Fati i diktatorëve modernë përplaset sërish me fatin e kombit libian
Libianët, berberë të islamizuar prej kohësh, me një vend shumë të gjerë dhe me një veri me klime mesdhetare, ka tërhequr gjithmonë lakminë e popujve të tjerë më të fortë e më të organizuar, të cilët e kanë pushtuar dhe sunduar për kohëra të gjata. Kështu, mësojmë se ajo ka qenë e pushtuar nga romakët, pastaj nga barbarët, nga osmanët e më në fund edhe nga italianët, me emrin e së cilës ata fituan të drejtën që ta quanin veten Perandori. Pas Luftës së Dytë Botërore, Libia u bë shtet i pavarur nën një fare dinastie vendase te Senusijve. Muhamer Gedafi, qe dërguar ne Itali ku ai kreu akademinë ushtarake dhe u kthye oficer në postin e vendit të tij, dhe ku e betua që të mbronte atdheun deri në pikën e fundit të gjakut.
Njeri i lindur me një natyrë shume "tuhafe", ambicioz i papërmbajtur, duke e parë veten syllash në mes të qorrave, ai manovroi dhe me anë të një puçi ushtarak, mori pushtetin në dorë me premtime badihava dhe fare veresie, ai e konsolidoi pushtetin e tij personal, gjysma me anë të kulaçit e gjysma me anë të kërbaçit
Duke qene i bindur se popullata e atjeshme ishte një turmë fanatike myslimane, ai e mikloi klerin dhe e la të lirë të ushtronte besimin e vet, po ama, duke u vënë frerin në gojë udhëheqësve të islamit të vendit. Regjimi i Kolonelit Gadafi nuk ka qene gjë tjetër veçse një lloj fashizmi, apo dhe diktaturë komuniste, që në vend të yllit të kuq kishte për simbol gjysmë hënën e kuqe. Kolonel Gadafi, lidhje diplomatike kishte me të gjithë, po ama të mos harrojmë se lidhjet intime, sekrete dhe shpirtërore të tij kanë qene me ish Bashkimin Sovjetik, me ish Jugosllavinë, me Kubën si dhe me Korenë e Veriut. Nga pikëpamja e jashtme, sipas mendimit tim dhe jo vetëm timit, regjimi i Libisë “gadafjane” nuk ka qene as mish e as peshk, por veçse një çorbë derri ku sundonte “tekanjozi lunatik” sipas interesit të tij. Duke qenë se Gadafi dyshonte mbi këdo e mbi gjithçka, ai shpejt solli në pushtet djemtë e tij të shumtë, vëllezër e kushërinj të sprovuar e të përkushtuar pas fjalëve të tij mburravece dhe megalomane. Për të mos u bërë gazi i botës, ai qe i detyruar që të hapte shkolla nga më të ndryshme sepse i duheshin qeveritarë për regjimin. Për këtë arsye ai kishte ngritur një sistem policor e përgjues të hatashëm me të cilin ai kontrollonte gjithçka bëhej e mendohej. Kështu gjysmën e shkollarëve e kishte futur në punë, kurse gjysmën tjetër e kishte rrasur nëpër burgje me dënime të gjata ku, disa të mjerë kishin shkruar aty nëpër muret e tymosura “Lasciate ogni speranza o voi che entrate”. Këtë gjendje të punëve të Gadafit e kanë pasqyruar tani gazetarët, të cilët thonë se gjysma e intelektualëve të Libisë u burgosën. Njeri tekanjoz e i sëmurë, ai vuante nga një sëmundje e hipokandrisë, ku në çdo njeri shihte një armik, prandaj fillonte duke iu trembur gjithçkaje, ai vriste këdo që i shkrepej se ishte armiku i tij. Zot dhe satrap i një vendi të madh e shumë të pasur në fat, për 41 vjet të sundimit të tij, ai do ta kishte bërë Libinë një kopsht me lule. Përkundrazi, gjithkush e ka parë këtë vend nëpërmjet ekranit, është i bindur se ai nuk ka bërë asgjë për të qenë me tërë ato dy milionë fuçia naftë, që shiste për çdo ditë. Kështu, sipas vlerësimeve të tanishme rezulton se Moamar Gadaf paska qenë ortak me vendin e vet, sepse gjysmën e naftës ai e harxhonte për ushtrinë, ndërsa gjysmën tjetër e depozitonte nëpër të gjitha bankat e shteteve, të mëdhenj e të vegjël të botës. Si një tekanjoz me të shkrepura, Gadafi guxoi dhe vrau një avion mbi qytetin e Lokërbisë, shkak për të cilin OKB vendosi sanksione kundër tij, duke ia ngrirë të gjitha depozitat e tij nëpër botë. Megjithatë, Gadafi mundi t’i rezistonte këtyre masave në sajë të shfrytëzimit ekstrem të puseve të naftës. Gjatë gjithë kësaj kohe, duket se truri i tij turbullaq njohu një farë kthjelltësije dhe gjatë kësaj faze të përkohshme, ai pagoi katër miliardë gjobë që i kishin venë dhe puna e tij bëri sikur që harruar, ndonjë, ç’është e vërteta, demokracitë e mëdha perëndimore, asnjëherë nuk i kanë pushuar vëzhgimet ndaj manovrimeve të tij, pasi e dinin se kush ishte. Personalisht, mu dha rasti, më se një dekadë më parë, që të njihesha me ambasadorin e Libisë në Tiranë. Në një koktej, ai më njohu dhe më shfaqi simpati dhe konsideratë të veçantë, duke