E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Kongoli: Iluzione në sirtar, libër i brengave të mia

SHKRUAN: Aida Tuci 08-04-2011 11:14

“Iluzione në sirtar” e Fatos Kongolit, nuk ka hapur ende atë debatin publik, për kur ka kaq shumë njerëz të tjerë që ndoshta e kanë më të rëndë peshën e mëkateve dhe janë shumë larg rrëfimit, e aq më pak ndjesës për të kaluarën e tyre në sistemin komunist. Por ai, gjithsesi po komentohet, si nga lexuesit, rrethet gazetareske, ashtu dhe në blogje, madje dhe në rrethet e politikës, si një rrëfim tronditës. Mund të jetë dhe çështje kohe, por mund të jetë dhe mungesë kurajoje, për të trazuar ujërat e së shkuarës, siç ka bërë Fatos Kongoli me librin e tij më të fundit “Iluzione në sirtar”, që u promovua dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, nga Shtëpia Botuese “Toena”. Në një rrëfim “tjetër” të vetvetes, shfaqet në këtë intervistë për ‘MAPO’-n shkrimtari Fatos Kongoli.

Duke ju uruar për “Iluzione në Sirtar”, do desha të shuaja një kuriozitet. Pse vendosët të bëni një rrëfim mbi jetën tuaj, për dobësitë dhe mëkatet, të tregoni fakte të pazbuluara ndonjëherë, qoftë edhe që keni dëshmitar në një gjyq politik të kolegut tuaj?

Ky libër është një moment reflektimi nga ana ime. Pasi mbarova romanin tim të fundit “Bolero në vilën e pleqve”, kisha idenë e një libri tjetër, por ngurrova. Mu deshën jo, pak por 2-3 muaj të matesha nëse duhej të shkruaja atë librin që më ngacmonte apo këtë libër që shkruajta dhe në fund vendosa të shkruaja “Iluzione në sirtar” sepse më duhej të vendosja një rregull me veten, brenda krijimtarisë sime. Ky në thelb është një libër pak e shumë me kujtime, por unë e kam quajtur pothuajse roman sepse ai është plot me ngjarje dramatike të jetës sime. Këtë libër e kam shkruar si një borxh ndaj vetes, si një detyrim ndaj vetes, ose më mirë si një rrëfim përfundimtar. Doja të shpjegoja, me anë të këtij libri, në radhë të parë disa nga ngjarjet më të rëndësishme dhe dramatike të jetës sime dhe në radhë të dytë, mendova se ky libër mbyllte përfundimisht një fazë të dytë të krijimtarisë sime (siç e rendis unë vetë), ajo fazë që fillon pas përmbysjes së diktaturës me romanin “I humburi”, mbyllet me romanin “Bolero në vilën e pleqve” dhe në fund libri “Iluzione në sirtar”, që e mbyll përfundimisht këtë fazë. Unë dëshiroj të hyj në një hapësirë të re letrare. Në këtë libër, lexuesit që njohin krijimtarinë time do kenë mundësi të shohin se shumë gjëra që unë trajtoj në librat e mi, nuk janë gjë tjetër veçse ndodhi të vërteta të jetës sime, disa me një ngarkesë shumë të rëndë emocionale, dhe unë e kam pasur gjithmonë një dëshirë për t’iu kthyer këtyre dy linjave që janë; librat e mi, krijimtaria ime dhe jeta ime. Në fund të fundit, ky është një libër i brengave të mia.

Pasi e keni bërë këtë rrëfim, a ndjeheni ndopak i çliruar?

Ka disa gjëra, nga të cilat njeriu nuk çlirohet kurrë, por të paktën kam menduar se njeriu duhet të ketë kurajon, që disa gjëra t’i thotë kur bashkëkohësit e tij janë ende gjallë. Të paraqitet para tyre pa pasur frikë, pastaj gjithsecili gjykon sipas vetes së vet. Unë sigurisht i kam quajtur iluzione në sirtar, për disa arsye. Një personazh shumë i rëndësishëm në libër është im atë, që ka ndikuar shumë në jetën time, një artist-muzikant, i formuar në perëndim në Itali, i cili përqafoi atje idetë komuniste të Antonio Gramshit dhe kur erdhi këtu luftoi, doli partizan, pastaj në fund të jetës së tij u flak nga Partia e vet në mënyrën më barbare, në një kohë që besonte në ideal. Kjo qe zhgënjimi më i tmerrshëm i këtij njeriu, në fund të jetës së tij. Prandaj nga një anë janë iluzionet e zhgënjyera të tim eti dhe nga ana tjetër, duke qenë se unë kam qenë i prirur ndaj letërsisë, që quhet letërsia e dhimbjes njerëzore, periudha 20-vjeçare e tranzicionit ka qenë padyshim edhe për mua një periudhë plot iluzione dhe zhgënjime, sepse realiteti që pasoi ishte një realitet i egër nga pikëpamja njerëzore. Gjatë 20 vjetëve, unë nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam rrëfyer këtë epokë.

