E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ndalim një aventurë financiare në vend

angjeli-ALNA1Nga Anastas Angjeli

Duket se qeveria në ikje po e lë gjendjen e financave publike të rrënuar plotësisht. Kjo rrezikon që vendi të futet në një aventurë financiare me pasoja të rënda në destabilizimin e situatës makroekonomike, me thellim të ndikimit negativ në zhvillimet ekonomike reale dhe në sistemin financiar, me rëndim të situatës sociale etj. Nga pikëpamja e vështirësive financiare, situata ngjason me atë të gjysmës së dytë të vitit 96, pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur në ekonominë e vendit në këta 17 vjet që kaluan që atëherë. Çfarë po ndodh?! Cilat janë problemet dhe shqetësimet?! Çfarë duhet bërë?! Çfarë masash duhen marrë që vendi të mos shkojë drejt një Aventure financiare?!

AVENTURA FINANCIARE KRIZA TRONDIT BUXHETIN

Të dhënat për gjendjen financiare në fund të 6-mujorit të parë janë më shumë se dëshpëruese dhe tashmë alarmi për këtë çështje është dhënë. Panorama e krizës dëshmohet nga fakti se:

Së pari, rezultatet e zbatimit të buxhetit për 6-mujorin e parë të 2013-s dëshmojnë se të ardhurat tatimore janë realizuar me një diference negative prej rreth 17 miliardë lekësh, nga të cilat 15 miliardë nga administrata fiskale (tatime + dogana: TVSH – 10.4 miliardë lekë, AKCIZA 2.6, Tatim Fitimi 0.8 etj). Gjithashtu, qeverisja aktuale e futur në një garë elektorale, në 6 muajt e fundit zbatoi politika të reja fiskale me efekt negativ në të ardhurat buxhetore (heqje e një sërë taksave) vlera e të cilave për periudhën e mbetur të vitit llogaritet të jetë rreth 5.2 miliardë lekë.

Pasoja: Mosrealizimi i të ardhurave dhe pikërisht në këta zëra përbën një fakt shumë domethënës, shëndeti financiar i vendit është në gjendje kritike.

Të ardhurat jotatimore kanë një tejkalim prej 4.9 miliardë lekësh, të cilat zbusin disi diferencën e krijuar nga mos realizimet në tatime e dogana. Por ÇUDIA është se gati gjysma e këtij tejkalimi ka ardhur nga avancimi i transfertës së Bankës së Shqipërisë  + 2.1 miliardë lekë. Në këto të ardhura përfshihen edhe elemente të tilla si gjoba e sekuestrime, për të cilat nuk ka ndonjë trend të përcaktuar, pra janë faktorë të rastësishëm, kryesisht të bazuara në dhunën fiskale dhe arbitraritetin në zbatimin e ligjit nga organet fiskale.

Pasoja: Këto shuma (sidomos transfertat e Bankës së Shqipërisë) do ti mungojnë buxhetit në 4-mujorin e fundit (pasi është derdhur paradhënie në këtë 6-mujor).

Gjithashtu, qeveria në ikje ka miratuar edhe rritjen e pagave dhe pensioneve parashikuar në buxhetin e vitit 2013 me një fond prej 2.5 miliardë lekësh, e cila nga Ministria e Financave ishte përllogaritur për tu mbajtur për të kompensuar efektin negativ të të ardhurave, por që tashmë nuk ka se si të realizohet.

Në përfundim, efektet negative në të ardhurat tatimore janë aktualisht rreth 17 miliardë lekë, me ndikim të drejtpërdrejtë në financimin e shpenzimeve të miratuara në buxhetin 2013. Nga disa parashikime për të ardhurat deri në fund të vitit, (duke shtuar këtu edhe efektin e paralizës së administratës fiskale në këtë periudhë të tranzicionit qeverisës), vlerësohet se ky tregues mund të arrijë në rreth 32 miliardë lekë.

