsë që nesër do të rrëfehet si një nga episodet e turpit në historinë e dështimeve të këtij tribunali. Ndaj dhe ne, gazetarët shqiptarë, duhet ta trajtojmë këtë histori si të tillë. Duke treguar ditë pas dite, deri në qesharakëzim, emrin tashmë publik të këtij dëshmitari, për të dëshmuar sesa joserioze është e gjithë kjo histori, që do të përfundojë shpejt; për të dëshmuar gjithashtu sesa solidarë jemi me njëri-tjetrin, për të mbrojtur një nga parimet e shenjta të profesionit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›