Familja e Osama Bin Ladenit do të dëbohet nga Pakistani

Familja e Osama Bin Ladenit pritet të dëbohet nga Pakistani të mërkurën në mëngjes, kanë njoftuar avokati i familjes dhe një zyrtar i inteligjencës, 11 muaj pas vrasjes së udhëheqësit të Al Qaidës, pas një aksioni të forcave amerikane.
Tri të vejat dhe fëmijët e Bin Ladenit u arrestuan nga autoritetet pakistaneze, pas vrasjes së Bin Ladenit në qytetin Abbottabad, në maj të vitit të kaluar.
Para dy javësh, një gjykatë dënoi të vejat dhe dy vajzat më të vjetra të Bin Ladenit me nga 45 ditë burg, nën akuzat për hyrje ilegale në Pakistan dhe dha urdhër për dëbimin sa më të shpejtë të tyre nga vendi.
“Pas ditës së martë, familja mund të dëbohet në çdo moment”, deklaroi avokati Muhammad Amir.
Amir theksoi se familja 12 anëtarëshe fillimisht me gjasë do të shkojë në Arabinë Saudite.
Ai më tutje tha se gruaja më e re e Bin Ladenit, Amal Abdulfattah, e cila është shtetase e Jemenit, më pas do të mund të dërgohet në Jemen, së bashku me pesë fëmijët e saj.