Falja fiskale, të interesuarit të painformuar
Qytetarët apo bizneset që duan të përfitojnë nga ligji i faljes, akoma nuk dinë se ku duhet të drejtohen për të plotësuar formularët. Edhe pse ka 10 ditë që ka filluar zbatimi i këtij ligji, burime konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thonë vetëm se, janë ngritur grupet e punës që do të verifikojnë formularët, si dhe po përgatitet lista e të gjithë tatimpaguesve, sipas kategorive që do të përfitojnë nga ky ligj. Por, edhe pse rreth dy muaj më parë ministri i Financave, Ridvan Bode, është shprehur se brenda një kohe shumë të shkurtër të gjitha udhëzimet që lidhen me zbatimin konkret të ligjit do të ishin gati, akoma nuk ka diçka konkrete. Jemi në fazën kur ky ligj duhet të kishte nisur zbatimin, dhe do të duhej të pyesnim sa është numri i aplikantëve, akoma bizneset dhe qytetarët po presin mënyrën se si do t’i bëjnë realitet përfitimet që ata do të kenë nga ligji i faljes dhe i legalizimit. Në bazë të këtij ligji, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët që do të deklarojnë të ardhurat e tyre, pasuritë e tyre si dhe do të përfitojnë nga falja e të gjitha detyrimeve të papaguara, si lokale ashtu dhe nacionale. Gjithashtu, do të jenë përfitues bizneset e vegjël dhe të mëdhenj, të cilëve do t’u falen detyrimet si dhe do të kenë mundësi të legalizojnë asetet e tyre. Por ngelet akoma e pa sqaruar se si do të funksionojë administrimi i procesit nga ana e institucioneve fiskale dhe bankare në vend. Zbatimi i këtij ligji pritet t’i japë ekonomisë shqiptare një impuls zhvillimi, si dhe të fusë në qarkullim miliona euro. Ministria e Financave i ka bërë publike procedurat se si do të veprojnë kategoritë përkatëse, për të përfituar nga ligji i faljes fiskale, i cili ka hyrë në fuqi dhe do të jetë aktiv deri në përfundimin e procesit më 31 dhjetor 2012. Të gjithë individët, persona fizikë apo juridikë, shoqëri tregtare që parashikohen në ligj, do të legalizojnë kapital apo rivlerësojnë pajisje, makineri dhe objekte, do të përfitojnë nga falja tatimore, doganore, apo do të hipotekojnë apartamentet, sipas udhëzimeve të publikuara në Fletoren Zyrtare, do t’i nënshtrohen fillimisht plotësimit të formularit. Duke iu referuar udhëzimit në fjalë, individi, personi fizik tregtar apo përfaqësuesi i tij që ka për të legalizuar kapital, plotëson në dy kopje formularin e aplikimit sipas shtojcës nr.1 bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij udhëzimi, për depozitim shumash në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. Formulari i aplikimit me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, vihet në dispozicion të aplikuesit nga të gjitha bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë. Aplikuesi do t’i paraqesë punonjësit të bankës dokumentin e identifikimit së bashku me formularin të aplikimit të plotësuar, duke i bashkëlidhur edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit