Fakt/Edi Rama synon rikthimin e ansamblit “Babëzia” në PS

Partia Socialiste ka një problem të madh artikulimi publik. Një gjë duhet kuptuar risia nuk është në artikulimin e fjalëve “rilindje”, por dhe tek fytyra që mishëron fjalën. Sigurisht me fjalët e Gramoz Ruçit çdo pritshmëri rrezikon të dështojë dhe jo të rilindë. Efekti i rilindjes së opozitës është parë dhe ditën e djeshme me rikthimin mamutëve të korrupsionit në vizionin ekonomik të Partisë Socialiste.
Takimet e fundit të kreut të PS, Edi Rama me figura politike jashtë grupit parlamentar të sotëm janë sinjalizuese për afrimin e një grupi politikanësh të KPD së famshme. Kjo parti pritet të rikthejë në listën e kandidatëve për deputet ish-ministra të korruptuar të qeverisë “Nano” për të bërë kësisoj “rilindjen” e riciklueshme.
Kuptohet vetiu, partia Socialiste po merr çdo ditë që kalon profilin “frankeshtajnit” të përçudnuar që brenda gjirit të saj ka deputetë miliarderë, eunukë pa fjalë, ish-ministra të korruptuar, komunistë fanatikë dhe neokomunistë të orës së fundit, pinjollë të ish-Bllokut shokë të Ramës. Janë një aglomerat interesash të kundërta që përkojnë vetëm në dëshirën për të sunduar pushtetin, duke zbatuar agjendën e korrupsionin që është specialitet i mirëfilltë i qeverive socialiste.
Me këto personazhe të ricikluara në zgjedhjet e ardhshme opozita ka rilindur e vdekur.
Të kuptohemi. Retorika politike e opozitës është e njëjta e para shtatë viteve.
Nuk ka ndryshuar asnjë presje. “Saliu nuk bie vetë. Saliun duhet ta rrëzojë fryma elektorale që duhet të ngrejë opozita shqiptare nën udhëheqjen e Partisë Socialiste e të Edi Ramës. Të gjithë ju jeni angazhuar në censusin për regjistrimin e votuesve në qendrat tuaja të votimit. Duhet të trokisni në çdo derë shqiptari e të thoni: ‘Në 2005-ën, Saliu kur erdhi e gjeti kilen e bukës me 500 lek, sot Saliu që do ikë e lë bukën me 1000 lek’”, u shpreh dje Gramoz Ruçi në Asamblenë e PS së Tiranës.
Numri dy i PS, ish-ministri i fundit i Sigurimit famëkeq Gramoz Ruçi fajësoi kryeministrin Berisha për mos marrjen e Statusit të vendit Kandidat duke harruar se opozita socialiste refuzoi të votonte tre ligjet e kërkuara nga BE-ja, çka u reflektua në kushtëzimin “Statusi, pas miratimit të tre reformave”.
Megjithatë gjatë mandatit të parë të qeverisë “Berisha”, Shqipëria u anëtarësuar në aleancën më të madhe ushtarake që kanë njohur historia, në NATO, që siguroi më një herë e mirë lirinë dhe demokracinë e qytetarëve; gjatë mandatit të dytë të qeverisë “Berisha II”, qytetarët shqiptarë me liberalizimin e vizave lëvizin të lirë në zonën “Shengen”.
Po gjatë këtij mandati gjasat për të marrë Statusin kandidat ishin të shumta pas marrëveshjes konsensuale të nëntorit të palëve politike që për ligjet e integrimit do të kishte një shumicë të cilësuar në parlament.
Por në momentin më deciziv për të shprehur vullnetin “pro” europian të qytetarëve shqiptarë, Edi Rama ngriti krye duke bllokuar me këmbëngulje tre ligjet e kërkuara nga Brukseli me alibinë e çështjes së qarkut të Fierit.
...