Arbitrazhi Ndërkombëtar dhe zgjedhjet
Edhe pse fushata zgjedhore e vitit 2013 po vazhdon të zhvillohet tejet e gjallë dhe konkurruese, nuk mund të mos anashkalohen nga vëmendja dy vendimet tejet të rëndësishme të Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku Shqipëria ishte palë e paditur. Në të dyja rastet Shqipëria fitoi çështjet, duke përcjellë kësisoj mesazhin se çdo pretendim kundër saj në Arbitrazhin Ndërkombëtar tashmë do të ballafaqohet me seriozitetin maksimal. Çështja e parë ishte ajo ‘SKY Petroleum’ kundër Shqipërisë. Siç dihet, kompania e vogël amerikane me qendër në Teksas solli qeverinë shqiptare para Tribunalit të Arbitrazhit UNCITRAL në Zyrih për shkelje të detyrimeve kontraktore, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1 miliard dollarësh. Si sfond, ‘Sky Petroleum’ kishte marrë në koncesion prej qeverisë shqiptare tri blloqe (3, 4 dhe Dumre) dhe kishte nënshkruar një marrëveshje koncesionare për prodhim dhe pjesëtim të fitimit. Me 4 nëntor 2011 qeveria shqiptare njoftonte se marrëveshja konsiderohej e prishur për shkak të shkeljeve materiale të kompanisë amerikane. Me 10 nëntor 2011 kompania amerikane hidhte poshtë pretendimet e palës shqiptare dhe njoftonte se do të hapte procedurën e arbitrazhit. Qeveria shqiptare nëpërmjet Avokaturës së Shtetit pajtoi një firmë avokatore britanike. Më 7 maj 2013 Tribunali i Arbitrazhit në Zurich vendosi në favor të Shqipërisë, duke sqaruar se qeveria shqiptare kishte vepruar drejt duke dhënë njoftim për anulim kontrate me datë 22 korrik 2011 ndaj ‘SKY’, pasi kjo e fundit nuk kishte paraqitur garancinë bankare brenda kësaj date dhe se vendimi i saj i datës 17 nëntor 2011 për prishjen e kontratës ishte i rregullt. Tribunali njëkohësisht urdhëronte kompaninë amerikane të paguante të gjitha shpenzimet avokatore e të tjera për çështjen në masën përmbi 380,000 Euro. Çështja e dytë kishte të bënte me mosmarrëveshjen midis kompanisë ‘BurimiSrl’, të regjistruar në Itali bashkë me Eagle Game, të regjistruar në Shqipëri, kundër qeverisë shqiptare për prishje të kontratës së një loje fati apo lotarie. Kjo mosmarrëveshje u paraqit sipas rregullave të Konventës ICSID dhe u argumentua si shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare të mbrojtjes së investimeve të huaja. Në këtë rast, paneli i arbitrave i drejtuar nga amerikani David Price dhe i mbledhur në Paris, hodhi poshtë pretendimet e kompanive ‘Burimi’ dhe ‘Eagle Games’, të përfaqësuara nga avokatë italianë me arsyetimin se tribunali nuk kishte juridiksion ta arbitronte çështjen në bazë të Konventës ICSID, pasi ankuesi kishte dyshtetësi italo-shqiptare, kësisoj ai nuk kualifikohej si investitor i huaj. Në një koment të pashembullt, tribunali ankohej edhe për faktin se avokatët italianë i kishin përcjellë mocionet dhe kërkesat e tyre në gjuhën italiane, që nuk është gjuhë zyrtare e tribunalit dhe mandej kishin paraqitur versione në anglisht, që dukeshin se ishin përkthyer me aparat përkthimi nga interneti. Në fund, tribunali ICSID urdhëronte palën paditëse t’i paguante qeverisë shqiptare të gjitha kostot dhe shpenzimet avokatore dhe të tribunalit. Të dyja këto fitore duket se përfaqësojnë një ndryshim themelor dhe pozitiv kursi dhe duhen përshëndetur. Ato tregojnë para së gjithash një punë shumë të mirë të Avokaturës së Shtetit dhe të Ministrisë së Drejtësisë në përzgjedhjen e firmave të specializuara avokatore dhe në instruktimin e saktë dhe të rregullt të tyre. Së dyti, natyrisht, kjo tregon edhe punën tejet profesionale të firmave avokatore përkatëse. Ky kurs kontraston me atë çka kishte ndodhur vetëm disa vite më parë në fushën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, kur qeveria shqiptare kishte treguar paaftësi të çuditshme në trajtimin e këtyre çështjeve. Kjo u duk në pretendimet e kompanisë italiane ‘Petrolifera’ në verën e vitit 2009 para Gjykatës së Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris, ku përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, në një rast të pashembullt, nuk regjistroi asnjë kundërshtim ndaj pretendimeve të kompanisë italiane, madje nuk foli fare në seancë, duke i hapur rrugë kësisoj projektit tejet të debatueshëm në Gjirin e Vlorës.
