Dhe unë do ta kisha publikuar emrin e dëshmitarit
Më erdhi keq, që përfundimisht Gjyqi i Hagës, pasi përzieu shumë emra, pasi shndërroi Millosheviçin në hero të patjetërsueshëm të Serbisë, pasi mbajti padrejtësisht në pranga ish-kryeministrin kosovar, Rramush Haradinaj, për ta shpallur më pas të pafajshëm, pasi ende s’ka kapur përgjegjësit e vërtetë të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, një nga arsyet për të cilat kjo gjykatë u ngrit, sot arreston një gazetar të pafajshëm nën akuzën se ka bërë punën e tij, sepse ka informuar publikun në lidhje me një çështje të rëndësishme për Kosovën.
Fjala e lirë, në pranga
Jo rrallëherë kam qenë në një mendje me të, madje kemi pasur shpesh mospërputhje idesh në të shumtën e rasteve, po ajo që nuk mund t’i mohohet Baton Haxhiut është kuraja e tij prej të marri për të nxjerrë në faqe të parë lajmin sensacional.
Sot, Gjykata e Hagës po shkel me të dy këmbët fjalën e lirë, ashtu si Millosheviçi shkatërroi dhe dogji në vitin 1999 gazetën që ai drejtonte, “Kohën ditore” dhe vrau rojen e saj, që e vërteta mbi Kosovën të mos dilte. Pikërisht sot, Gjyqi i Hagës po dhunon shtypin e lirë, duke arrestuar një gazetar, i cili s’ka bërë tjetër gjë veçse ka përmbushur misionin e tij të informimit të publikut. Sigurisht, mbajtja sekret e emrit të dëshmitarit vlen, për sa kohë atë nuk e ka marrë vesh personi i akuzuar, ai që mund të dënohet si pasojë e rrëfimit të këtij dëshmitari, sepse mund të paraqesë një kërcënim për këtë dëshmitar, por kur Baton Haxhiu e ka marrë vesh, kjo çështje nuk qe më sekret. Dhe ai s’ka bërë asnjë krim, ai ka thënë të vërtetën! Nëse emri i dëshmitarit ka dalë në shesh, kjo së pari është përgjegjësi e bashkëpunëtorëve të Hagës, të cilët e kanë nxjerrë këtë informatë e jo e gazetës, as e gazetarit që e botoi atë. A nuk ishte pikërisht Baton Haxhiu, që në vitin 1999, pas luftës së Kosovës, u nderua me Çmimin Ndërkombëtar të Lirisë së Shtypit në Nju-Jork, për kurajën e tij në pasqyrimin e krizës së Kosovës në gazetën që ai drejtonte, “Koha Ditore”, me gjithë kërcënimet serioze për jetën e tij?
Media dhe drejtësia, ndërthurje pushtetesh
Roli i shtypit, sidomos i atij të shkruar, është të bëjë kërkime, investigime dhe të shkojë sa më larg që të jetë e mundur. Në ndërthurjen e pushteteve reale apo të supozuara, pikëpyetjet etike dhe praktike përplasen me njëra-tjetrën. Një koncepsion “hermetik” i themeleve të demokracisë na shfaqet dhe na jep një konfiguracion të komplikuar. Të sakrifikosh informacionin, është të sakrifikosh nevojat vitale të çdo shoqërie. Kohët kanë ndryshuar dhe nevoja për informacion nuk është një ide në ajër, sidoqoftë “mediat” që përfshijnë pothuajse gjithçka në sferën e shoqërisë moderne, prekin ndonjëherë dhe “çështje” deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre dhe pikërisht këtë mision Baton Haxhiu e ka respektuar.
Përplasjet e mediave me pushtetin e drejtësisë janë përplasje reale dhe nga dita në ditë sekreti i hetimeve dhunohet pa frikë përditë nga trupi gjykues, të cilët shpesh janë ata që informojnë gazetarët, para sesa drejtësia të bëjë punën e saj në qetësi, me rrezikun që të destabilizojë individët.
Çështja “Haradinaj” dhe “Haxhiu” nuk janë veçse derivate të rrënjëve të dobëta të drejtësisë ndërkombëtare, e cila për mendimin tim ende ndodhet në një fazë konsolidimi e ende s’e ka fituar një fizionomi të sajën, por, në vend të vërë drejtësinë e pritur nga popujt e vuajtur nga lufëtrat, ajo vazhdon të hedhë baltë mbi njërin apo tjetrin lider. Përfundimisht, mediat duhet të zgjedhin ose të heshtin mbi një ngjarje, ose t’i shkojnë deri në fund nxjerrjes të së vërtetës. Edhe unë, po ta kisha emrin e dëshmitarit, do ta kisha botuar atë në Francë. Liria e fjalës dhe e informacionit nuk mund të futet në pranga, ajo mbrohet me ligj.
Autorja është studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze “Politique Internationale”