11 gjyqtarë në garë për dy vende vakante në KLD
Konferenca Gjyqësore nën drejtimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, pritet të zgjedhë sot dy gjyqtarët që do të zëvendësojnë në KLD kolegët e tyre Hysni Demiraj dhe Artan Gjermeni, të cilëve u ka përfunduar mandati
Tiranë Zgjidhja e ngërçit të mbledhjes së Konferencës Gjyqësore tashmë duket se i ka hapur rrugën zgjidhjes së një problemi akoma më të rëndësishëm, që lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e qeverisë së gjyqësorit. Pas mbledhjes së parë, ku u zgjodhën katër anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferenca Gjyqësore pritet të vendos sot cilët gjyqtarë do të plotësojnë dy vendet vakante në KLD. Zyrtarisht, Gjykata e Lartë tha dje se të premten (sot) do të zhvillohet mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ku pritet të marrin pjesë gjyqtarët nga i gjithë vendi për të zgjedhur dy kolegët e tyre që do t’i përfaqësojnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Deri ditën e djeshme, kanë shfaqur interes për të konkurruar mes tyre 11 gjyqtarë, dy prej të cilëve do të jenë pjesë e qeverisë së gjyqësorit. Gjyqtarët e zgjedhur në mbledhjen e sotme të Konferencës Gjyqësore do të zëvendësojnë në detyrë kolegët e tyre Hysni Demiraj dhe Artan Gjermeni, të cilët kanë konsumuar tashmë mandatin 5-vjeçar në KLD. Dy gjyqtarët, Demiraj dhe Gjermeni, kanë marrë besimin e kolegëve për të qenë pjesë e qeverisë së gjyqësorit më 7 dhjetor të vitit 2005, për të ushtruar këtë detyre deri në prill të vitit 2011, kur Konferenca Gjyqësore do të zgjedhë dy gjyqtarët që do t’i zëvendësojnë. Në këtë garë deri tani janë përfshirë 11 gjyqtarë, pesë prej të cilëve aktualisht ushtrojnë detyrën në Gjykatat e Apelit të Durrësit, Shkodrës, Vlorës e Tiranës. Ndërsa shtatë kandidatët e tjerë janë pjesë e gjykatave të rretheve gjyqësore në Elbasan, Pukë, Lushnjë, Shkodër e Tiranë, duke plotësuar kështu shpërndarjen gjeografike të gjyqtarëve aspirantë për të qenë pjesë e KLD-së. Edhe pse parimisht rregullorja e Konferencës Gjyqësore nuk lë vend për diskutime për nga mënyra e konkurrimit dhe zgjedhjes së anëtarëve të KLD-së, gjatë mbledhjes së djeshme pritet të ketë debate. Sipas rregullores, parashikohet se Gjykata e Apelit Tiranë duhet të ketë një përfaqësues të zgjedhur me shumicë votash nga Konferenca Gjyqësore. Duke qenë se ky vend mbahet nga gjyqtari Hysni Demiraj, të cilit i ka përfunduar tashmë mandati, teorikisht ai duhet të zëvendësohet nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë. Por disa muaj më parë, KLD ka vendosur transferimin e gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili është njëherësh anëtar i KLD-së, nga Gjykata e Apelit Durrës në Gjykatën e Apelit Tiranë. Kjo mund të jetë një arsye për debat gjatë mbledhjes së sotme, pasi nga Gjykata e Apelit ka shpallur kandidaturën e tij për të qenë pjesë e KLD-së gjyqtari Gjin Gjoni, edhe pse kjo gjykatë e ka një përfaqësues në KLD, pavarësisht faktit se kur është zgjedhur gjyqtari Shkëlqim Miri ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës. Kjo është mbledhja e dytë që Konferenca Gjyqësore zhvillon brenda pak muajsh, pas një ngërçi që ka zgjatur për rreth dy vjet. Shkak është bërë rrëzimi i dy neneve të ligjit për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit, të cilët shfuqizonin automatikisht ligjin për Konferencën Gjyqësore. U deshën dy vjet dhe debate të shumta për këtë çështje, që më në fund gjyqtarët, e përçarë asokohe, të binin në një mendje për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore. Ajo u mendua të organizohej mbi bazën e një rregulloreje të posaçme, e cila me sa duket ishte efikase, pasi më 15 nëntor të vitit të shkuar Konferenca zgjodhi katër anëtarë të KLD-së, të cilët zëvendësuan në detyrë kolegët e tyre që u kishte mbaruar mandati prej më shumë se një viti.
Kandidatët për anëtarë të KLD-së
Agim H. Ferizaj Apeli Durrës
Valbon Çekrezi Apeli Durrës
Astrit Kalaja Apeli Shkodër
Gjin Gjoni Apeli Tiranë
Hysen Saliko Apeli Vlorë
Pajtime Fetahu Rrethi Elbasan
Avni Sejdi Rrethi Pukë
Dritan Caka Rrethi Lushnjë
Arben Zefi Rrethi Shkodër
Hasan Selimi Rrethi Shkodër
Artur Gaxha Rrethi Tiranë