Së dyti: Shpenzimet buxhetore gjatë kësaj periudhe, për efekte elektorale, kanë ecur me rritëm të përshpejtuar, gjë që e bën tepër të vështirë kompensimin e efekteve negative të të ardhurave. Ato janë tejkaluar për rreth 9 miliardë lekë (shpenzimet operative janë tejkaluar me 1.6 miliard lekë, nga të cilat investimet janë tejkaluar për rreth 8 miliardë lekë).

Pasoja: detyrimet e prapambetura do të thellojnë më tej deficitin, dhe angazhimet buxhetore dhe hapësirat fiskale për zbatimin e politikave dhe nismave të reja të qeverisë ngushtohen.

Gjithashtu, në tabelën fiskale 6-mujore është reflektuar edhe privatizimi i 4 HEC-eve, me të ardhura bruto rreth 15.5 miliardë lekë, reflektuar te burimet e financimit të deficitit, rimbursimin e TVSH-së të reflektuar si shpenzim me 3.5 miliardë lekë dhe shtesë të investimeve 12 miliardë lekë. Kësisoj, efektet e këtij transaksioni duken pa efekt në buxhetin fillestar 2013.

Së treti: Huamarrja e brendshme dhe deficiti i brendshëm në këta 6 muaj janë tejkaluar duke ezauruar thuajse gjithë shumën e parashikuar për vitin 2013. Kështu, ndërsa huamarrja e brendshme në këta 6 muaj është tejkaluar për rreth 3 miliardë lekë, duke realizuar një shumë prej 25.2 miliardë lekë kur programi vjetor ka parashikuar një huamarrje të re vjetore rreth 27 miliardë lekë, deficiti i brendshëm është tejkaluar me 18 miliardë lekë.

Pasoja: Thellimi i krizës së borxheve duke rënduar gjendjen e buxhetit dhe duke asfiksuar mundësinë e politikave investuese nga buxheti.

KOSTOT E AVENTURËS FINANCIARE QË TRANSFEROHEN NË BUXHETIN E VITIT 2014

Veç gjendjes në krizë të situatës buxhetore të këtij viti (siç u përshkua më lart) në buxhetin e vitit 2014 trashëgohen si peshqesh gropa e zezë e akumuluar  nga një sërë problematikash me kosto shumë të rënda, si:

Detyrimet (borxhet) ndaj kompanive të biznesit për kontratat e lidhura, për kryerjen e shërbimeve të ofertuara, kryesisht të kryera dhe të papaguara. Nga informacionet e deritanishme (jozyrtare) vetëm për infrastrukturën rrugore nacionale janë rreth 37 miliardë lekë.

Pasoja: jo vetëm ndikim negativ në buxhet, por edhe falimentim apo kufizim të veprimtarisë së këtyre kompanive për shkak të mungesës së likuiditetit nga ana e tyre dhe mungesës së aftësisë paguese për pagesën e detyrimeve fiskale dhe kredive bankare.

Rimbursimi i prapambetur i TVSH-së, përllogaritur nga kërkesat e klientëve, por i pakonfirmuar nga organet tatimore, është rreth 20 miliardë lekë.

Kompensimi i të përndjekurve politikë. Të dhënat dëshmojnë se deri tani janë paguar: kësti i parë për dosjet e miratuara dhe gjysma e këstit të dytë me rreth 3 miliardë lekë. Fondi i buxhetit 2013 është paguar (konsumuar) tërësisht. Përfundimi i këstit të dytë kërkon edhe rreth 3 miliardë lekë. Kosto e plotë për dosjet e miratuara deri në fund të vitit 2012 është rreth 38.5 miliardë lekë.

Pasoja: Probleme sociale me këtë kategori sociale histori që duhet të marrë fund.

Kostot e legalizimeve lidhen me diferencën midis VKM-ve të miratuara për shpronësimin e pronarëve të vjetër dhe VKM-ve për shpërndarjen e të ardhurave nga legalizimet. Deri tani kjo diferencë mund të jetë rreth 5 miliardë lekë.

Kostot e shpronësimeve dhe kompensimit të pronarëve. Vendimet gjyqësore vetëm për çështjet lidhur me shpronësimet janë rreth 22 milionë euro. Kompensimi financiar i pronarëve është shumë i ulët rreth 300 m

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›