më ftuar madje një ditë për drekë bashkë me tim shoqe. Këto dreka e darka kishin qene përsëritur nja tri a katër herë, duke më ftuar, ai në ambasadë, kurse unë në një lokal të mirë atje në Kala të Prezës. Pas një frekuentimi mëse dy vjeçar, ne tashmë konsideroheshim miq të ngushtë dhe fare intime...Një ditë ndodhi që, pas dreke po rrinim që të dy në ballkon e po pinim kafet e pas drekës, kur ai, me një ton shoqëror dhe konfidencial që mbante dhe madje erë familjarë, më tha: “Çuditem nga fakti që ju shqiptarët jeni kapur kaq shumë pas Kosovës, duke u alarmuar aq shumë sikur Serbia po e ha mish për së gjalli Kosovën, kurse në të vërtetë, Serbia u ka garantuar atyre liri dhe, me anë të universiteteve, po mundohet që t’i qytetërojë. Mbeta i habitur, nuk e dija sesi t’i përgjigjesha, sepse e kisha vlerësuar shumë më lartë nga ç’po më paraqitej me fjalë. “Ju zoti ambasador, qenkeni i molepsur dhe madje i mufatur nga propaganda serbe. Ju, dhe më vjen keq që po jua them, qenkeni fare i njëanshëm. Ju shikoni Kushtetutën e Serbisë që është shkruar për t’i hedhur sy Botës. Ju nuk e dini se ajo Kushtetutë nuk zbatohet dhe kurrë nuk ka për t’u zbatuar. Ju nuk lexoni veprat e Çubrilloviçit dhe shumë e shumë të tjerëve, ju lexoni vetëm buletinët informativë dhe kënaqeni me kaq, duke pandehur se e njihni Kosovën. Punët janë krejt ndryshe zoti ambasador, ju duhet të lexoni se ç’bëhet në të vërtetë e jo atë buletinin e përjavshëm që është sa për t’i hedhur hi syve të botës. Jo vetëm kaq, por ju qenkeni me dy standarde: kur është puna për interesat tuaja, ju harxhoni lumenj mellani dhe mullarë të tërë letre, duke kërkuar nga Italia ishullin shkëmbor të Lampeduzës që nuk është veçse një vend i shkretë, ku fshiheshin dhe fshihen prapë kusarët dhe korsarët e deteve të hapura. Ju nuk e keni pasur kurrë Lampeduzen në posedim, dhe e kërkoni me kaq këmbëngulje, kurse neve që Kosovën e kemi gjysmën e territorit të atdheut tonë, gjysmën më të mirë e më të begatë, dhe që akoma nuk është mbushur shekulli kur na i kanë rrëmbyer me forcë dhe me dhunë. Ju nuk interesoheni veçse për pjesën zyrtare të misionit tuaj dhe injoroni se toka e Kosovës është e mbushur plot e përplot me varreza masive të shqiptarëve, të vrarë nga serbët dhe të fshehur që të mos i dijë njeri. Ju nuk lexoni hatanë që serbët kanë bërë mbi 6000 shqiptarë, të cilët, duke i gënjyer se po i dërgonin në Shqipëri, i çuan në Tivar dhe i masakruan të gjithë sikur të mos ishin bij nënash po cërle deti. Nga kjo fjalë, ju tregoni se nuk dini gjë për vendin tim, veç broçkulla që ju ka servirur propaganda serbe. Më vjen keq t’ju them, por ju nuk mund të jeni më miku im përderisa e shikoni Kosovën mirë e bukur në kthetrat e Serbisë. Prandaj, zoti ambasador, duke i tërhequr të gjitha konsideratat që ju kam shfaqur deri më sot, po ju deklaroj se nuk mund të jem më miku juaj”. Me këto fjalë dola për dere duke injoruar shenjat për moderacion që më bënte përkthyesi dibran. I shkreti përkthyesi, ai m’i bënte ato shenja moderacioni sepse më pandehte edhe mua si veten, që jetoja e mbahesha nga rroga e ambasadorit të Libisë. Sidoqoftë, punët e Gadafit shkuan si shkuan deri më sot. Sipas mënyrës së daljes së tij nga skena edhe historia ka për të gjykuar përkatësisht. Moamar Gadafi, si ushtarak i karrierës që i ka thënë vetes, duhet ta ndajë mendjen një herë e mirë dhe të thotë “Rroftë Libia dhe pa mua”. Duke ia hapur rrugën vendit të vet drejt botës pluraliste, pa dyshim që dhe kritikët e historisë do të hapin disa lehtësira në komentet e tyre. Gadafi, me ato që ka bërë, e ka privuar veten nga e ardhmja si dhe nga e tashmja. Ndaj, ai duhet t’i japë fund kësaj rezistence të kotë e të pakuptimtë, sidomos tani kur Tripoli dhe shumica e qyteteve të Libisë kontrollohen nga qeveria e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit. Tani i mbetet në dorë atij se çfarë forme do të zgjedhë për kapitullimin e tij: atë të romakëve të lashtë e klasikë, apo të diktatorëve modern si Musolini, Hitleri apo Sadam Hyseni. Gjatë bërjes së betimit të tij ushtarak, Gadafi ka thënë me dorën në Kuran se “është gati të vdesë për atdheun e tij të madh, të lashtë e të pasur”. Momenti kritik, në të cilin ndodhet Gadafi aktualisht, po i thotë atij: “Vdis, në daç me nder, në daç me turp si Hitleri apo Sadami”!
Autori është Kalorës i Urdhrit të Meritës të Republikës Franceze