E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vendet bosh në qeveri, emrat e rinj miratohen të enjten në Kuvend

SHKRUAN: Fejzi Braushi 08-04-2011 14:13

Vendet e mbetura vakante në kabinetin qeveritar, nga dorëheqja e Lulëzim Bashës, si ministër i Brendshëm dhe Ferdinant Xhaferrajt si ministër i Kulturës, do të plotësohen brenda javës së ardhshme. Kështu të paktën është parashikuar në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, ku ndërmjet të tjerave, në seancën e së enjtes së ardhshme, si pikë e katërt e rendit të ditës është programuar miratimi i Dekreteve të Presidentit, për shkarkim dhe emërim ministrash. Në kalendar, për të njëjtën seancë është programuar edhe votimi i projektligjit “Për legalizimin e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”, i njohur ndryshe si drafti për Amnistinë Fiskale.

Dekretet

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Kulturës shumë shpejt pritet të kenë drejtuesit e tyre të rinj. Kreu i qeverisë, ashtu siç edhe deklaroi publikisht, para disa ditëve në “Opinion”, pritet që zëvendësimet në kabinet, në vendet e mbetura bosh nga largimi i Bashës dhe Xhaferrajt, si pasojë e kandidimit për kryetar bashkish në Tiranë dhe Durrës, t’i kryejë para zgjedhjeve të 8 majit. Ky është njëri variant i maxhorancës dhe Kryeministrit Berisha, ndërsa tjetri ka të bëjë me emërimin e dy ministrave, dy javë pas zgjedhjeve të 8 majit. Ndërkohë që e vetmja seancë plenare, kur këto zëvendësime mund të votohen në Kuvend para 8 majit, është parashikuar që të mbahet të enjten e ardhshme, pasi më pas Kuvendi do të mbyllet deri pas zgjedhjeve, për t’i lënë kohë deputetëve që të merren me fushatën elektorale. Për këtë qëllim, Kuvendi i Shqipërisë ka përfshirë në rendin e ditës së të enjtes, së datës 14 prill, si pikë të katërt edhe votimin e dekreteve të presidentit. Megjithatë përfshirja e një pikë të tillë sipas burimeve nga Kuvendi nuk do të thotë se ndryshimet në qeveri mund të bëhen me siguri brenda kësaj së enjte. Programimi i tyre në Kalendar sipas të njëjtave burime është bërë për t’i krijuar mundësi seancës që t’i miratojë nëse Kryeministri do t’i çojë Presidentit emrat e rinj dhe nëse ky i fundit do t’i dekretojë ato brenda së enjtes së ardhshme. Procedura normale parashikon që Kryeministri t’i çojë Presidentit në të njëjtën kohë, kërkesën për shkarkim dhe emërim dhe po në të njëjtën mënyrë, kreu i shtetit i paraqet dekretet Kuvendit për votim. Si kandidatë për postin e ministrit të Brendshëm, deri tani janë përfolur emrat e Viktor Gumit, Ilir Rusmalit dhe Arben Imamit, ndërsa për postin e ministrit të Kulturës, ato të Mark Markut dhe Rajmonda Bulkut.

Amnistia

Pavarësisht kërkesës së opozitës, për të ndërprerë punimet e Kuvendit, deri në zgjedhjet vendore të 8 majit, për t’i dhënë mundësi deputetëve që të merren me fushatë elektorale, mazhoranca ka vendosur që të mbajë dhe një seancë tjetër plenare, të enjten e 14 Prillit ku do të miratojë dhe projektligjin për Amnistinë Fiskale. Për këtë qëllim ajo gjatë seancës së djeshme ka miratuar dhe një kalendar të cunguar, ku është përfshirë dhe rendi i ditës së seancës së ardhshme me pesë pika. Si pikë e tretë në rendin e ditës është përfshirë edhe projektligji “Për legalizimin e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”. Ishte pikërisht nevoja për ta miratuar këtë projektligj sa më parë ajo që detyrojë shumicën qeverisëse që të mbajë dhe seancë tjetër plenare, çka solli dhe kundërshtimin e hapur të opozitës e cila akuzojë mazhorancën se po bënë amnisti për fushatë elektorale. Në kalendar është përfshirë gjithashtu edhe diskutimi në komisione i projektligjit për Kompleksin Parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›