E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falimenti, Financat kundër Tatimeve

TIRANË- Publikimi i listës me 27 biznese VIP, për të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka kërkuar gjykatës fillimin e procedurave të falimentimit ka futur në "sherr" këtë të fundit me Ministrinë e Financave. Një ligj dhe një udhëzim që bie ndesh me të për mënyrën sesi parashikohen procedurat e shpalljes së falimentimit të një biznesi ka nxjerrë në pah arbitraritetin me të cilin përballet komuniteti i biznesit në vend.


Burime pranë këtij dikasteri bëjnë të ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përpiluar listën e bizneseve për të cilat ka kërkuar fillimin e procedurave të falimentimit duke mos e interpretuar siç duhet nenin 104 të ligjit "Për procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë".


"Ka një keqkuptim në mënyrën se si Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve ka interpretuar ligjin. Nuk ka se si të dërgohen në gjykatë duke kërkuar nga ajo fillimin e procedurave të falimentimit për kompani të cilat janë ende duke investuar",- shprehen burimet të cilët theksojnë se ky është edhe qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Financave në lidhje me këtë çështje.


Sipas Financave, veprimi i Tatimeve duke publikuar menjëherë listën me bizneset që janë me bilanc negativ është i nxituar pasi më parë duhet që të konsultohej me gjykatën e cila pas shqyrtimit rast pas rasti do të vendoste për këtë çështje. "Dikujt i ka interesuar që të publikohej kjo listë",- shprehen burimet.


Sipas shpjegimit të bërë dje nga drejtori i Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Erjon Prifti, përpilimi dhe publikimi i listës së subjekteve nga tatimet është bërë duke iu referuar nenit 104 të ligjit për "Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë" dhe Udhëzimit të Ministrit të Financave Ridvan Bode në lidhje me zbatimin e tij.


Në pikën "c" të nenit 104 të këtij ligji thuhet se dërgohen për fillim të procedurave të falimentimit bizneset të cilat për tre vite rresht deklarojnë rezultate me humbje të kapitaleve të tyre, ndërsa në pikën "c" të udhëzimit të ministrit të Financave thuhet se, dërgohen për fillimin e procedurave të falimentimit, kompani veprimtaria e të cilave ka rezultuar me humbje për te paktën tre vite te njëpasnjëshme.


Megjithëse është bërë duke u bazuar në ligj udhëzimi është në mospërputhje me ligjin, shpjegojnë ekspertë të fushës. Pasi, sipas tyre nëse do të merret për baze ligji, një kompani mund të quhet e falimentuar vetëm kur shuma e kapitalit të saj nuk shlyen detyrimet fiskale ndaj shtetit ose të tretëve.


Sipas tyre, duke analizuar veprimin e tatimeve në përpilimin e listës, është marrë për bazë vetëm udhëzimi i ministrit të Financave, i cili shpreh në mënyre taksative që çdo biznes qe del me bilanc negativ duhet të dërgohet në gjykatë dhe është anashkaluar ligji.


Ndërsa, sipas shpjegimit të bërë nga Ministria e Financave në lidhje me këtë çështje, ka mundësi që tatimet të kenë futur direkt të dhënat në sistem nga i cili automatikisht kanë dalë emrat e bizneseve që janë me bilanc negativ, por që realisht kanë një kapital të mjaftueshëm për të shlyer të gjitha detyrimet ndaj shtetit.


Kërkesa drejtuar gjykatës për fillimin e procedurave të falimentimit për 27 kompani, ka shkaktuar shqetësim në komunitetin e biznesit, të cilët hapin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e kanë konsideruar ekstrem dhe të nxituar dhe që krijon një klimë të papërshtatshme për ushtrimin e aktivitetit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›