Një dënim simbolik për Berishën
Brenda fituesve të majtë është hapur ditët e fundit një debat lidhur me fatin juridik të kryeministrit Berisha, pas largimit të tij nga pushteti. Fillimisht Arta Dade, ish- ministre e Jashtme, ka deklaruar se ajo do të dorzonte mandatin e deputetit, nëse lideri i PD-së nuk do ti nënshtrohej një procesi hetimor. Idenë e saj e ka përforcuar edhe ish- shefi i shërbimit sekret, Fatos Klosi, i cili ka shtuar se i duhet dhënë fund konceptit të pandëshkueshmërisë që mbizotëroi gjatë periudhës së Fatos Nanos, gjoja për të çtensionuar klimën politike në vend. Me tone më të buta ka ndërhyrë në këtë debat edhe pasardhësi i Berishës, Edi Rama, i cili më shumë se konceptit të pandëshkueshmërisë, i ka mëshuar atij të ndarjes së pushteteve, dhe mosndërhyrjes të opinioneve politike në mekanizmin e drejtësisë.
Në pamje të parë, ky debat që është ende në gjenezën e tij, duket sikur i jep të drejtë atyre që duan që pas 23 vjetësh demokraci, të mbyllet kapitulli i paprekshmërisë së krimeve të politikanëve. Ata janë në të drejtën e tyre kur kërkojnë një vërtetim juridik për akuzat që i kanë bërë Berishës në tetë vite. Ata, sot, mund të kërkojnë nëse vërtet janë shpërdoruar ato mbi 300 milionë eurot e Rrugës së Kombit. Ata, sot, mund të kërkojnë më shumë transparencë për mënyrën se si u morën vendimet e ngritjes së fabrikës së vdekjes në Gërdec dhe për dijeninë e Berishës për të. Ata, sot, mund të kërkojnë se pse Berisha prodhoi edhe 21 janarin e bashkë me të edhe alibitë për vrasësit e pastaj fshehjen e provave për ta.
Të gjitha këto pyetje legjitime duan një përgjigje. Ato mbajtën për tetë vite në këmbë kauzën e opozitës. Ato torën gjatë fabulën e një regjimi kusar e vrastar që vidhte vota për të vjedhur Shqipërinë dhe vidhte Shqipërinë për të vjedhur vota. Por, nëse kjo fabul nuk ka qenë një mashtrim, aktorët e saj duhet të kenë emër. Ata duhet të japin llogari. Ata duhet të ndëshkohen. Ky është pretendimi i mbrojtësve të kësaj teze. Sepse – vazhdojnë ata,- nëse kjo nuk do të ndodhë, në këtë vend gjithkush që do të vijë në pushtet, do të dhunojë e grabisë, pa pasur asnjë shqetësim kur të largohet prej tij.
Po atëherë çduhet bërë? A duhet të jetë një nga hapat e parë të fitimtarëve hetimi i paraardhësve me në krye Berishën? A na propozojnë një të mirë me interes publik, mbrojtësit e kësaj teze?
Mendoj se jo. Dhe nuk mendoj kështu për arsye se Berisha me duket engjëll. As se jam i sigurt që ai nuk ka pasur gisht, le të themi, në 21 janar. Por, për një arsye tjetër. Për arsyen e thjeshtë se Sali Berisha dhe të singjashmit e tij, kanë ngritur për dy dekada në këtë vend, një sistem drejtësie të paaftë për gjykimin e tyre të drejtë. Nëse sot do të niste një proces gjykimi i pushtetarëve të djeshëm, ai nuk mund të ishte as i lirë dhe as i ndershëm. Eksperienca jonë e shkurtër na ka mësuar se prokurorët dhe gjyqtarët, sidomos këta të fundit, janë speciet më të adaptueshme me pushtetin e ri. Qeniet që i përshtaten atij më kollaj, që dinë ti lexojnë nëntekstin, dëshirën, humorin, madje pa pasur nevojë edhe për urdhra. Ata e kanë kthyer këtë prirje prej amebe në profesionin e vërtetë të tyre, që i bën të fitojnë privilegje dhe para. Pra, në rast se ata do të shikonin qoftë edhe një sinjal nga pushteti i ri, për goditjen e paraardhësve, ata do të shndërroheshin në ushtarë të gatshëm për të gatuar procese farsë. Sepse ky korpus njerëzish, që është stërvitur ti gjykojë politikanët vetëm sipas vullnetit politik, e ka të pamundur të prodhojë procese të drejta. Shembujt e të shkuarës për këtë nuk mungojnë. Ishin të njëjtët gjyqtarë që kur ia kërkonte politika e dënuan si vjedhës ordiner Fatos Nanon dhe më pas e shpallën të pafajshëm kur ishte në pushtet. Ishin po të njëjtët që i dënuan për krime kundër njerëzimit me mbi 20 vite burg udhëheqësit e regjimit të shkuar, dhe më pas, kur situata politike ndryshoi, të gjitha mëkatet e tyre u zhbënë. Ishin të njëjtët që i burgosën si pjesëtarë të një grushti shteti, krerët e demonstruesve të 14 shtatorit 98, dhe më pas, kur klima politike u tjetërsua, i liruan menjëherë. Prandaj nëse një situatë e tillë përsëritej, jo vetëm që nuk do të kishim drejtësi, por do rrezikonim të nisnim një gjueti të re shtrigash.
Po atëherë lind pyetja: çfarë duhet bërë? Mos vallë frika se kemi një sistem gjyqësor të paaftë për të mos gjykuar politikisht politikanët, duhet të na lërë rob të kulturës së pandëshkueshmërisë? Mos vallë frika nga një fushatë e re gjuetie shtrigash, duhet të na lërë të pambrojtur ndaj shtetarëve keqbërës e abuzues që largohen nga pushteti të bindur se nuk do tu hyjë gjemb në këmbë?
Pra thënë ndryshe, a mundet që në Shqipëri të vijë dita që edhe liderët tanë të gjykohen në mënyrë të drejtë për mëkatet apo krimet e tyre? Po. Kjo ditë mund të vijë. Madje dhe fare shpejt. Por, jo duke nisur nga gjykimi i Berishës. Jo nga ndëshkimi i tij. Sepse, nëse synimi i vërtetë i pushtetit të ri, është ti japë njëherë e përgjithmonë fund kulturës së pandëshkueshmërisë, ai nuk mund ta nisë atë nga goditja e kundërshtarëve të mundur. Të gjitha arsyet dhe faktet e dhëna më lart, janë të mjafta për të na bërë të kuptojmë se një proces i tillë do të shndërrohej në farsë. Nëse ndarja me këtë fenomen është vërtet qëllimi i tyre, ata kanë një rrugë tjetër për ta arritur: le ti japin fund paprekshmërisw duke e praktikuar tek vetvetja. Do të vendosnin një standard të ri në këtë vend. Do ti jepnin një dënim simbolik edhe Berishës. Sepse, ai, qe i pari që e propozoi këtë në vitin 2005, megjithëse nuk pati forcën ta zbatonte kurrë.
