E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA vendos sanksione ndaj Sirisë

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, dhe gjashtë zyrtarëve të lartë të këtij vendi, të cilët “akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut”.

Njoftimi vjen një ditë para se presidenti Barak Obama t`i adresohet popullit në lidhje me kryengritjet në botën arabe.

Në dokumentin e lëshuar nga Departamenti i Shtetit thuhet se Obama ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv “për të rritur presionin mbi qeverinë siriane, që t`i japë fund përdorimit të dhunës dhe të nisë tranzicionin në një sistem demokratik, i cili siguron të drejta universale për popullin e Sirisë”.

Përveç Asadit, sanksionet godasin nënpresidentin Faruk al-Shara, kryeministrin Adel Safar, ministrin e Brendshëm, Muhamed Ibrahim al-Shar, ministrin e Mbrojtjes, Ali Habib Mahumud, shefin e Inteligjencës ushtarake, Abdul Fatah Kudsia, dhe udhëheqësin e politikave të sigurisë, Muahmed Dib Zaitoun.

Sanksionet bllokojnë çdo pronë të shtatë personave në fjalë në Shtetet e Bashkuara.

Aktivistët thonë se të paktën 800 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë, gjatë nëntë javëve protesta në Siri.

Asad citohet të ketë thënë se ushtria ka bërë “gabime” në trajtimin e revoltës, por megjithatë “kriza tani është afër fundit të saj”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›