Fati i librit tek presidenti
Reagojnë edhe botuesit dhe intelektualët në Kosovë dhe Mal të Zi: “S’do mend se pasojat më të mëdha do t’i ndjenim ne që jetojmë dhe krijojmë jashtë kufijve të Shqipërisë.”
Botuesit shqiptarë janë kthyer me një farë shprese nga takimi me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Pas letrës të nënshkruar nga njëqind intelektualë ku shprehej shqetësimi për ligjin e sapomiratuar mbi tvsh 20% të librit, ky takim është parë si guri i fundit që mund ta zhvendosë këtë histori taksash në doganë nga një kurth në një rrugë e krye. Përfaqësues të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Fatmir Toçi, Petrit Ymeri dhe një prej distributorëve të librit dhe shtypit të huaj Teodor Misha, ndodheshin në atë takim për një arsye më shumë: kjo tvsh e cila është 5 herë më e lartë se norma e lejuar në vendet evropiane apo në vendet pranë nesh, do të rrezikonte së pari marrëdhënien e librit shqip në kufijtë Shqipëri-Kosovë-Maqedoni-Mal i Zi kufij ku libri shqip prej pak vitesh ka nisur të qarkullojë të paktën si gjithë mallërat.
Botuesit argumentuan se kjo masë e nxituar do të sillte efekte negative, në radhë të parë, për lexuesit shqiptarë, sepse do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve dhe, si rrjedhojë, uljen e lexueshmërisë. Zbatimi i kësaj mase do të penalizojë hyrjen dhe qarkullimin e librave të autorëve dhe botuesve shqiptarë në Rajon, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora dhe emigracioni, të cilët përbëjnë gati 50 % të lexuesve shqiptarë; do të frenojë dhe minimizojë hyrjen në Shqipëri të botimeve në gjuhë të huaja, për të cilët kanë më shumë nevojë studiuesit dhe studentët, si dhe të shtypit e periodikëve të huaj; do të minimizojë mundësinë dhe kërkesat e botuesve shqiptarë për të realizuar botime cilësore bashkëkohore, të cilat nuk mund t’i marrë përsipër industria poligrafike vendase; do të rrezikojë realizimin e librave e botimeve të tjera shkollore në kohë e më cilësi të lartë, për shkak të përballimit të një volumi të madh punë në një kohë të shkurtër 2 – 3 mujore gjatë stinës së verës.
“Për arsyet e mësipërme, si dhe për faktin se ligji nuk është konsultuar më parë më grupet e interesit, specialistët përkatës, si dhe Komisionet e Medias, Arsimit dhe Kulturës të Parlamentit, si dhe atë të Integrimit, botuesit i kërkuan Presidentit të Republikës që të mos dekretonte një ligj të tillë antikushtetues, që do t’i largonte më shumë shqiptarët nga libri dhe do vinte barriera të rënda midis autorëve e botuesve shqiptarë këtej dhe andej kufirit.”, thuhet në njoftimi e zyrës së shtypit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.
Në fillim të takimit, presidenti Topi vlerësoi ecurinë dhe arritjet e editorisë shqiptare që nga viti ’90 e deri më sot, pastaj biseda (rreth një orë) u përqendrua në problemin në fjalë. Pasi ka dëgjuar edhe opinionet e këshilltarëve dhe specialistëve të Kabinetit, ai deklaroi që në fillim se ishte në dijeni të çështjes dhe u shpreh në parim për mbështetjen e politikave kulturore për nxitjen e leximit dhe sigurimin e mundësive të barabarta të të gjitha hallkave që merren me punën me librit. I siguroi botuesit se do ta studionte me përparësi problemin në fjalë dhe do të merrte vendimin e duhur në një periudhë të shkurtër dhe brenda afateve ligjor. Dhe në fund ka pranuar kërkesën e botuesve që Panairi XI i Librit “Tirana 2008” të zhvillohet nën kujdesin dhe me mbështetjen e tij.
Po dje, me pak vonesë, kanë ardhur reagimet nga dy shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës dhe Malit të Zi. Në reagimin e PEN Qendrës së Kosovës, kryetari i tij, Basri Çapriqi, ka shprehur përkrahje për kolegët në Tiranë “në reagimin ndaj ngarkesave fiskale që Qeveria synon të vë mbi librin. Kërkojmë nga të gjithë faktorët qeveritarë në Shqipëri si dhe nga homologët e tyre në Prishtinë, Shkup e Podgoricë që të çlirojnë librin shqip nga ngarkesat fiskale, nga taksat doganore dhe të mundësojnë qarkullimin e lirë të librit shqip në gjithë hapësirën kulturore shqiptare. Është arritur me vështirësi të madhe nga botuesit shqiptarë që, si kurrë më parë, libri shqip të qarkullojë i papenguar tashmë nga kufizimet politike që e ngarkonin në të shkuarën. Do të ishte dëm i madh që këtë qarkullim të lirë ta ndalonin apo ta vështirësonin tani ngarkesat e papërballueshme fiskale e doganore.”
Në reagimin e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “ART CLUB” e Ulqinit, me kryetar Qazim Mujën thuhet: “Ajo që neve na mungoi vazhdimisht pothuaj një shekull, kontakti i domosdoshëm me fjalën shqipe për të ruajtur substancën e kësaj pjese të etnosit, dhe që me shumë mund pak a shumë u përmirësua në vitet e fundit, synohet të rrënohet me gjakftohtësi. Në kohën e interkulturalizmit kur kulturat e ndryshme integrohen, ne vemë bariera të panevojshme brendapërbrënda vetes për të rrënuar të vetmën vlerë integruese, trungun kulturor gjithëkombëtar. Andaj kërkojmë që Qeveriatë heqë dorë ngaveprimet që edhe më tutje do të vështirësonin qarkullimin e lirë të librit.
S’do mend se pasojat më të mëdha do t’i ndjenim ne që jetojmë dhe krijojmë jashtë kufijve të Shqipërisë.”
Do të ishte vërtet një ngjarje në historinë e ligjeve të miratuara nga parlamenti shqiptar me përdhunë, kthimi mbrapsht i këtij ligji nga presidenti i republikës dhe shpëtimin e librit nga taksa maksimale.