Faleminderit Doktor!
Arben Rrozhani
Doktor, faleminderit që u ktheve! Të pashë mbrëmë kur fole për herë të parë për këtë legjislaturë, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Kishe ruajtur simbolet blu, jo vetëm kravatën dhe shaminë në thilenë e xhaketës. ishe i tëri blu, madje një moment nga fundi i fjalimit tënd pa fund u bëre edhe mavi. Prej qershorit, para se të merrje “1 milion shpulla”, siç tha mbrëmë ai që i drejtohesh Edvin Kristaq Rama, që të ka zënë poltronin në atë sallë dhe nesër e tutje do ta zërë edhe në selinë e kryeministrisë, nuk të kisha parë të mbushje me klithma, akuza, etiketime, specifikime, ato “po, po”-të e tua anektodike, ato grimasat sarkastike sërish për të majtën e sallës, që në këtë legjislaturë të ka pushtuar edhe të djathtën tënde të ngulfatur në 50 e ca karrike dhe desktopë ekranëfikur, që t’i bëri peshqesh Jozefina para se të linte foltoren e spikeres së Kuvendit. Kjo është edhe më e rëndë Doktor. Atë e kishe për-ballë, kokëfshehur pas desktopit të vetëprokuruar drejtpërdrejt dhe atje pas shpine, kishe ilir Metën, atë cinik dhe bukëshkalë që mbrëmë të dha lejen që të flasësh pa fund, siç kishte dhënë urdhër edhe armiku i demokracisë Gramoz Ruçi. Çfarë nuk fole, çfarë nuk the. E dërrmove kastën e kuqe, me në krye komunistin 34-vjeçar dhe banditin Saimir Tahiri. Dole dhe fole aq gjatë, edhe pse kreu i grupit tënd Edi Paloka nuk të dha leje. Po mirë ja bëre, se nuk ka tagrin ai të flasë para teje dhe më shumë se ti, jo vetëm se ka atë problemin e gjuhës, por edhe se ai është thjesht një kryetar i komanduar, prej një kryetari partie, që ti vetë e ke komanduar që të bëjë ndonjë mbledhje televizive te SHQUP-i. Ja bëre si trimat. ia numërove Edvin Kristaq Ramës gjithë mashtrimet që u ka bërë shqiptarëve edhe pa marrë pushtetin. Të imagjinoj si ndjehesh. Ai rrëmbeu 1 milion shpulla bashkë me ilir Metën dhe ato të çuan ty nga froni mbretëror ku doje, atje në radhën e dytë të anës së djathtë sallës së Kuvendit, ku ke krah të djathtë Jozefinën, para dhe pas ca çupëlina dhe djem rioshë. Vetëm ti je shpresa për ta. Askush tjetër. Foli edhe Mul Noka, edhe Mond Spaho, edhe Igli Cara. Fund e krye përdorën fjalët e tua por s’më mbushën. Se nuk mjaftojnë vetëm fjalët. Duhet mimika jote përplot rrudha, grimasa jote që më kujton ca filma e Stenli Kubrikut, gjestikulacioni yt, që më çon pas në kohë nja 70 vite kur bëhej luftë e madhe, por duhet mbi të gjitha aftësia jote e pamasë për të dërrmuar kundërshtarin për ato që s’ka bërë. Do thënë se nuk kanë nisur. Punë e madhe. Dita e mirë duket që në mëngjes. Ku është parë në atë sallë Kuvendi, të paktën këto 8 vitet e fundit, që kryetari t’ia lërë drejtimin e seancës nënkryetarit të PD-së (gojët e liga thonë se Mond Spahos ia dha-në ato 99 vota, sepse është 99-ësh, prandaj mos i beso shumë). Ku është parë që kreu i opozitës, ku ishe katandisur mbrëmë Dok-tor, të flasë pa limit, të shajë me rrënjë e me degë kryeministrin dhe çdo deputet të shumicës dhe të mos i përgjigjet askush; ku është parë që të akuzosh për banda, krim, trafik dhe korrupsion dhe të mos të të hidhet askush në grykë, të mos zbrezë kryeministri si ti para qershorit, dhe t’i futësh brrylin Erjon mistrecit, t’ia çosh në semafor motrën Taulantit, t’ia lyesh me pudër-drogë fytyrën Artës, tia nxish surratin Gramozit të zi, t’ia kujtosh me ca fjalë të ëmbla greke, ca të pabëra Anastasit. Ta kanë me hile Doktor. U gëzova shumë që dole pas fjalës. Duan të të lënë në foltore, në këmbë, apo edhe të flasësh aty nga vendi po deshe, ku ke krah të djathtë Jozefinën. Duan që të lodhesh, të topitesh, të të humbë filli i fjalës, të të ikë ngjyra e fytyrës si atë 12 dhjetor 2011 te holli i Pallatit të Kongreseve. Mos bjer viktimë Doktor. Do të ta vonojnë ambulancën, i pari ai i gjati që është djali i atij profesorit, që do jetë ministër shëndetësie. Ti e di vetë, sepse u thua bijtë e etërve, me të drejtë. Prandaj, të lutem, merre në konsideratë. Duan të të bëjnë viktimë dhe pastaj të thonë: Nuk kemi faj ne, respektojmë opozitën, por fajin e ka mosha. Prandaj rro gjatë në Kuvend, aty ku je. Përmendua pa pushim 10 mijë kilometrat e rrugëve, shkollat fringo të reja, ujësjellësat, punët që u dhe shqiptarëve, rrogat dhe pensionet që u ngrite, ekonominë që ua bëre të dytën pas Gjermanisë së Merkelit, plazhet plot me 4 milionë turistë, Shqipërinë dixhitale që vjen jo vetëm në ipadin tënd, ku demaskoje mbrëmë programin fantazmë të Piktorit, Shqipërinë si superfuqi të vogël en-ergjitike në rajon. Le të plasin. Bashkë me ata 1 milion votues, që dreqi e di pse s’i panë gjithë këto mrekulli që ti paske bërë dhe të lanë të katandisesh në këtë derexhe. Por mos u ligështo. Qëndro! Dhe ec, drejt luftës siç e di ti, si 15 vite më parë. Përpara!