E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqet afati për regjistrimin në QKR, tatimorët në aksion ndaj biznesit

Hiqet afati prej 15 ditësh për regjistrimin e bizneseve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të biznesit. Në një njoftim zyrtar për mediat Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bën me dije të gjithë tatimpaguesit se, ndryshimet e fundit të Ligjit 9920 datë 28.05.2008 “Për procedurat Tatimore në R.SH”, e kanë hequr afatin prej 15 ditësh për tu regjistruar në Q.K.R në rast të mosregjistrimit të aktivitetit të tyre. Kështu me këto ndryshime, në rast se tatimpaguesit gjenden të paregjistruar administrata tatimore menjëherë konfiskon mallrat që gjenden në zotërim të tatimpaguesit. “Gjithashtu të gjithë tatimpaguesit që zhvillojnë aktivitet turistik, sidomos në brezin bregdetar, nga Shkodra në Sarandë, se do të jenë nën monitorimin e vazhdueshëm të administratës tatimore, për mospërsëritjen e fenomeneve të gabuara të mosdeklarimit të punonjësve, të mosinstalimit të pajisjeve fiskale, të moslëshimit të kuponave tatimore”, njoftojnë burimet zyrtare të tatimeve. Tatimorët rikujtojnë gjithashtu se, penalitetet për moslëshim kuponi fiskal fillojnë në masën 100 000 lekë të reja për tatimpaguesit e biznesit të vogël dhe 200 000 për tatimpaguesit e regjistruar në TVSH, për çdo kupon të palëshuar. Tatimorët gjatë periudhës 1 -10 qershor 2011 kanë treguar një performancë pozitive, duke realizuar mbikëqyrjen dhe monitorimin e vazhdueshëm të tregjeve, akseve rrugore si dhe kontrollin e lëvizjes së mallrave në transport, kontrollin e mallrave të akcizës, përdorimin e pajisjeve fiskale regjistrimin e tatimpaguesve, etj. Për këtë, gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar kontrolle në shume subjekte, në 279 raste prej të cilave, gjatë kontrollit janë konstatuar mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, të cilat janë konfiskuar, njoftojnë burimet në tatime. Sasitë e mallrave të konfiskuara janë 11 automate lojëra fati, materiale “llotari sportive, një sasi e konsiderueshme pije freskuese dhe alkoolike, kafe, cigare, si dhe shumë sasi artikujsh të tjerë ushqimore, detergjentë, elektrike, konfeksione, elektroshtëpiake, kancelarie etj. Ndërsa për subjektet, kryesisht pika të shitjes së karburanteve të cilat nuk e kanë plotësuar akoma detyrimin e tyre ligjor për të instaluar pajisje fiskale janë vendosur 169 penalitete me vlerë totale 16.100.000 lekë, si dhe 130 penalitete me vlerë totale 12.830.000 lekë, për ato raste kur është konstatuar moslëshim i kuponit fiskal për pagesa të kryera me para në dorë. Bilanci i kontrolleve të tatimeve bën me dije se, vetëm për mos lëshim kuponi tatimor, një bar restorant në qytetin e Durrësit është gjobitur në masën 4.500.000 lekë për mos lëshim kuponi tatimor. “Gjithashtu janë lëshuar 14 urdhra për pezullim aktiviteti dhe 4 urdhra për bllokim aktiviteti për subjekte me “Tregti Karburanti”, njoftojnë tatimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›