E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, ja pikat e marrëveshjes Berisha-Meta

LSI merr zv/kryeministrin, 3 ministri, zv/kryetarin e Kuvendit dhe 20% të përfaqësimit në strukturat qeverisëse


TIRANË - I majti Ilir Meta do të jetë krahu i djathtë i Sali Berishës në qeverinë e ardhshme, në postin e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Takimi i djeshëm, i paralajmëruar në ambientet e kryesisë së Kuvendit, mes Berishës dhe Metës, ishte krejtësisht formal.


Ata firmosën publikisht marrëveshjen e arritur mes tyre përmes takimeve dhe negociatave informale, që aq shumë i kishin mohuar për mediat. Vetëm në pak minuta, Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga Ridvan Bode firmosi formalisht marrëveshjen.


Të njëjtën gjë, i ulur në krahun e djathtë të Berishës, bëri edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga Edmond Haxhinasto. Në qeverinë e re, Ilir Meta do të jetë krah Berishës, ndërsa për hir të qeverisë së pagëzuar si Qeveria e Integrimit Europian, ai do të drejtojë edhe Ministrinë e Jashtme. Ashtu siç e konfirmoi edhe vetë Meta, në postin e ministrit të Shëndetësisë, dikasterit të dytë që do të drejtojë LSI-ja, do të emërohet Petrit Vasili.


Pavarësisht se Shëndetësia është cilësuar prioritare në programin e PD-së, Kryeministri Sali Berisha, u shpreh se kishte besim të plotë tek puna e Petrit Vasilit, ashtu siç kishte deklaruar në fakt pak kohë më parë edhe për ministren në detyrë, Anila Godo.


Ndërsa dikasteri i tretë për LSI-në, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, do të drejtohet nga Dritan Prifti. Si rezultat i ndërrimit të drejtimit të dikastereve, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka siguruar dje se marrëveshja e arritur nuk do të cenojë statusin e nëpunësit civil.


"Morali ynë nuk është për të hequr njerëz nga puna, por për të hapur vende të reja pune",- tha ndër të tjera Meta. Në marrëveshje thuhet se PD-ja dhe LSI-ja bien dakord që përfaqësimi i LSI-së në qeverisje të jetë 20% e organeve të pushtetit dhe strukturave qeverisëse, duke respektuar ligjin "Për statusin e Nëpunësit Civil".


Ndërkohë, përfaqësimi i LSI-së në të gjitha nivelet e pushtetit, nivelet drejtuese dhe administrative, hallkave të tjera të pushtetit në nivel qendror dhe atij vendor, do të jetë në masën e 20%-shit. Po sipas marrëveshjes, LSI-ja do të marrë edhe postin e zv-Kryetarit të Kuvendit, që pritet të drejtohet nga deputeti i Beratit, Nasip Naco.


Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje pas firmosjes së marrëveshjes së qeveria e re do të jetë solide dhe afatgjatë, duke shkuar tej parashikimeve, teksa u shpreh se koalicioni me Metën do të vazhdojë edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2013-ës.


Marrëveshja e firmosur dje mes Berishës dhe Metës është konsideruar nga të dyja palët e suksesshme dhe eficente, pavarësisht se, siç u shprehën edhe ata vetë, jo për çdo gjë është rënë dakord. Një ndër kushtet e parealizuara të LSI-së është pikërisht kërkesa e saj para dhe pas zgjedhore për realizimin e referendumit për ndryshimet në Kushtetutë.


Edhe pse theksoi se kjo mbetet një sfidë afatgjatë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, la të kuptohet se një hap i tillë nuk do të ndërmerret, ndërkohë që ka marrë sigurinë e Kryeministrit vetëm për reformimin e Kodit Zgjedhor, me qëllim eliminimin e çdo diskriminimi që cenon barazinë e konkurrimit politik.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›