Familjarët e të pagjeturve, probleme me komunat për pensionet

Aplikimi i familjeve të të pagjeturve për pensione dhe benificione tjera, po has në probleme nëpër komuna të ndryshme. Ministria e Mirëqenies Sociale, që në muajin janar ka nxjerr vendimin, sipas të cilit, të gjitha familjet e personave të pagjetur kanë të drejtë të aplikojnë për pensione dhe benificione të tjera që i’u takojnë kategorive të luftës. Mirëpo, probleme vërehen nëpër komuna ku zyrtarët komunal nuk janë të informuar për këtë çështje.
Në takimin e fundit të Komisionit qeveritarë për persona të zhdukur u diskuta vendimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqeniës sociale rreth mundësisë së aplikimit të familjeve të personave të pagjetur me qëllim të realizimit të së drejtës për pension, shkruan Rtk.
Fadil Rracaj përfaqësues i Ministrisë së Mirëqenies Sociale sqaroi se me propozim të zyrës së kryeministrit në vitin 2011 dhe vendim të Ministrisë është bërë një ndalesë e përkohshme për aplikime për pensione për të gjitha kategoritë e luftës, por ai tha se Ministri me një vendim tjeter në janar të këtij viti i’u mundëson vetëm familjarëve të personave të pagjetur që të aplikojnë për pensione dhe benificione.
”Sipas këtij vendimi nga data 21 janar të këtij viti të gjitha familjet e personave të zhdukur e kanë të drejtën për të aplikuar për pensione dhe benificione të përcaktuar me ligjin për kategorit e luftës”, thotë Rracaj.
Mirëpo, problemi kryesor është tek aplikimi. Katër familje nga komuna e Klinës, të cilat kanë më shumë se një të pagjetur janë refuzuar nga zyrtarë komunalë me arsyetimin se atyre nuk i’u takon e drejta e pensionit.
Atifete Bytyqi kryetare e shoqatës “Familja dhe Shpresa”, njëherit edhe anëtare e Komisionit qeveritarë për persona të pagjetur tha për Radio Kosovën se në komunën e Klinës këtyre familjeve i’u është thënë se nëse ata gëzojnë pensione si viktima civile, atëherë nuk i’u takon e drejta për pension për të pagjetur.
”Në komunën e Klinës kanë hasur në problem katër familje që kanë më shumë se një anëtar të zhdukur. Atyre i’u është thënë se nëse ata marrin pension si viktima civile nuk i’u takon pensioni për të zhdukur”, tregon Bytyqi.
Labinot Rexhepaj nga Komuna e Klinës thotë për Radio Kosovën se në Ministri nuk ia kanë pranuar aplikacionin duke i thënë se atij i është identifikuar njëri anëtar i familjes. Labinoti i ka edhe dy vëllezër të tjerë të pagjetur: Bashikmin dhe Feridin.
”Kur kam dëgju për këtë vendim që ka marë ministria me tha se nuk ke drejt sepse t’i gëzon një pension për një të zhdukur, i cili është identifiku dhe quhet tani viktim civile, kurse për dy të zhdukur nuk të takon”, thotë Rexhepaj.
Ndërkaq, Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Prenkë Gjetaj kërkoi që të trajtohen njëjtë si ata persona të identifikuar, sikurse edhe ata që janë të zhdukur dhe familjet e tyre të kenë të drejt aplikimi .
”Në këtë vendim, familje të personave të zhdukur nëse i kanë gjetur nuk është më i zhdukur, nuk kontestohet ajo që ai është viktim. Sikur të mos ishte viktim s’do të ishte gjetur edhe nuk do t’i lëshohej nga mjekësia ligjore raporti që është identifikuar”, thotë Gjetaj.
Ndërkaq, sa i përket ligjit aktual për kategoritë e luftës, në një dispozit thuhet se familjet e të zhdukurve i gëzojnë të drejtat sikurse viktimat civile. Kjo do të thotë se edhe në qoftë se një familje ka më shumë se një të pagjetur ajo do t’i gëzojë të drejtat për secilin anëtarë të pagjetur. Ndërkohë, mos informimi me kohë i zyrtarëve komunal për vendimin në fjalë ka ndikuar që edhe familjarët të ballafaqohen me probleme, siç është të refuzimi./Indeksonline/