PSG provokon Milanin, 50 mln euro për Paton
Braziliani ankohet për Alegrin dhe Ançeloti e do me vete në Paris. Klubi francez ka vendosur në pjatë 50 milionë euro dhe një kontratë katërvjeçare me 7 milionë euro në sezon për lojtarin
Pato po ia mbath. “Patoku” prish harmoninë në shtëpinë milaneze. E bën duke sulmuar Masimiliano Algerin “nuk më flet dhe nuk më thotë se ku gaboj”, thotë braziliani, duke e ditur fare mirë se e duan në Paris. Dhe ai që e do është Karlo Ançeloti, që është fare pranë firmës me Paris San Zhërmenin, pasi ka marrë të gjitha garancitë e nevojshme nga pronari i klubit, sheiku Al Thani, për blerje të nivelit të lartë që në merkaton e janarit. Por Milani nuk do ta lërë lojtarin të ikë, aq më tepër nëse kemi parasysh se Silvio Berluskoni e pëlqen djaloshin dhe e bija, Barbara, prej një viti është e dashura e futbollistit. Në tavolinën e tratativës, që për momentin është ende në fazën embrionale, franko-emirët janë të gatshëm të vendosin 50 milionë euro. Shifër që në këtë periudhë është e vështirë t’i thuash jo. Një mal me para të freskëta për klubin e rrugës “Turati”, pa harruar edhe pagën e lojtarit. Për të, shoqëria pariziene, ka gati një kontratë pesëvjeçare prej 7 milionë eurosh në sezon.
Ançeloti kërkon të përsërisë Milanin e tij fitimtar të vitit 2007. Një PSG që luan me skemën e tij të preferuar, pemën e krishtlindjeve, me Kakan dhe Pastoren pas pykës së vetme, Patos. Nga të tre, njëri është që tani në kryeqytetin francez, ndërsa dy të tjerët mund të vijnë shpejt. Ançeloti i do të dy që në janar. Plani është i vështirë, por i aplikueshëm. Më parë duhet firma e Ançelotit, pastaj do të kryhet një blic i programuar prej kohësh në Madrid për të sjellë Kakan, për të cilin sheiku Al Thani është i gatshëm të ofrojë 18 milionë euro. Ish-fituesi i “Topit të Artë”, mund të rigjejë me Leon dhe Karleton shkëlqimin e humbur.
Si lëvizje të fundit, pasi bëhet fjalë për një punë të vështirë, do të jetë sulmi ndaj milanistit. Alegri është në qendër të sulmit verbal nga numri 7 i Milanit, ndonëse thotë se do që ta mbajë brazilianin. Por Patos nuk i pëlqen që të jetë zëvendësi i Robinjos. E kështu, me zemrën në Milano dhe me kokën në Paris, sulmuesi kuqezi nuk mund të qëndrojë indiferent për fjalët e ish-trajnerit të tij, që për mikrofonat e Sky ka thënë: “Kur të pashë, kam menduar se ti do të shënosh gjithmonë”.
Pato sulmon Alegrin
Pato u ankua për mungesën e komunikimit me trajnerin Masimiliano Alegri në një intervistë për ‘Corriere dello Sport’, duke theksuar se tekniku i Milanit “nuk i thotë se kush janë gjërat në të cilat ai gabon”. “Trajneri është shprehur se unë duhet të përmirësohem në lojën time, por është ai që duhet të më thotë se cilat janë ato aspekte që kanë nevojë për përmirësim. Pres që të më sugjerojë mënyrat se si mund të korrigjoj gabimet. Këtë gjë e bënte Ançeloti. Ai më thoshte gjithmonë çfarë duhet të bëja në fushë”, theksoi sulmuesi brazilian. Pato deklaroi gjithashtu se objektivat e këtij sezoni janë sërish fitorja e kampionatit me fanellën kuqezi dhe të shkojë deri në fund në Ligën e Kampioneve. “Dua ta fitoj sërish titullin kampion në Serinë A me Milanin dhe të ecim sa më shumë në Champions. Gjithashtu synoj të marr pjesë në Olimpiadën e Londrës me Brazilin dhe të fitoj medaljen e artë”, nënvizoi 22-vjeçari, që në janar mund të mos i plotësojë këto dëshira pasi mund të ketë kaluar te PSG.