E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faleminderit që votove, o Popull!

Arben Rrozhani

-Lexoni çfarë xhevahiri hodhi në faqen e qeverisë shqiptare, Sali Berisha, në 29 korrik të një viti më parë: “Edhe këtë vit, Kryeministri Berisha ka zgjedhur sërish bregdetin e Dhërmiut për të kaluar një fundjavë pushimi. I frymëzuar nga shpirti olimpik, Kryeministri Berisha, i cili po kalon të dielën me mbesat dhe nipërit në Dhërmi vendosi sot një rekord të ri personal, 141 minuta not në ujërat e mrekullueshëm të detit Jon, kundrejt 132 minutave të një viti më parë. Noti filloi në orën 9:10 dhe përfundoi në orën 11:31 minuta. Kryeministri tha se "zëri i detit JON me tha se ky rekord i ri personal është një ogur i bardhë për fitoren e merituar të zgjedhjeve të 2013". Ndonëse ky është një rekord historik i Kryeministrit Berisha, ai beson se ne Gusht mund të shënojë një rekord tjetër të ri. Pushimi në Dhërmi gjate sezonit veror për Kryeministrin Berisha, eshtë kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm”. Është e shkuar e zeza mbi të bardhë dhe kryeministri sapo ishte kthyer nga Londra, ku ekipi olimpik shqiptar kishte lënë nam, me përjashtime altetësh për përdorim dopingu, atletë që nuk hynin as në gara dhe një pjesëmarrje kombëtare, që u shndërrua në shëtitje të gjatë turistike. Një vit, pa 9 ditë, Sali Berisha njoftoi se vendosi një rekord të ri dhe nuk denjoi ta lajmërojë te faqja e qeverisë, por në profilin e vet në Facebook: “Gati per beteja! Sot një rekord i ri! Sot në Dhërmi bëra një check up në natyrë! Një rekord i ri u arrit. 145 minuta not të të gjitha stileve. Gati për beteja të reja të fuqishme që na presin!! Sb”. Krahasoni dy njoftimet dhe shikoni: Në të parin bënte profetin, duke thënë se rekordi e ndenjes në ujë ishte oguri i bardhë i fitores në zgjedhjet e 23 qershorit”.

Gaboi dhe shumë rëndë. Ti o Popull në mënyrë peblishitare, votove kundër rekordeve të tij, në stere dhe në ujë dhe e nxorre në opozitën më mjerane që ka qenë ndonjëherë PD-ja në këto 22 vitet e zgjedhjeve pluraliste. Nuk u impresionove nga noti alla-kinez i liderit, që si shoku Mao pluskon mbi ujë, ngjit murin e madh kinez dhe premton kapitalizmin, duke drejtuar si në kohën e partisë-shtet. Në të dytin, thirrja nuk është ogur i mirë. Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen nga kryetar i PDsë dhe prej 9 shtatorit 2013, nuk do të jetë më në zyrën e kryeministrit. Nëse ai nuk e mban mend, po ia kujtojmë çfarë tha mbrëmjen e 26 qershorit 2013, në selinë e PD-së, përmes vajeve me ligje të Laurës dhe Erlës: “Qytetarët votuan në shumicë projektin e kundërshtarit tonë, të bazuar në premtimet që ne nuk mund ti bënim si: shërbimet shëndetësore falas për të gjithë, heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe TVSH-së për ushqimet dhe uljen e taksave për 95 përqind të qytetarëve. Këto premtime ne nuk mund t’i bënim, sepse ato bien ndesh me filozofinë dhe parimet që ne besojmë, bien ndesh me konkurrencën e ndershme, me lirinë ekonomike, me barazinë sociale. Me këtë rast, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fituesit të zgjedhjeve mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë”.

Këto tha dhe dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet drejtuese në PD. Po për cilat beteja të reja që e presin e ka fjalën? Për KQZ-në? Nuk ka dyshim. Ushtarët e tij, nga KQZja, deri te magazinat e Lundrës, i hapën kutitë, duke vendosur rekordin e jashtëligjshmërisë. Por deri tani kanë gjetur “qenin e ngordhur”, sic thotë Mimi Kodheli. Kanë dalë bllof, por nuk janë tërhequr. Për pesë ditë mbarojnë me Lezhën, pastaj do t’i sulen Shkodrës. Kolegji mund të kthejë për rinumërim Fierin, pastaj kushedi çfarë i pjell truri rekordemit të Dhërmiut. Sepse me rekorde të turpshme e ka ngritur karrierën politike dhe ekonomike. Duke vjedhur pushtet, pa patur shumicë votash, duke vjedhur vota, pa patur votues, duke rinumëruar kuti me vota të futura në kuti, duke manipuluar kuti dhe rezultate, që edhe shoku Enver do t’i kishte zili. Ai ishte gati ta bënte edhe këtë radhë dhe po bën të pamundurën për ta bërë, deri në grahmat e fundit. Ai është gati për beteja të reja dhe duhet ta besojmë, sepse është kaalorësi i të keqes, që bëri trazirat e 1991-it, 26 dhe 28 majin 1996, marsin 1997, 3 korrikun 1997, 13-14 shtatorin 1998, 15 marsin 2008, 21 janarin 2011, 8 majin 2011...dhe pse do ta kursente një luftë të re në vjeshtën 2013? Por faleminderit ty, o Popull! Rekordi yt antidiktatorial, ishte i pashoq. Dhe 1 milion vota kundër rekordmenit të pluskimit. Nuk ka ku t’i gjejë mbi 350 mijë vota. Ti, o Popull e dëgjove apelin për votën plebishitare, të mos rrije indiferent, të mos bëje qorrin kur po të merrnin dritën e syve, shurdhin, kur të mbysnin tamtamet e rekordeve. Dhe e dërrmove. Por do ta kemi ndër këmbë deri në 9 shtator. Pas kësaj date, deri në fund të tetorit, Joni ka ujëra të ngrohta. Le të shkojë atje dhe të vendosë rekorde të reja. Po deshi le të flejë në ujë. Faleminderit, o Popull!


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›