E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Toçi: E majta në Vlorë i fiton 8 deputetë

Pa zgjidhur problemin e pronave, sidomos në zonën bregdetare, as që mund të bëhet fjalë për zhvillim normal të vendit”, deklaroi dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi. Ai parashikon se PS-ja do të marrë 8 deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit, madje thotë se janë mundësitë për të marrë edhe 9 deputetë.
Partia Socialiste në këto zgjedhje përfaqësohet në Vlorë me një ekip kandidatësh të kryesuar nga kryetari i partisë, Edi Rama. Ç’do të thotë kjo për ju dhe qytetin e Vlorës?
Tashmë është fare qartë e dukshme se fakti që kryetari i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm ka zgjedhur Vlorën për të qenë përfaqësuesi i saj në Kuvendin e ri, e ka rritur entuziazmin e vlonjatëve për një mbështetje edhe më të madhe për Rilindjen. Ta kesh kryeministrin e vendit njëherazi edhe deputet të zonës, do të thotë së pari vlerësim për vetë komunitetin që përfaqësohet prej tij, shpresë e besim se Vlora do të ndryshojë; do të thotë më shumë vëmendje për hallet e Vlorës së harruar qëllimshëm gjatë këtyre viteve, si dhe garanci absolute për mbajtjen e premtimeve për realizimin e programit qeverisës e të projekteve për Vlorën.
Me çfarë premtimesh për Vlorën vjen PS-ja në këto zgjedhje? Cilat janë problemet më shqetësuese të këtij qarku, meqenëse edhe ju jeni një nga deputetët që mbuloni pjesën e rrethinave të Vlorës?
E kam thënë shumë herë në Kuvend, por edhe në të gjitha tribunat mediatike sa herë më është dhënë rasti, se Vlora është e harruara e madhe e kësaj qeverie. Për 8 vite asnjë investim apo mbështetje projektesh për qytetin, braktisje totale e fshatit, degradim total i infrastrukturës rrugore, mungesë në çdo qendër të banuar e ujit të pijshëm dhe shërbimit shëndetësor, papunësi dhe rrjedhje pafund e banorëve drejt qyteteve apo jashtë vendit për një jetë më të mirë. E pazgjidhur dhe plot konflikte, kërkesa e vazhdueshme e banorëve për zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi tokën. Siguria e jetës dhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar janë të tjera çështje jetike me të cilat përballen çdo ditë vlonjatët.
Është folur disa herë për zonën e Lumit të Vlorës. Cili është programi i PS-së për këtë zonë?
Lumi i Vlorës është një krahinë e njohur në gjithë vendin për qëndresën e banorëve të saj përgjatë historisë dhe kontributin e tyre në pavarësimin, çlirimin nga të huajt apo ndërtimin e vendit. Bashkë me Kurveleshin ato përbëjnë zemrën e Labërisë, krahinë prej së cilës Berisha trembet si djalli prej temjanit, ndaj dhe urrejtja për të është patologjike, pasi, për shkak të qëndrimeve dhe politikave të tij antikombëtare, asnjëherë nuk mundi ta ketë me vete në veprimtarinë e tij politike. Zonës së Lumit, si dhe gjithë jugut të vendit, asnjëherë nuk iu dha çka meritonte për zhvillimin normal ekonomik, shoqëror dhe kulturor, për shfrytëzimin racional të pasurive natyrore dhe potencialit njerëzor. Premtimet gjithmonë kanë mbetur në letër, si nga e majta në të shkuarën, që e ka trajtuar si bastionin e saj, po ashtu edhe nga e djathta, e cila nuk e ka dashur kurrë dhe ka pasur frikë prej saj. Kësaj here, premtimet tona janë konkrete, plotësisht të realizueshme, dhe vijnë si një përgjigje dhe vullnet