E Shtunë, 31 Tetor 2026

MTKRS, një institucion vetëm për të rinjtë

Dje në Teatrin Kombëtar është shpallur i hapur konkursi për regjisorët e rinj. Fondi i vënë në dispozicion është rreth 4 milionë të reja për 4 platforma regjisoriale që do të zgjidhen nga një juri profesionistësh. Fituesit do të bëhen pjesë e organikës së Teatrit Kombëtar për një vit. Por pavarësisht kësaj, artistët e rinj ngrenë zërin për më shumë stimulim. Sipas tyre, mungojnë hapësirat që të përsosen profesionalisht

Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe të Teatrit Kombëtar kanë dalë dje në një konferencë shtypi për të lajmëruar hapjen e edicionit të gjashtë të konkursit për regjisorët e rinj. Herida Duro, shefe e sektorit të promovimit të artit pranë MTKR-së ka bërë të ditur se fondi në dispozicion është rreth 4 milionë lekë të reja (saktësisht 3935000 lekë), ndërsa juria do të zgjedhë deri në 4 platforma regjisoriale që do të përfitojnë nga ky fond. Krahasuar me një vit më parë, fondi është ulur (5 milionë e 500 mijë) e po ashtu numri i shfaqjeve që të rinjtë do të vënë në skenë shkon nga gjashtë në katër. Shuma që do të shkojë për secilën nga platformat regjisoriale do të varet nga cilësia. Ashtu si dhe më parë, në muajin shtator pranë Teatrit Kombëtar me këto shfaqje do të organizohet Festivali i të Rinjve. I vetmi ndryshim qëndron në faktin se çmimet e para që do të japë juria në përfundim të aktivitetit nuk do të shoqërohen me një shumë të caktuar lekësh. Herida Duro shpjegon se tetë fituesit (numri maksimal që mund të përzgjidhet) për një vit, do të bëhen pjesë e organikës së Teatrit Kombëtar, duke përfituar një rrogë mujore. Ndërkohë që sipas saj, MTKRS parashikon ngritjen së shpejti të institucionit të të rinjve, një strukturë e re në varësi të ministrisë, që mendohet të ketë një fond të posaçëm e që do t’i stimulojë të rinjtë. Por ndonëse Festivalin e të Rinjve e shohin si mënyrën e vetme të promovimit, regjisorët e rinj mbeten ende të pakënaqur nga hapësirat që u krijohen. Për pjesën më të madhe të tyre angazhimet mbeten sporadike, ndërsa detyrohen të kërkojnë punë të tjera për të mbijetuar. Duro shpjegon procedurën se si do të funksionojë edicioni i gjashtë i konkursit.

Sapo është shpallur konkursi për regjisorët e rinj. Sa është fondi i vënë në dispozicion për këtë vit?

Fondi i vënë në dispozicion është rreth 40 milionë lekë të vjetra dhe konkursi është konceptuar në dy faza. Në fazën e parë veprat e përzgjedhura për platformën regjisoriale do të jenë rreth, të cilat do të shihen me shumë kujdes për sa u përket kritereve profesionale nga juria e parë vlerësuese. Pas inskenimit të projekteve fituese, një juri e dytë do të vlerësojë gjatë Festivalit të të Rinjve komponentët më të rëndësishëm që përbëjnë veprën: dy aktorët më të mirë, dy aktorët më të mirë joprotagonistë, dy regjisorë dhe dy skenografë. Ky është numri maksimal i fituesve por juria ka të drejtë të mos japë ndonjë nga këto çmime nëse konstaton se nuk vlera artistike të konsiderueshme. Për transparencë ne kemi ngritur dy juri, me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, nga fusha e teatrit dhe nga Teatri Kombëtar, pa përfshirë drejtorin. Kemi zgjedhur një juri gjithëpërfshirëse për të shmangur paragjykimet apo preferencat e gjithsecilit. Në fazën e dytë, fituesit e shpallur nga Festivali i të Rinjve nuk do të marrin si më parë një shumë monetare (për shembull 1 milion lekë të vjetra), por do të marrin një shpërblim që ata vetë të kenë mundësi të ngrenë një vepër tjetër artistike. Nga shtatori 2010 e deri në dhjetor të 2011-s këta fitues do të bëhen pjesë e organikës së Teatrit Kombëtar. Do të punojnë dhe do t’i përgjigjen çdo lloj angazhimi të institucionit.

çdo të ndodhë me këta fitues pas një viti? Do të vazhdojnë të mbeten pjesë e organikës së teatrit?

Jo, angazhimi i tyre është parashikuar në kuadrin e një viti. Më tej këta të rinj nuk do të jenë pjesë e kësaj organike, por sigurisht që duke marrë parasysh aftësitë profesionale që do të shpërfaqin gjatë kësaj kohe, do të jenë të privilegjuarit për t’u marrë në konsideratë për çdo vend të lirë që mund të hapet në Teatrin Kombëtar. Po ashtu, këta fitues do të stimulohen edhe për projekte të ardhshme.

A ka kritere të ndryshuara për mënyrën se si regjisorët e rinj duhet të konkurrojnë?

Janë po ato kritere të përgjithshme që janë caktuar më herët. Ju është lënë hapësirë e madhe studentëve apo të sapodiplomuarve në fushën e regjisurës. Kriteri për pjesëmarrje është mosha maksimale deri në 35 vjeç, përveç rasteve kur ndonjë dramë e caktuar kërkon një personazh që është e pamundur të interpretohet nga të rinjtë.

Ky konkurs, dhe si rrjedhojë e tij Festivali i të Rinjve, janë aktivitete që tashmë janë kthyer në të përvitshme. A ka ndërmarrë ministria ndonjë studim për të parë qoftë rezultatet apo ndonjë formulë organizimi që mund të jetë më efikase?

Ne po shkojmë drejt një studimi. Duam të ngremë shumë shpejt institucionin e të rinjve, në mënyrë që të gjithë këta artistë që janë fitues të kompeticioneve të tilla të hapura të vetëmenaxhohen. Kjo do të thotë që të kenë një fond të tyre që të shprehen në fusha dhe gjini të ndryshe të artit.

Bëhet fjalë për një strukturë brenda Qendrës së Artit?

Qendra e Artit është diçka tjetër. Ky institucion i të rinjve parashikohet të jetë në varësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por ende jemi në studim. Nëse Teatri i Operës po shkon drejt një akademizmi, ku përveç punësimit njëvjeçar të rinjtë kanë mundësi të marrin në vazhdim mësime, për të rinjtë e gjinive të tjera po kërkojmë një formulë ndryshe. Por më parë duhet të kalojmë të gjitha hapat e domosdoshme për të marrë më të mirën e çdo lloj periudhe sipas kërkesave të tregut dhe eksperiencave të huaja.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›