A keni pasur brenda vetes dilemën, se pas botimit ky libër më shumë do ju dëmtonte?

Unë kur e kam shkruar, nuk kam pasur parasysh, as faktin nëse do të kishte sukses, as tjetrin, që do më dëmtonte. Madje këtë të fundit nuk e çoja kurrë nëpër mend. Sigurisht ju keni të drejtë në pyetjen që bëni, sepse njeriut mund të mos i pëlqejë kur lexon gjëra që nuk janë fort të këndshme për të, por, fakti është ndryshe, pjesa dërrmuese e njerëzve që e kanë lexuar, e kanë pëlqyer dhe kjo është një ngushëllim shumë i madh.

Besoj se reagimet e lexuesve, miqve, dhe sidomos emrave që përmenden në libër, për mirë apo për keq, kanë qenë të shumta… Ju si i keni përcjellë?

Më kanë thënë fjalët më të mira dhe ky ka qenë kompensimi im për gjithçka dhe jo vetëm ata që përmenden në libër, por dhe pjesa dërrmuese e lexuesve të njohur dhe të panjohur.

Ju në libër i kërkoni ndjesë fëmijëve të Hysenli Dumes, në gjyqin politik të të cilit dëshmuat pas presioneve të hetuesisë. Pas 90-ës, a keni pasur ndonjë komunikim me të apo me familjen e tij?

Nuk i kam takuar që prej vitit kur ndodhi tragjedia. Djemtë e tij atëherë ishin adoleshentë, por unë faljen time publike ua kam kërkuar.

A keni marrë ndonjë reagim prej tyre?

Jo, jo, nuk kam marrë

Kush ka qenë momenti më i vështirë për ju. Në libër të gjitha ngjarjet përcillen me shumë emocion për ju, kush është momenti më i vështirë që ju ka munduar ta rrëfeni në libër??

Në mënyrën e vet, një pjesë e tyre kanë qenë emocionalisht tepër të rënda. Aty ka momente shumë të rënda të jetës sime, si atëherë kur im atë u përjashtua nga Partia dhe kjo ishte një traumë shumë e rëndë në familje, për pasojat që do kishim. Pastaj ngjarja që ndodhi kur isha në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Kur implikova Hysenli Dumen. Unë me kolegët kam shkuar shumë mirë edhe me të ndjerin ish-kolegun, Hysenli Dume, që e pësoi aq rëndë dhe që e burgosën, duke bërë 8 vite burg. Unë problemin e kam pasur gjithmonë me vetveten dhe asnjëherë me të tjerët.

Po babai juaj?

Personazhi im dhe i babait janë shumë të ndërthurura. Im atë është një personazh kryesor në libër, për shumë arsye; e para se është njeriu që ka ndikuar për mirë, apo për keq, më shumë se çdo tjetër në jetën time. Ai i ka dhënë gjithmonë drejtim jetës sime. Ai vetë pastaj pati një fat tragjik. Unë e kam dhimbjen e tim eti aty, madje dhimbjen e tij e kam në gjithë librat e mi, në momentet më të rëndësishme. Prandaj, ai zë një vend shumë të rëndësishëm në këtë libër sepse kishte një vend shumë të rëndësishëm në jetën time sa qe gjallë.

Ku e gjenit forcën në atë periudhë, për të kapërcyer dramën?

Tek vetvetja.

Kërkohet një forcë e madhe te njeriu, që të arrijë të rrëfehet publikisht?

Po t’i shohësh personazhet e mi, përgjithësisht nuk janë tipa të fortë apo heronj, por kanë përgjithësisht disa cilësi pozitive, që janë njerëz të drejtë edhe të ndershëm, edhe pa qenë nevoja të jenë të fortë në karakter. Në këtë drejtim, unë nuk kam qenë njeri i fortë asnjëherë.

Ka kaq shumë njerëz të tjerë, që ndoshta e kanë më të rëndë peshën e mëkateve dhe janë shumë larg rrëfimit, e aq më pak ndjesës për të kaluarën e tyre në sistemin komunist …

Unë këtë e kam bërë si një detyrim ndaj vetes dhe jo si një shembull për t’u ndjekur nga dikush. Nuk e kam bërë këtë për ndonjë synim diktatik, por është një libër si gjithë librat e tjerë, që në radhë të parë pasqyrojnë një shqetësim timin personal dhe se ç’bën njëri apo tjetri, është punë e gjithsecilit. Nuk mendoj se e kam shkruar këtë libër për t’u bërë shembull. Kjo, as më ka shkuar dhe as më shkon ndërmend.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›