Farsa elektorale/ Berisha: Raportin final do e kemi gati nga data 10 qershor, do e dërgojmë në çdo institucion ndërkombëtar

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar sërish në lidhje me procesin zgjedhor, të cilin ai e cilëson si një farsë elektorale. Në një deklaratë për mediat, Berisha bëri të ditur se raporti përfundimtar mbi parregullsitë e pretenduara gjatë zgjedhjeve do të jetë gati nga data 10 qershor dhe do të shpërndahet në të gjitha kancelaritë dhe institucionet ndërkombëtare.
“Patjetër që janë përfshirë. Ne po operojmë, për shembull sot shpërndajmë raportin e përditësuar paraprak, i cili në terma të tjerë është një lloj raporti i ndërmjetëm”, u shpreh Berisha, duke nënvizuar se opozita është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për të informuar faktorin ndërkombëtar për shkeljet e pretenduara.
Ai theksoi se raporti final do të dërgohet në misionin e ODIHR-it, si dhe në të gjitha misionet vëzhguese. “Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-së, BE-së dhe Këshillit të Europës. Do të shkojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat e të cilave janë dhunuar në këto zgjedhje,” deklaroi ai.
Sipas tij, dokumenti do të dorëzohet edhe në parlamentet e vendeve anëtare të këtyre organizatave ndërkombëtare, për të garantuar që çdo institucion i huaj të jetë i informuar mbi situatën elektorale në Shqipëri.
“Për të mbajtur nonstop të informuar, kemi operuar me raportin paraprak, tani kemi përgatitur raportin e ndërmjetëm dhe raportin përfundimtar do përpiqemi ta përgatisim midis datës 10 dhe 15 qershor me çdo kusht,” përfundoi Berisha.
/rtsh.al/