Chelsea KAMPION

Chelsea ka krijuar histori. Skuadra londineze fitoi për herë të parë Ligën e Kampionëve duke mposhtur në finale Bayern Munichun në stadiumin e tij Allianz Arena. Kampioni i ri kontinental u përcaktua pas penalltive.
Rezultati pas 120 minutave lojë ishte i barabartë 1-1. Kurse në njëmbëdhjetë metërsha heroi i Chelseas ishte Didier Drogba që realizoi penalltinë vendimtare, por edhe portieri Petr Cech i cili priti dy goditje të Bayernit, përfshirë një tjetër në lojën shtesë.
Gjatë periudhës më të madhe të pjesës së parë Bayerni dominoi në fushë sa i përket territorit dhe posedimit ndërsa Chelsea u shfaq e kujdesshme në nismat e saj në sulm dhe u mbrojti me krejt çka pati. Në minutën e 21-të, Arjen Robben me një solo-depërtim u gjend në pozitë të mirë për të rrezikuar portën e Petr Cechut, ai e bëri këtë por topi i devijuar nga portieri çek e goditi shtyllën.
Bayerni vazhdoi të mbajë pjesën më të madhe të posedimit dhe insistonte më tepër në kërkim të golit. Kërcënimi më i madh nga Chelsea në pjesën e parë erdhi në minutën e 37-të kur Salomon Kalou goditi nga krahu i djathtë por topin e priti pa problem Manuel Neuer.
Atëherë kur Chelsea filloi të hapej dhe tentoi të shkojë përpara, Bayerni ishte shumë pranë epërsisë. Në minutën e 42-të, sulmuesi Mario Gomez zhgënjeu tifozët bavarez kur nuk arriti të qëllojë kornizën nga afërsia, kur para vetes kishte vetëm portierin Cech. Reprezentuesi gjerman goditi keq dhe dërgoi topin në tribunë. Pjesa e dytë ishte shumë më dramatike se e para.
Bayerni vazhdoi të sulmojë dhe me gjithë rastet e shumta, shpërblimi erdhi mjaft vonë. Në minutën e 82-të, Thomas Muller realizoi me kokë nga afërsia. Kur shumë prej të pranishmëve mendonin se festa është rezervuar për bavarezët, në skenë doli Didier Drogba. Sulmuesi i Bregut të Fildishtë realizoi me kokë pas një korneri në minutën e 88-të dhe barazoi rezultatin duke e dërguar ndeshjen në lojën shtesë.
Pak pas fillimit të vazhdimeve, u akordua penallti në favor të Bayernit. Drogba e rrëzoi Franck Riberyn në zonë kurse nga njëmbëdhjetë metra gaboi Arjen Robben, goditjen e së cilit e priti me lehtësi Cech. Ndodhi kjo në minutën e 95-të. 120 minuta lojë nuk sollën fitues, i cili u desh të përcaktohej me penallti.
Penalltitë
I pari goditi kapiteni i Bayernit, Philipp Lahm i cili realizoi. Goditjen nga Juan Mata e priti Neuer. Mario Gomez nuk gaboi. David Luiz shënoi për të ngushtuar disavantazhin në 2-1. Vetë portieri Neuer ishte i saktë. Kurse, Frank Lampard shënoi për 3-2. Goditjen e Ivica Oliçit e priti Cech. Rezultatin në 3-3 e barazoi Ashley Cole. Bastian Schweinsteiger goditi shtyllën. Didier Drogba shënoi pwr triumfin e Chelseas.