E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikim dokumentesh noteriale, prokuroria çon në gjyq noteren në Fier

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasen A.H, me profesion notere, e akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se në përfundim të hetimeve, rezultoi se gjatë periudhës 2011-2020, e pandehura, në cilësinë e noteres, ka kryer veprime të përsëritura të falsifikimit të dokumenteve noteriale.

Sipas njoftimit, dyshohet se noterja A. H ka hartuar dhe lëshuar akte noteriale duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, pa qenë këta të fundit autorë të akteve përkatëse. Në raste të tjera, dyshohet se ka hartuar akte noteriale pa praninë e palëve, ndonëse prania e tyre kërkohej për kryerjen e veprimeve përkatëse.

Prokuroria Fier shton se noterja A.H gjatë viteve 2011-2018 ka hartuar kontrata për shitjen e automjeteve, të cilat nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës noterialë të noterëve në emër të të cilëve janë lëshuar. Sipas provave të administruara, në një numër të konsiderueshëm rastesh është përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa aktet përkatëse dyshohet se janë hartuar në Fier nga e pandehura.

Njëkohësisht ndaj së njëjtës notere janë përfunduar hetimet dhe ajo është marrë e pandehur për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›