Fituesit e
E hëna i jep fund pritjes dhe pyetjes se cilët do të jenë fituesit e edicionit XIV të konkursit-ekspozitë ndërkombëtare të artit pamor. Më 14 janar, në orën 18.00, në Sallën e Bibliotekës së Galerisë Kombëtare të Arteve, juria e “Onufrit” shpall artistët fitues. Vlerësues janë drejtorja e Muzeut të Artit Bashkëkohor të Gracit, njëkohësisht dhe drejtore e revistës së artit “Camera Austria”, Christina Frisinghelli; përfaqësuesja e grupimit artistik “78”, Maria Campitelli që vjen për herë të parë në Tiranë; Angelo Colombo i laboratorit të artit “Artoteca” në Milano si dhe artisti Riccardo Caldura. Juria ka për të ndarë 3 çmime të para, për të cilat Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka dhënë shumën 500 mijë lekë të reja (përkatësisht 250 mijë për çmimin e parë 150 për të dytin dhe 100 mijë për të tretin).
Në këtë edicion jepet edhe një çmim special nga laboratori italian i artit “Artoteka” dhe fituesi i këtij çmim shkon për tre muaj në Milano ku i jepet mundësia edhe për një ekspozitë personale.
“Onufri” një prodhim i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Galerisë Kombëtare të Arteve, u hap më 20 dhjetor 2007. Tema e këtij viti quhej “Bërë me Tradhti”/Betrayal in Art” u kurua nga poeti Ervin Hatibi dhe nëndrejtori i GKA Rubens Shima. Artistët pjesëmarrës në “Onufri 2007” i cili qëndron hapur deri më 30 janar, janë: Francesco Acone (Itali), Luca Bolognesi (Itali), Achim Maximilian Naumann d`Alnoncourt (Gjermani), Kader Muzaqi (Kosovë), Bruno Muzzolini (Itali), Alek O. (Argjentinë). Nga Shqipëria janë shumica e pjesëmarrësve: Gent Gjikola, Gent Gjikopulli, Najada Hamza, Alban Hajdinaj, Adrian Isufi, Idlir Koka, Gent Korini, Miodrag Krkobabic, Greta Lamaj, Olsion Lamaj, Elsa Martini, Vladimir Myrtezaj etj.
Koncepti i këtij viti, “Bërë me Tradhti”/Betrayal in Art”, është një lexim tendencioz i mitit të Pigmalionit, i cili kërkon të nënvizojë tensionin e pashmangshëm që shoqëron përpalljen e artistit me veprën, kodet komunikuese, shoqërinë dhe anasjelltas.
Ky edicion është konceptuar së bashku me një ekspozitë paralele me vepra të përzgjedhura nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, me titull “Nën emër të popullit”.