E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e Muamar Gedafit ikën në Tunizi, janë në hotel luksoz

Djali i parë i kolonelit libian, Mohamad Muamar Gedafi, ndodhet në Tunizi prej së dielës, në ishullin Djerba. Kështu ka shkruar e përditshmja pan-arabe Al-Quds Al-Arabi, duke specifikuar se ai është vendosur në një hotel luksi, ku po i nënshtrohet kurave mjekësore të paspecifikuara. Bashkë me të janë edhe gruaja e dytë e Gedafit, Safia Farkash dhe e bija Aisha. Pak ditë më parë, agjencia tuniziane e shtypit, Tap, kishte referuar se personalitetet e larta libiane kishin mbërritur në Djerba, duke kaluar pikën kufitare në Ras Jedir, mes Libisë e Tunizisë. Mes tyre, edhe Abdullah Mohamud al-Hujazi, ish-këshilltar i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i shoqëruar nga katër nëpunës. Djali i gruas së parë të liderit libian, 41-vjeçari Mohamad Muamar, është president i Komitetit Olimpik Libian dhe i Organizatës së Përgjithshme të Post-Telekomunikacionit. Sipas informacioneve të publikuara nga WikiLeaks, ai ka pasur mosmarrëveshje me vëllezërit Mutasim dhe Saadi për kontrollin e agjencisë që prodhon Koka-Kola në Libi. Ndërkohë, qeveria e rebelëve në Libi ka kërkuar të përfaqësojë vendin në takimin e ardhshëm të OPEC-ut, më 8 qershor në Vjenë.
Në Misrata, qyteti i vetëm perëndimor në duart e rebelëve, po kryhen funerale islamike për ushtarët e vrarë të forcave të Gedafit nga vetë rebelët. Ata janë mbledhur me plastmasë trupash dhe më pas janë kryer lutjet. Që nga e premtja e kaluar, rebelët kanë varrosur 358 ushtarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›