“Kryefjala jonë integrimi, për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve”
Ilir Meta, kreu i LSI
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë takimit dje me strukturat e LRI-së në Fier, hapi fushatën e zgjedhjeve për strukturat e LRI në të gjithë Shqipërinë. Meta theksoi se, “zgjedhjet e 8 majit treguan një rritje spektakolare të LSI-së në të gjithë vendin, ndërsa do vazhdojë me maksimizimin e mbështetjes. Zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013 absolutisht që do të tregojnë se kjo është forca e së ardhmes, se kjo është forca që ka vizionin dhe energjitë për të përmbushur aspiratat integruese të fierakëve dhe shqiptarëve, sepse LSI është forca e rinisë”.
Meta theksoi se LSI u krijua si nevojë për një politikë të re, për të rinjtë. “Ky moment përkon me 7-vjetorin e krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky moment, tepër i veçantë, solli në jetën politike të vendit një forcë të re politike si LSI. 7 vite më parë vendosëm të krijonim këtë forcë të re politike pikërisht sepse ishim të bindur që qytetarët e këtij e vendi, sidomos të rinjtë e këtij vendi, meritonin dhe meritojnë hapësira të reja për të shprehur vetveten dhe për ta realizuar vetveten, për të kontribuar për të mirën e përbashkët dhe për të realizuar suksesin individual”, theksoi kreu i LSI. Sipas tij, të rinjtë e refuzojnë politikën konfliktuale, ata mbështesin reformat e integrimit në BE. “Sot pas 7 vitesh jemi këtu në qytetin e Fierit me kaq shumë të rinj e të reja, qindra prej të cilëve janë bashkuar kohët e fundit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pikërisht për të përforcuar mesazhin tonë se ashtu si tani edhe në të ardhmen, LSI, së bashku me LRI-në, do t’i fitojë të gjitha sfidat. Kjo jo në emër të interesave tona të ngushta partiake, por në emër të standardeve të reja evropiane që meriton vendi ynë”. Meta u shpreh se LRI është shpresa dhe horizonti i çdo të riu.
Sipas tij, të rinjtë nuk gënjehen nga fjalimet e politikanëve, por duan ëndrrën realitet. “Jemi këtu, me kaq shumë të rinj e të reja për të vazhduar akoma më me besim, më me forcë, me një vizion akoma më të plotë”, tha Meta, i cili shtoi se ka politikanë që bëjnë sikur u digjet zëmra për integrimin evropian të Shqipërisë, por që punojnë vetëm për të bllokuar këtë proces që është interesi kombëtar i çdo qytetari të Fierit dhe të Shqipërisë. Sipas Metës, aspiratat e rinisë, duhet të jenë detyrim për çdo politikan.
“Ne kemi treguar që kemi integrimin si kryefjalën tonë, që kemi integrimin si vizionin tonë, që kemi integrimin si aspiratën mbarëkombëtare të gjithë shqiptarëve, të gjithë të rinjve që do të na çojë drejt një të ardhme më të begatë, më të ndritur për çdo të ri dhe të re të Fierit dhe të Shqipërisë”, u shpreh Meta.