E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faljet, opozita voton kundër dhe mbron Presidentin

Kalon drafti me shumicë. PS: Po shkelen kompetencat e kreut të shtetit

Miratohet me 14 vota pro dhe 5 kundër projektligji “për faljen” në Komisionin e Ligjeve. Mazhoranca ka miratuar e vetme pa votat e opozitës mes replikave dhe debatit projektligjin që i jep të drejtën ministrit të Drejtësisë t`i japë dosjet për faljen e të burgosurve Presidentit të Republikës dhe ky i fundit të vendosë më pas brenda 30 ditësh për faljen ose jo të tyre. Opozita ka refuzuar të japë votën pro dhe për këtë arsye pesë anëtarët e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve, Pandeli Majko, Sajmir Tahiri, Vasilika Hysi, Dashamir Peza dhe Bashkim Fino kanë votuar kundër. Socialistët e argumentuan votën kundër shumicës së neneve të ligjit të ri për amnistinë, si tentativë për të ruajtur kompetencat e Presidentit. Këto të fundit cenohen sipas tyre nga ministri i Drejtësisë. Socialistët e interpretojnë këtë tentativë nga ana e ekzekutivit si një ndërhyrje influente të ekzekutivit drejt presidencës, ndërsa demokratët pretendojnë të kundërtën.

“Ministri i Drejtësisë qenka dhe posta e Presidentit të Republikës, qenka dhe mendja e Presidentit të Republikës, qenka dhe stilolapsi për të hedhur firmën e Presidentit të Republikës. Kjo është e patolerueshme, është antikushtetuese. Në rast se doni ta miratoni këtë ligj me dhunën e kartonëve dhe të shtoni katalogun e ligjeve antikushtetuese, bëjeni. Po në këtë rast ju e dini që ne nuk jemi dakord", tha deputeti i PS, Saimir Tahiri. E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjja e kreut të komisionit, Ilir Rusmali, i cili theksoi se “ju e dini që eventualisht po të shkojë çështja në Gjykatën Kushtetuese, do mblidhni gjykatën në dhomë këshillimi dhe do të kumtoni vendimin e tyre. As njëra dhe as tjetra nuk mund të jenë të vërteta në një shtet ligjor. Dhe sa kohë që nuk janë të vërteta as njëra dhe as tjetra, deklarimi juaj që ligji është antikushtetues është nonsens”. Një tjetër shqetësim i socialistëve ishte dhe mundësia e abuzimit politik me amnistinë. "Në Shqipëri është dekretuar falje me 360 e ca persona. Pra, Presidenti i Republikës ka falur një person në ditë gati. Nuk dënohet në Shqipëri për vepër penale një person në ditë. T’i vëmë kufi pazarit politik apo financiar që mund të bëhet me dekretimin e faljes", shtoi Tahiri. “Që të bësh një deklaratë publike dhe të ashpër madje, nga një politikan i sferës së lartë të PS, që thua korrupsion politik, korrupsion financiar, për faljet për gjatë këtyre 20 viteve, kjo është një mungesë morali dhe një mungesë profesionalizmi politik”, iu kundërvu deputeti i PD-së, Dashnor Sula. Projektligji u miratua në tërësi dhe kaloi për votim në seancë plenare. Listën përfundimtare për amnisti e jep ministri i Drejtësisë, ndërsa Presidenti ka të drejtë ta miratojë ose jo atë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›