Familja Berisha fiton gjyqin ndaj Sajmir Tahirit, gjobitet për shpifje
Tiranë- Gjykata e Tiranës e ka gjetur fajtor deputetin e Partisë Socialiste Sajmir Tahiri i cili u gjobit sot për shpifje dhe fyerje kundrejt fëmijëve të kryeministrit shqiptar, Argita Malltezit dhe Shkëlzen Berishës.
Togat blu kanë dënuar me gjobë 2.5 ml lekë deputetin Tahiri nga 8 milionë lekë që kishin kërkuar fëmijët e zotit Berisha në padinë e tyre.
Në seancën e shkuar deputeti Tahiri tha se gjithçka varet nga gjykatësi i cili do të vendosë të jetë pjesë e interesave politike apo pjesë e ligjit.
Tashmë vendim është në dorë të gjykatës. Është në dorë të gjyqtarit nëse do të vendosë ti nënshtrohet pushtetit politik, duke u skllavëruar përpara interesave politike, duke u rreshtuar njëkohësisht me fëmijët e kryeministrit dhe kryeministrit. Apo do i besojë lirisë, drejtësisë, ligjit dhe frymës së Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, për ti dhënë zë të drejtës apo interesave të pushtetit. Është në dorën e gjyqtarit të zgjedhë të jetë në anën e së drejtës, apo të jetë në anën e atyre që sot përkohësisht kanë pushtetin politik në dorë- deklaroi Tahiri.
Ai është paditur në Gjykatë nga fëmijët e kryeministrit për shpifje, pasi në një deklaratë për mediat ai ka akuzuar ata për korrupsion. Ndërsa vetë familja Berisha ka kërkuar që ai ti dëmshpërblejë ata me nga 4 milionë lekë secilit.
Pka ditë më parë kreu i grupit kuvendor të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi i ka cilësuar si të motivuara politikisht dhe si procese mjaft serioze që cënojnë demokracinë, shtetin ligjor dhe pavarësinë e gjykatave gjyqet që kohet e fundit po hapen ndaj deputetëve të saj.
/IDEA/