Fantazma e Rrapo Hekalit në Asamblenë Socialiste
Pa iu dridhur qerpiku, dhe me një qetësi të frikshme, kreu i Partisë Socialiste gjatë fjalës hapëse të mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të partisë, tha se jemi bartësit e misionit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. Prandaj për t’u anëtarësuar, sipas PS-së, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja. Mirëpo PS-ja kërkon sa për të larë gojën zgjedhje të parakohshme, sepse në këto momente e kanë shumë të qartë, pas humbjes plebishitare me 140 mijë vota, se janë minus -14 deputetë. Është e kuptueshme diversioni retorik, që fsheh tensionin e brendshëm, të një partie që po mësohet të humbë dita ditës.
Ndërkaq Ed Rama, ndryshe nga deklaratat e mëparshme me tone të qeta pranoi indirekt humbjen në Tiranë, edhe pse theksoi se tashmë është e qartë se opozita ka pasur të drejtë kur akuzoi pushtetin për vjedhjen të votës në zgjedhjet parlamentare të 2009-s.
Në sallën e restorant “Xibraku” u konsumua fillimi i fundit të fshesës ndaj mendimit “ndryshe”, që është unionist dhe jo separatist ndaj linjës Rama. Kongresi i vjeshtës do të vulosë vulën e diktatit mbi mendimin, si e vetmja rrugë për marrjen e pushtetit, qoftë edhe me votë. Në këtë takim të parë të Asamblesë Socialiste, Edi Rama vendosi të mos vendosë, sepse këtë do ta bëjë me kongresin e 29 shtatorit, që sipas Ramës do të jetë “dizenjimit të rrugës së fitores”.
Fjalimi i Ramës është një kryevepër e mediokritet politik, pasi brenda saj ka pak substancë dhe shumë gjëra sipërfaqësore. T’u thuash njerëzve dhe botës se je bartësi i misionit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE është një rrenë. Sepse është e pamundur të harrosh furinë e fushatës kundër integrimit të Partisë Socialiste. Është Edi Rama i djeshëm njeriu që ra hasha interesit kombëtar për qëllime kutie, e në disa raste është treguar shpërfillës ndaj aspiratave legjitime të qytetarëve të kombit shqiptar. Ne kemi konstatuar veprime e qëndrime - nga opozita e kryesuar nga Edi Rama - sa herë vendi është gjendur në qendër të interesave të mëdha. Kujtojmë këtu protestat socialiste kundër qeverisë, në momentin e anëtarësimit në NATO, protestuesit e nxitur digjnin flamurin e Aleancës, njësoj sikur të ishin Serbë.
Kësisoj vetë Rama dhe disa prej ndihmësve të tij kanë lobuar në Bruksel e gjetkë nëpër Ballkan kundër procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Kanë qenë përpjekje të pareshtura të dërgatave socialiste në Strasburg për të dezinformuar partnerët tanë. Sikurse bënte në Tiranë numri dy i PS-së Gramoz Ruçi dhe deputeti Taulant Balla, të cilët pa asnjë fakt hidhnin hije dyshimi mbi Kartat e Identitetit. Edhe ky doli të ishte jo vetëm një mashtrim për konsum ditor politik, por edhe një strategji apatride. Po kaq të turpshme kanë qenë për shembull deklaratat e znj. Leskaj se po të hiqeshin vizat, shqiptarët do të dyndeshin nëpër Europë, duke krijuar një sindromë emigracioni të paligjshëm, çka përkthehej në frikë ndaj shqiptarëve. Por koha vërtetoi të vërtetën e gjallë, që vizat u hoqën dhe që shqiptarët nderuan rregullat, duke respektuar afatet. Paragjykimi i socialistëve ndaj arritjeve të qeverisë Berisha ka prodhuar situata të rrezikshme për fatet e kombit.
Pra është e qartë loja e rrejshme që kërkon të tregtojë njeriu, që më shumë ka lobuar dhe frenuar procesin e Integrimit. Rruga në të cilën është futur Partia Socialiste është e ngushtë, si një tunel, në të cilën drita e fitores është larg. Edhe pse kërkon të jepet si i pranueshëm, në të vërtetë me këto gjeste, as mish dhe as peshk, transmeton pasiguri. Do të jenë dy vite që do të përcaktojnë fatin e një partie të boshatisur nga intelektualët, dhe të mbushur me Rrapo Hekalët. Emri i vërtetë i Rrapo Hekalit ishte Rrapo Hasani, një rebel kryengritës, që në fund të jetës i bënë një këngë: Doli Rrapua në Sinjë/ Prim’o Isuf beu prime,/ në të zënça s’ke të mire,/ gjakun kam për të pirë,/ me vete ta kam qefinë,/ Isuf beu e Lamçe beu,/ Tartar Memushi i preu,/ Tartar Memushi Smokthinë,/ preu bejlerët në Sinjë./ Dolli marsi e hyri prilli,/ s’këndon qyqja e as bilbili,/ Rrapon e ngriti veziri,/ e shpuri nga Manastiri./ As e vrau e as e farkoi,/ veç me helm e helmoi./ Rrapo Hekali ku je?/ Keq për ty e keq për ne,/ na mbeti vendi raje!