E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van der Sar shpall kampion Europe Mançesterin

 

Liga e Kampionëve. "Djajtë" fitojnë edhe trefeun më të rëndësishëm europian, pas gjuajtjeve të 11-metërshave

120 minutat e finales së Moskës kanë përfunduar në barazim, 1-1, ndërsa pas 11-metërshave, në stadiumin "Luzhnjiki" kanë festuar tifozët e Mançesterit. Portieri holandez, Edvin Van der Sar, ka pritur penalltinë e Anelkasë dhe i ka dhënë titullin kampion Europe Mançesterit. Nga pika e bardhë kishte gabuar më parë dhe Kristiano Ronaldo, por kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, ka gabuar në 11-metërshin e fundit, duke gjuajtur jashtë.

Mançesteri e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 26-të, kur portugezi Kristiano Ronaldo gjuajti saktë me kokë dhe mposhti portierin Çeh. Më pas, Mançesteri ka qenë pranë golit të dytë, por argjentinasi Tevez nuk arriti të devijonte topin e futur bukur në zonë nga Runi. Çelsi, që nuk doli në lojën e tij në pjesën më të madhe të pjesës së parë, ka barazuar në fund të saj me Lampardin, i cili dërgoi në rrjetë një top të mbetur në zonë nga prekja e mbrojtësit Rio Ferdinand. Fillimi i pjesës së dytë ka qenë më i mirë për skuadrën e Avram Grantit, që ka rrezikuar disa herë, por pa mundur të shënojë. Vlen të përmendet një gjuajtje e bukur e Drogbasë, i cili ishte i pafat, pasi topi u përplas në shtyllën e majtë pingule të Van der Sarit. Me kaliminin e minutave, u duk se lojtarët e të dyja skuadrave u pajtuan me barazimin dhe ia lanë gjithçka kohës shtesë. Në fund të kohës së rregullt, trajneri Ferguson hodhi në fushë Gigsin, në vend të Skolsit, ndërsa trajneri i Çelsit futi Kalunë që në fillim të shtesës. Blutë e Londrës janë përsëri të pafatë, pasi Lampard, në një rast mjaft të mirë për shënim, godet traversën. Pranë golit të dytë ka shkuar edhe Mançesteri, por kapiteni Terri e shpëton portën, duke larguar me kokë topin, pas gjuajtjes së Tevezit. Në shtesën e dytë, pas një zënke mes lojtarëve të të dyja skuadrave, Drogba është ndëshkuar me karton të kuq. 30 minutat shtesë mbyllen pa gol dhe trofeun e vendosin 11-metërshat, ku fati i buzëqesh Mançesterit. Skuadra e Fergusonit mbyll kështu në mënyrën më të mirë një sezon të shkëlqyer, pasi ka fituar edhe titullin kampion në Angli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›