Fati ynë në dorë të Zotit
Genta Petro Kaloçi
-Çdo ditë e përjetuar në realitetin vendas, është si e nxjerrë nga emisionet e realizuara me titull “I mbijetuari”. Kështu ndjehem çdo moment që kaloj rrugën nga njëra anë e trotuarit në tjetrin, me njerëz plot e përplot, me impenjime e indinjata për të sotmen dhe në mëdyshje pëer të nesërmen. Çdo ditë që kalon dhe shënohet të paktën një krim makabër. Unë si femër, shumë mirë mund të ndaloj në pataten e nxehte, që është dhuna ndaj femrës, por nuk është vetëm kjo që më shqetëson. Në hapësirën time dhe në kurthin e analizës në një bosht më të gjerë nuk do doja të bëhem avokati mbrojtës i viktimave pasi nuk kanë nevojë diçka të tillë. Më shqetëson një tjetër çështje, ajo se si arrihet në këto krime kaq monstruoze. Nuk do doja t’iu lodhja me teori dhe analiza pa fund, por s’mund të lë pa thënë dhe përmendur sesi krimi nuk është një re që në formë shiu, ashtu siç vjen edhe zhduket. Nuk do doja as të bëja avokatin e djallit për dhunuesit, por do doja ta ngrija çështjen në të tjera rrethana dhe të bëjmë një pyetje shumë të thjeshtë që kemi frikë ta bëjmë. Cilët janë faktorët e vërtetë që shtyjnë një person të kryejë një akt në kundërshtim me ligjin, me ndjenjat, me shoqërinë, me veten dhe me të tjerët, duke arritur deri aty sa të marrë jetë njeriu? Një shoqëri e shëndoshë dhe me vetëdije në mënyrën, taktikën dhe qëndrimin e saj, se ka aspak problem të bëjë një analizë të thellë të situatës. Krimi është si pasojë e rrëzimit të themelit të individit, të vlerave shoqërore dhe të sistemit në tërësi. Krimi nuk është aspak si diçka që po mundohen të na e servirin se është produkt i njerëzve të këqij, negativë, të njerëzve që kanë lindur të tillë e që s’mund të bëhet asgjë me ta, përveç se izolimit në burgje e paraburgime. Situata nuk është kaq e lehtë siç duan ta paraqesin sipas interesave të tyre shumëkush. Krimi është pamundësia e shoqërisë për të arritur një kontroll në të gjithë rrjetin e administrimit dhe funksionimit të shtetit. Çuditërisht dëgjojmë për dhunë të formave të ndryshme, mashkulli ndaj femrës, femra ndaj mashkullit, vrasje aksidentale, vjedhje, grabitje, të gjitha format e krimit të nivelit të dorës së dytë. Krime ordinere, të thëna ndryshe, ku si faktor i përbashkët vihet re dëshpërimi nga skamja, niveli i jetesës nën nivelin e varfërisë, elemente këto që e relativizojnë krimin në vetvete. Njerëz pa punë, pa të ardhura, pa të ardhme, pa shpresë për të ardhmen, pa asnjë perspektivë, pa ndihmën e strukturave të shtetit social, pa asnjë ndihmë konkrete, por me një sistem që prej 23 vjetësh i tall e i sorrollat lart e poshtë, pa dinjitet, integritet, pa vetërespekt dhe mbi të gjitha, pa empati. Këtu s’mund të mos qëndroj pa përmendur rolin e shoqatave, organizatave të ndryshme, që janë holli i paketave dhe fondeve të ndryshme për të përfunduar në ndonjë llogari bankare, në rastin më të mirë ndonjë vilë, ose akoma më mirë, ndonjë biznes që mund të punësojë fakirë për copën e bukës. Ky është sistemi që kemi prodhuar e kemi lejuar të ekzistojë secili nga ne, me ndihmën tonë, me mosreagimin, apo komenteve ironike dhe cinike në rrjetet sociale. Deri këtu kemi vepruar e asgjë më shumë dhe me kaq ndjehemi se kemi kryer detyrën e banorit të qytetëruar me iluzionin se u shprehëm, krijuam një debat me komente për disa orë në internet dhe kjo ishte detyra jonë. Kjo është ana tjetër patetike e situatës ku jetojmë, u lejojmë atyre me politikat e tyre, të na vrasin dita-ditës me vendimet e tyre dhe ne s’mund të reagojmë për hiçgjë dhe asgjë. Ku është ky popull që ka luftuar në historinë e tij për historinë e tij? Po ju marrin jetën çdo ditë e më tepër, po ju bëjnë më të varfër çdo ditë e më shumë, po ju injorojnë çdo moment që munden, po ju armatosin për t’i marrë jetën njëri-tjetrit për të jetuar ata më mirë e më shumë se ju. Do doja të qëndroja në këtë pikë duke shtuar se situata ka dalë jashtë kontrollit gjatë viteve të fundit, ka degraduar në kurriz të njerëzve që jetojnë në këtë vend, që po mundohen të sillen si të politizuar për të marrë statusin kandidat në fund të vitit. Por a është kjo sfida më e madhe që ka klasa politike apo është vendosja e rendit publik, funksionimi i shtetit në të gjitha shtresat e saj pa përjashtim. Sigurisht, disa nga ju do thonë që është e vetëkuptueshme dhe janë në një farë mënyre të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, por do të ishte një sfidë e dyfishtë, sikur faktorët që krijojnë të gjithë këtë kriminalitet, të analizoheshin dhe të kishin një strategji nga klasa e re politike. Gjithashtu një këndvështrim më i thellë se përse njerëzit shpërthejnë në situata të tilla, në momente të caktuara është shumë i dobishëm për ecurinë e shoqërisë sonë në binarë të qëndrueshëm. Po e mbyll me një urim e dëshirë se këtu ku ka arritur shoqëria jonë, asnjë shkencë, analizë profesioniste, strategji nuk bën më shumë punë sesa ta lësh fatin në dorë të Zotit. Ju uroj të jeni të qetë e të mos bini në kurthet e politikës së sotme që po zhbën një evolucion miliona vjeçar të qenies njerëzore. Uroj të jetë me kaq krimi në ditët tona të përgjakshme dhe të qëndrojë sa më larg shtëpisë sonë.