E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e Julianit: Do e kërkojmë derisa të gjejmë edhe një shenjë

TIRANE - Do e kërkojmë Julin derisa të gjejmë edhe një shenjë nga trupi i tij". Kjo është e vetmja fjali që arrijnë të thonë të afërmit e 11-vjeçarit Julian Çela, i zhdukur prej disa muajsh. Të lodhur dhe tepër të shqetësuar, familjarët e vogëlushit nuk e kanë shumë të lehtë që të flasin pas momentit që Juliani nuk është kthyer më në shtëpinë e tij.

Familjarët e 11-vjeçarit vazhdojnë kërkimet që prej natës së 30 nëntorit, nata kur Juliani humbi kontaktet me familjen e tij, dhe që prej asaj dite kërkimet e tyre janë shtrirë në çdo rrugicë, jo vetëm të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë. Por edhe pas një kërkimi intensiv nga familjarët, por edhe nga forcat e policisë, ende nuk ka asnjë shenjë nga Julian Çela.

Por sërish familjarët e tij nuk reshtin së kërkuari. Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, të afërmit e 11-vjeçarit pohojnë vetëm që kërkimet e tyre nuk do reshtin derisa të arrijnë të gjejnë të paktën edhe një kockë të tij. Vetëm pak muaj më parë, i arrestuari për rrëmbimin e fëmijëve, 45-vjeçari Ardian Prrenjasi, gjatë deklaratës së tij në polici është shprehur se ka qenë ai që ka pasur gisht në rrëmbimin dhe zhdukjen e vogëlushit Çela. 'Monstra' i Laprakës, ka pohuar se e ka vrarë djalin e kreut të Antiterrorit të SHISH, dhe më pas trupin e tij e ka hedhur në landfillin e Sharrës. Pas këtyre deklaratave nisën kërkimet për trupin e 11-vjeçarit, por deri tani pa asnjë rezultat. Edhe pas këtyre deklaratave, familjarët e Julianit duket se nuk e kanë humbur shpresën dhe vijojnë kërkimet.

Madje, thellë-thellë ata nuk e pranojnë faktin se 11-vjeçari nuk jeton më dhe shpresojnë që Juliani është gjallë dhe që është trafikuar. Kjo është edhe një ndër pistat kryesore në të cilat po heton policia në lidhje me zhdukjen e Julian Çelës. 25 maji njihet në mbarë botën si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Humbur. Përcaktimi i kësaj dite mori shkak nga historia e fëmijës 6-vjeçar, Etan Patz, që u zhduk nga shtëpia e tij në Nju Jork në 25 maj të vitit 1979. Etan Patz, raportohet së është zhdukur në rrugën që ndiqte autobusi i tij nga shtëpia për në shkollë. Data e zhdukjes së Etanit ishte caktuar si "Dita e fëmijëve të humbur".

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›