Fatos Kongoli: Në Shqipëri libri u bë shkak i sulmeve të egra dhe fyese
Romani “Iluzione në sirtar” i shkrimtarit Fatos Kongoli është vlerësuar me çmimin letrar “Rexhai Surroi” nga Grupi Botues “Koha Ditore”. Ceremonia u zhvillua ditën e enjte, më 22 dhjetor 2011, në Prishtinë. “Kanë kaluar më se njëzet e pesë vjet të shkuara kur botova romanin tim të parë me titull ‘Ne të tre’, dhe tani së fundi me ‘Iluzione në sirtar’. Në të dyja rastet, fjala e mirë, vendimtare, ajo së cilës je i prirë t’i besosh më shumë, më erdhi nga Kosova. Më se njëzet e pesë vjet të shkuara unë isha ende fillestar në letërsi. Sikur romani ‘Ne të tre’ të mos vlerësohej pozitivisht në Kosovë, ndryshe nga në Shqipëri, ku kritika zyrtare e priti me këmbët e para, siç e kam vënë në dukje më se një herë, ndoshta mund të kisha vendosur të hiqja dorë nga letërsia, çka nuk ndodhi. Për këtë kam qenë dhe u jam mirënjohës të gjithë atyre në Kosovë, që e thanë fjalën e mirë pa më njohur fare. Me ‘Iluzione në sirtar’ po përsëritet e njëjta histori, nuk dua të zgjatem, por në një tjetër kohë dhe në rrethana të tjera. Çmimi që më jepet shënon çastin kulmor të fjalës së mirë. Kjo s’ka munguar të më thuhet edhe në Shqipëri, ku ç’është e vërteta libri u bë shkak i sulmeve të egra dhe fyese ndaj meje. Në këtë fazë të krijimtarisë sime kur, nëse ende nuk ka mbërritur fundi, një ditë natyrshëm do të nisë të shkojë drejt fundit, ky çmim i kapërcen vlerat letrare të librit në përgjithësi dhe të miat si autor. Sipas meje, ai ka vlerat e çmuara të një mesazhi kuptimplotë dhënë një shoqërie ende larg emancipimit të mirëfilltë, që ajo të çlirohet nga komplekset, të mos ketë frikë të shohë brenda vetes, në një kohë kur e sotmja shpesh është ende peng i së kaluarës, çka pengon dhe frenon me një mijë mënyra ecjen drejt së ardhmes”,- shprehej në letrën drejtuar organizatorëve të këtij çmimi shkrimtari Fatos Kongoli, i cili nuk mundi të ishte i pranishëm në ceremoninë që u zhvillua me këtë rast.