E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e Nazime Vishës: Ishte betuar, ose do ta vras, ose do vras veten. Avokatja: Krimi mund të ishte parandaluar

Nazime Visha, 18 vjeçarja qe mesnatën e së hënës vrau 45- vjeçarin Fiqiri Muça, ishte e vendosur që të shpëtonte nga persekutimet dhe dhuna që ai ushtronte mbi të prej 4 vitesh, shprehen familjarët e 18-vjeçares.

Në familjen e gjyshërve, atje ku ndodhi edhe krimi, familjarët thonë se vajza ishte betuar, ose do ta vras, ose do vras veten. Gjyshi 71 vjeçar, Dalip Visha, tregon për Ora News se mbesa gjatë kohës që qëndroi në Krrabë, fshihte një dhimbje të madhe, e cila sipas tij mori fund pas krimit.

Ndërkohë, pas publikimit në gazetat e ditës të mesazheve që vajza shkëmbente me viktimën, ngrihen dyshime për raportin e tyre të vërtetë.

Duke iu referuar mesazheve në celularin e Nazime Vishës, duket se 18 vjeçarja dhe viktima kishin një lidhje dashurie, që ashtu si çdo lidhje tjetër kishte ulje-ngritjet e saj.

Por, sipas xhaxhait të vajzës, edhe mesazhet shkruheshin nën kërcënimet e vazhdueshme të 45 vjeçarit. Behar Visha tregon se viktima kishte bërë të pamundurën për të prishur fejesën e 18 vjeçares, duke kërcënuar me jetë edhe të fejuarin e saj.

Për më tepër, sipas xhaxhait, kërcënimet për familjen Visha vijojnë edhe tani pas vrasjes së Fiqiri Muçës, pasi të afërmit e tij janë betuar të marrin hak. 18 vjeçarja Nazime Visha pritet që ditën e enjte të dalë para gjykatës për komunikimin e masës së sigurisë.

Ndërkohë avokatja e caktuar nga shteti për të mbrojtur adoleshenten thotë se nëse Prokuroria dhe Policia do të kishin hetuar siç duhet rastin e ikjes se Nazime Vishës, në atë kohë ende pa mbushur 18 vjeç, atëherë do të ishte parandaluar një vrasje dhe do të ishte zbuluar një skandal pedofilie.

Avokatja Vjollca Pustina deklaron për TCH se Nazime Visha është abuzuar seksualisht që pa hyrë në klasën e tetë ose thënë ndryshe ende pa mbushur 14 vjeç.

Vajza ka deklaruar se kur ka qëndruar me viktimën në një pyll të Bulqizës është dhunuar sistematikisht 11 ditë. Mendoj se ka pasur vend për të bërë hetime dhe për të zbuluar më mirë këtë të vërtetë. Nëse do të kishin qenë hetime më të thella dhe më këmbëngulëse nga policia ndoshta kjo ngjarje do të ishte parandaluar dhe ndoshta do të ishte zbuluar edhe një skandal pedofilie. Fakti i tregon që një burrë në atë moshë të abuzojë me një fëmijë që ende nuk i kishte mbushur 14 vjeç, Kodi Penal i dënon marrëdhëniet seksuale me të mitura, tha Pustina.

Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se vajza e ka qëlluar Fiqiri Muçën, 45 vjeç, baba i pesë fëmijëve, pesë herë, ndërsa gjatë ndjekjes së tij deri sa e ka vrare ajo ka zbrazur plot 29 plumba kallashnikovi.

E përditshmja Panorama publikoi të mërkurën një sërë mesazhesh telefonike që vajza i dërgonte viktimës dhe që tregonin për një lidhje të vullnetshme mes tyre. Megjithatë avokatja këmbëngul se ajo është viktime e abuzimit.

Sipas saj, afeksionimi pas dhunuesit është një sindromë, që njihet botërisht nga psikologët si sindroma e Stokholmit. Megjithatë ajo sugjeron që më shumë se me mesazhet, hetimet duhet të merren me faktin se perse nuk është hetuar rasti i denoncuar nga vajza si rrëmbim.

Realisht mesazhet kanë dalë të dërguar nga një numër telefoni me numrat e fundit 668. Unë kam kontaktuar me familjarët dhe ata thonë që vajza nuk ka pasur celular. Së fundmi mësohet se viktima kishte pasur dy telefona dhe i kishte dhënë edhe një telefon vajzës për përdorim. Janë shkuar nga ajo, janë shkruar nën kërcënimin e vazhdueshëm të viktimës, kjo mbetet për t’u parë. Viktima e kishte kërcënuar me vrasje vajzën, me vrasje të familjarëve të saj. Nuk duhet të harrojmë edhe kushtet në të cilat jetonin, nivelit arsimor, kulturor, vendin ku ata jetojnë, thotë avokatja.

Avokatja thotë se ka prova që viktima ka shkuar dhe e ka marrë me dhunë edhe në shkollë të miturën, duke hedhur poshtë një lidhje normale mes një vajze dhe një burri, por një viktime dhe një dhunuesi. Pas ikjes apo rrëmbimit nga Fiqiri Muça, Nazime Visha nuk u kthye në banesë dhe nuk u pranua me nga prindërit e saj në fshatin Malvilëz të Tiranës, familje që jeton ne kushte të mjerimit.

Nëna e Nazimes pas krimit deklaroi se viktimën e kishin mik shtëpie pasi prej nëntë vitesh atij i kishin hapur dyert, ndërsa për të forcuar miqësinë kanë martuar një nga vajzat me vëllanë e viktimës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›