politik i yni për egzigjencat shumëvjeçare të banorëve të kësaj zone: një rrjet rrugor që të lidhë të gjitha fshatrat e Lumit të Vlorës, pothuaj 100 fshatra me mbi 50.000 banorë. Rrugët do të mundësojnë menjëherë zhvillimin e zonës, qarkullimin e njerëzve dhe prodhimeve, punësimin masiv në bujqësi, blegtori, turizëm, shërbime etj. E kanë premtuar të gjitha partitë dhe përfaqësuesit e tyre gjatë këtyre dy dekadave të fundit: Të gjitha i harronin premtimet sapo mbaronin zgjedhjet, ndërsa kjo qeveri e la të shkatërrohet dhe të degradojë rrugën e jetës së Lumit të Vlorës në atë farë feje sa sot nuk mund të përshkohet as me mjete të rënda. Ne do të vendosim një marrëdhënie të re me njerëzit, një marrëdhënie bashkëpunimi e bashkëveprimi për zgjidhjen e të gjitha problemeve që ka sot zona, por edhe të atyre që do të lindin nesër bashkë me zhvillimin. Kërkesën e tyre themelore, rikonstruksionin e rrugës së Lumit të Vlorës, ne e kemi paraprirë duke pasur që sot gati projektin e rrugës, pas konsultave dhe ekspozimit edhe me komunitetin. Bëhet fjalë për një prej projekteve më madhore, i cili, siç e ka deklaruar disa herë publikisht edhe kryeministri i ardhshëm, është një nga projektet e para që do të realizohen në rrethin e Vlorës. Dhe ky nuk është shpërblim për mbështetjen që do të na japin, por një investim që ka qenë i domosdoshëm prej kohësh për zhvillimin e zonës, për përmirësimin e jetës së tyre, për vënien në vend të dinjitetit të nëpërkëmbur nga një qeveri antikombëtare.
Vlora, edhe nga lidhja e afërt me Italinë, ka shumë emigrantë, jo vetëm në këtë shtet fqinj, por edhe përtej Italisë. A ka një plan për njohjen e viteve të punës së këtyre emigrantëve në shtetet e huaja?
Është e vërtetë! 30 – 35% e popullsisë së Vlorës ka marrë prej vitesh rrugët e kurbetit dhe pjesa më e madhe e tyre punojnë e jetojnë në Itali, por edhe në Greqi, sidomos pjesa rurale e rrethit. Edhe pse tërësisht jashtë vëmendjes së shtetit përgjatë këtyre 23 viteve, ata u kanë mbajtur frymën gjallë familjeve të tyre në Shqipëri dhe janë faktori kryesor për rindërtimin e fshatrave, përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës, si dhe nxitjen e bizneseve të vogla në fshat. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me një pjesë të madhe të emigrantëve, sipas zonave ku banojnë familjet e tyre, me synimin që t’i bëjmë pjesë integrale të zhvillimeve në vendin tonë, për t’u siguruar mbështetje e lehtësira në investimet e kursimeve të tyre në Shqipëri. Pjesë e rëndësishme e programit tonë është edhe zgjidhja e problemit të njohjes së viteve të punës që ata kanë në emigracion, sipas marrëveshjeve që do të lidhen me qeveritë e shteteve ku ata kanë punuar apo vazhdojnë të punojnë. Po ashtu, do të gjejë zgjidhje përfundimtare çështja e votimit të emigrantëve në vendet ku ata jetojnë, gjë që u kërkua nga ana jonë në rastin e rishikimit të Kodit Zgjedhor, por nuk u pranua nga mazhoranca aktuale e Berishës. Dhe dihet për çfarë arsyeje. Sepse pushteti i sotëm e di mirë se çfarë mendojnë emigrantët për qeverisjen e klanit të Berishës gjatë këtyre 8 viteve.
Vlora dihet që është një nga zonat bregdetare e turistike më të vizituara. Cili është plani i PS-së për zgjidhjen e një prej problemeve më të mprehta, siç është ajo e pronave në bregdet, ku janë dhënë shumë tituj pronësie abuzivë?
