Fatmirin në shpinë
Telashet në Partinë më të madhe opozitare, LDK, kanë shpërthyer sërish. Kësaj radhe përkrahësit e ish-Kryetarit Fatmir Sejdiu dhe atij aktual, Isa Mustafa, kishin zgjedhur Kuvendin e nëntë Zgjedhor të Forumit Rinor të kësaj partie për t’i shfaqur mospajtimet.
Simpatizantët e Sejdiut nga Dega e Podujevës dhe e Gjakovës ishin ata që shfaqën pakënaqësitë e tyre, ngase nuk u lejuan të marrin pjesë në Kuvendin e nëntë Zgjedhor të Forumit rinor, në të cilin u zgjodh Kryetari i ri, Armend Ibrahimi.
Këtë përjashtim, delegatët e dy degëve e krahasuan me diferencimin e viteve ‘80, të cilën, thanë se po ua bën kreu i LDK’së, Isa Mustafa. Arsyeja për këtë, sipas Esat Ukës, delegat i Degës në Podujevë, po bëhet për shkak se këto dy degë mbështesin ish-kreun e kësaj partie, Fatmir Sejdiun.
“Pikërisht për përjashtimin që po na e bën Isa Mustafa, ne kemi dëgjuar se qëllim i tij është që të largohen njerëzit e Fatmir Sejdiut nga LDK’ja. Ne e shohim si shpëtimtarin e vetëm të LDK’së, Fatmir Sejdiun”, ka thënë Uka. Ai dhe protestuesit e tjerë, për më tepër kërkuan largimin e Isa Mustafës nga udhëheqja e LDK’së.
“Isa Mustafa ik, nuk i duhesh LDK’së!” brohorisnin protestuesit. Por, kjo nuk i la përshtypje liderit Mustafa. Ai për më tepër tha se ata nuk janë pjesë e Kuvendit, ndërsa protestuesit i quajti rrugaçë.
“Rruga është punë tjetër, rrugaçët janë punë tjetër, ata të cilët janë organizuar, janë pjesë e rrugaçëve, e unë ato s’i marr parasysh”, ka thënë Mustafa pas përfundimit të Kuvendit. Për me tepër, ai ka shprehur dyshimin e tij se protestuesit janë përkrahës të Fatmir Sejdiut.
“Unë dyshoj se Sejdiu merret me këso gjërash”, ka thënë Mustafa.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)