E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e viktimave të 21 Janarit humbasin shpresën me drejtësinë tonë, i drejtohen Strasburgut

Viktimat e 21 janarit

Familjarët e viktimave të 21 Janarit, pasi janë refuzuar disa herë nga drejtësia shqiptare, i janë drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Në datën 5 dhjetor 2012 qendra Res Publica, pasi formuloi kërkesat për Ana Veizi, Klajdi Veizi, Çaush Veizi dhe Zabit Deda i postoi ato për në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut me seli ne Strasburg.

Ana dhe Klajdi Veizi, pasi kërkuan dhe iu refuzua nga gjykata e Tiranës të ishin pjesë e procesit për 21 janarin 2011, ngjarje në të cilën humbi jetën babai i tyre, ata iu drejtuan gjykatës në Strasburg për shkelje të anës procedurale të nenit 2 të KEDNJ. Ana dhe Klajdi Veizi dorëzuan në gjykatën e Tiranës kërkesën në kohën e duhur, duke paguar dhe një pjesë të taksës së padisë. Pamundësia e tyre për paguar të gjithë vlerën që do të korrespondonte 3% të vlerës së padisë, i mjaftoi seksionit penal të gjykatës së Tiranës që tu mohonte minorenëve eksesin në drejtësi.

Çaush Veizi dhe Zabit Deda iu drejtuan me kërkesën e mësipërme Gjykatës të të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg, për shkak se respektivisht të dy personave iu mohua e drejta për akses në dosjen e të njëjtës çështje. Pas dy kërkesash drejtuar Prokurorisë, Çaush Veizi dhe Zabit Deda me asistencën e Res Publica ju drejtuan gjykatës. Pas 9 seancash gjyqësore në të cilat prokuroria mungoi qëllimisht duke injoruar thirrjet e njëpasnjëshme të gjyqtares Regleta Panajoti, çështja u pushua për shkak se ndërkohë paralelisht filloi çështja e njohur si 21 janari në gjykatën e Rrethit Tiranë.

Ana Veizi, Klajdi Veizi, Çaush Veizi dhe Zabit Deda janë në pritje të komunikimit nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg për shkak se drejtësia këtu nuk u komunikoi asnjëherë asgjë për më shumë së një vit e gjysmë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›