Rasti i dytë ishte ai i arbitrazhit me kompanisë së madhe ‘General Electric Transport’ (dega Evropë), për projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Në këtë rast, në seancat e arbitrazhit të zhvilluara në Itali, pala shqiptare humbi, bazuar në një interpretim të një neni të errët të Kodit të Procedurës Civile italiane, madje me vendim unanim të tribunalit, duke sjellë në pikëpyetje cilësinë e përfaqësimit nga avokatët e saj italianë. Ndërkohë që çështja ishte në Gjykatën e Apelit të Romës, avokatët italianë të ‘GE-Transport’ kërkuan para Gjykatës Federale Amerikane në Uashington ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit në bazë të Konventës së Nju Jorkut. Sipas të gjitha gjasave, qeveria shqiptare duhet të ishte përfaqësuar me avokat para Gjykatës Amerikane dhe duhet ta kishte kundërshtuar me forcë kërkesën e avokatëve italianë. Mirëpo kjo nuk ndodhi, dhe sikurse dihet, kjo gjykatë në mars 2010 mori vendim në mungesë, duke lënë në fuqi vendimin e arbitrazhit. Në qershor 2010 qeveria shqiptare pagoi shumën 11 milionë Euro sipas marrëveshjes jashtëgjyqësore me GE, edhe pse kjo e fundit nuk kishte vënë asnjë tullë në projektin e lartpërmendur. Ndërkohë, sot para forumeve të ndryshme të Arbitrazhit Ndërkombëtar gjenden edhe tri çështje të tjera tejet të rëndësishme. E para lidhet me projektin e shumëpërfolur të TEC-it të Vlorës, ku palë janë KESH dhe kompania italiane ‘Technimont’. E dyta është projekti i rrugës Gjirokastër-Tepelenë, ku palë janë kompania ndërtuese greke ‘J&P AVAX’ dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Dhe e treta është mosmarrëveshja midis CEZ dhe Ministrisë së Transporteve, Energjetikës dhe Telekomunikacioneve. Që të tria janë çështje tejet të rëndësishme jo vetëm për reputacionin e shtetit shqiptar, por edhe për vlerat tejet të mëdha financiare të pretenduara. Edhe në këto raste duket se Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë kanë bërë punë të mirë në organizimin e konkurseve dhe zgjedhjen e firmave të specializuara avokatore. Po ç’lidhje kanë këto çështje të Arbitrazhit Ndërkombëtar me zgjedhjet? Mesazhi është fare i qartë dhe lidhet me vazhdimësinë e funksionit të shtetit. Me fjalë të tjera, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, administrata e re do të duhet të ruajë vlerat dhe përvojën e përftuar nga Arbitrazhi Ndërkombëtar si edhe në fusha të tjera, madje dhe të ndërtojë më tej mbi to. Së dyti, nga profesionalizmi i demonstruar në ndjekjen e këtyre çështjeve të specializuara kanë se ç’të mësojnë institucionet e ngarkuara për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Dhe së treti, ndoshta Komisioni i Kontrollit të Shtetit dhe prokuroria shqiptare mund të shqyrtojnë se çfarë nuk funksionoi në arbitrazhin aq keq të administruar me GE-Transport, për të nxjerrë mësimet dhe ndoshta edhe përgjegjësitë e duhura ndaj dëmit dhe barrës së jashtëzakonshme prej 11 milionë eurosh që tatimpaguesit shqiptarë u detyruan të venë mbi shpinën e tyre.
* Autori është ekspert i të drejtës ndërkombëtare
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)