Pa zgjidhur problemin e pronave, sidomos në zonën bregdetare, as që mund të bëhet fjalë për zhvillim normal të vendit. I gjithë procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave gjatë këtyre 20 vjetëve është një histori e dhimbshme abuzimesh e deformimesh të paskrupullta, përpjekjesh korruptive për grabitjen e pronës nga njerëz pranë pushtetit, konfliktesh të përgjakshme me bilanc lufte që na ka çuar në një realitet shumë të koklavitur për t’ia gjetur fillin zgjidhjes së problemit. Sot ndodhemi para një fakti tronditës, korruptiv, që gjeneron konflikte çdo çast, përpara rrezikut të uzurpimit të tokave në bregdet nga njerëz të veshur me pushtet dhe klanit rreth tyre, duke ua mohuar dhe rrëmbyer banorëve autoktonë atë pasuri dhe ato toka që të parët e tyre i kanë punuar e shfrytëzuar brez pas brezi. Ne jemi të kthjellët dhe e kemi qartësisht të përcaktuar në program vendosmërinë tonë për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi: Hartimin dhe miratimin e ligjit për pronën, me konsensusin dhe tolerancën e të gjitha grupeve të interesit, si një prej prioriteteve urgjente të Kuvendit të ardhshëm; kthimin e pronës te i zoti brenda vitit të parë të qeverisjes, kur nuk ka konflikte pronësie; zgjidhjen e konflikteve për pronat e mbivendosura bazuar në dokumente të hershme të arkivave nga shtete mike me histori të përbashkët në të kaluarën; certifikimin e pronave publike (si ish-Ndërmarrjet Bujqësore Shtetërore) për persona dhe familje që i kanë përdorur e punuar gjatë këtyre dy dekadave. Për pronat në bregdet është projektuar ngritja e Agjencisë së Zhvillimit të Bregdetit, e cila, bazuar në respektimin e pronësisë mbi tokën dhe masterplanit të zhvillimit të zonës, do t’i hapë rrugën zhvillimit të studiuar bashkëkohor të bregdetit, kësaj pasurie të pashfrytëzuar deri më sot, por e rrezikuar nga degradimi për shkak të dëmtimeve mjedisore dhe ndërtimet pa leje e pa kriter.
Si i parashikoni zgjedhjet në qarkun e Vlorës, duke qenë se deri më tani, lista e këtij qarku ka qenë shumë e debatuar edhe në media, për shkak të hyrjes së Koço Kokëdhimës dhe largimit të Arben Malajt?
Tani që kanë mbetur pak më shumë se 2 javë nga dita kur shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit, gjërat vijnë çdo ditë duke u qartësuar për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve. Në Vlorë vullneti i vlonjatëve është më i lexuar dhe harresa e shpërfillja e kësaj qeverie ndaj kësaj treve dhe banorëve të kësaj zone, me kontribute në historinë dhe ndërtimin e vendit, na bën të jemi të bindur se Vlora do t’i japë koalicionit të majtë 8 deputetë, duke besuar se janë të gjitha mundësitë për të marrë edhe deputetin e 9-të, përkundrejt 3 të koalicionit të djathtë. Në lidhje me z. Kokëdhima, do të thosha se mjafton irritimi dhe humbja e qetësisë që shkakton te kreu i qeverisë së sotme, Berisha, emri i intelektualit Koço Kokëdhima, për të kuptuar se sa e gjetur ka qenë kandidatura e tij si përfaqësues i Bregut. Nga ana tjetër, kandidati për deputet Kokëdhima është i njohur për kontributin e tij mediatik në luftën opozitare ndaj keqqeverisjes aktuale, si dhe për mbështetjen konstante të së majtës në Shqipëri. Ndërsa për rastin “Malaj”, qëndrimi im është i njohur dhe nuk kam asgjë për të shtuar. Çdo qëndrim që cenon sadopak maksimalizimin e votave, çdo indiferencë a interferencë ndaj lëvizjes sonë drejt Rilindjes, do të ishte në dëm të kauzës sonë dhe mbështetje, direkt apo indirekt, për mbajtjen në fuqi të pushtetit të Sali Berishës. Z. Malaj i përket familjes sonë të madhe socialiste dhe unë e ftoj dhe dua të besoj ende se do të kthehet në gjirin e familjes për të dhënë kontributin e tij të çmuar në fitoren e pashmangshme që po afron. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›