Farabbi: 100 milionë euro investime dhe projekte të reja në Aeroportin e Tiranës

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ 10 milionë pasagjerë udhëtuan gjatë vitit 2024 përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm zv. kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energisë Belinda Balluku, përfaqësues të institucioneve të linjës si dhe të ftuar të tjerë.
Piervittoria Farabbi, shefi operacional në TIA tha se, “dita e sotme shënon një gur kilometrik për Aeroportin e Tiranës, teksa sot ka hyrë pasagjeri i 10-miliontë, që iu bashkua ceremonisë në përkujtim të kësaj arritjeje”.
Sipas tij, kjo arritje përmbush përpjekjen dhe angazhim e përbashkët që dukej si një ëndër e largët, por sot është arritje e prekshme dëshmi e besimit që pasagjerët dhe udhëtarët kanë ndaj TIA-s.
Për të ardhur deri këtu,TIA ka ndërmarrë strategji të guximshme, novatore ndërsa ka zgjeruar korridoret e fluturimit dhe ka shtuar ekselencën në shërbime.
“Që prej vitit 2020, aeroporti i Tiranës, i është nënshtruar investimeve të rëndësishme, ndërsa hapësira e terminalit ishte për 3 milionë udhëtarë, sot është 3- fishuar dhe do të shtohet në vijim në 100 mijë m2 sipërfaqe për pasagjerët”, tha ai.
Hapësira e re në 15 mijë m2, përmirëson shërbimin ndaj udhëtarëve, ndërsa do të shtohet me 7 numri i parkimit, duke e çuar në 29 të tilla për të përballur fluksin dhe për të pritur edhe avionë të mëdhenj sidomos ato që do të jenë pjesë e udhëtimit për në SHBA.
Gjithashtu, TIA ka përmirësuar teknologjinë në 8 skanera që mundësojnë kontrollin e pasagjerëve dhe pasagjerëve, ndërsa ka 15 porta hyrëse në kufi dhe karozeli për bagazhet do të rritet nga 4 në 8 të tilla për të përballuar fluksin e pikun e qarkullimit, ndërsa po riprojektohet fasada e aeroportit në përputhje me vizionin e zhvillimit.
TIA parashikon 100 milionë euro investimeve dhe projekte të reja zhvillimi sipas standardeve më të mira.
Ambicia është që Aeroporti i Rinasit të shtojë rrugë të reja, të përmirësojë dhe lehtësojë shërbimin për udhëtarët.
Ndërkohë TIA ka aplikuar për të vendosur 4.9 milionë lekë panele fotvoltaike dhe 40 milionë lekë investime për të sjellë TIA-n pranë objektivit emetim zero në standardet mjedisore.
Sipas statistikave të TIA-s, numri i pasagjerëve ne 2024 është rritur me 225 % krahasuar me 2019. Sot kryhen 60 mijë fluturime kundrejt 50 692 fluturime që ishin në 2019. /j.p/