E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali, publiku për herë të parë ndjeu këngën

Festivali i 50-të i Këngës në RTSH solli një tjetër muzikë për veshin e spektatorit, një muzikë live që afroi më shumë publikun me këngëtarin dhe këngën. Sonte, nata Gala me 26 këngët më të mira në 50 vjet festival

Festivali i Këngës në RTSH mbylli mbrëmë natën e dytë të tij. Gjysmëfinalistët e dytë që u ngjitën në skenën e festivalit për t’u përballur me interpretimin live ishin: Toni Mehmetaj, Dr. Flori, Kamela Islamaj, Frederik Ndoci, Marsida Saraçi, Bojken Lako, Sindi Berisha, Mariza Ikonomi, Kujtim Prodani, Iris Hoxha, Saimir Braho, Goldi Halili, Xhensila Myrtezaj dhe Elhaida Dani. Këngët që u përzgjodhën mbrëmë nga juria do t’u bashkohen këngëve të natës së parë, për të qenë pjesë e natës finale. Në natën finale, 29 dhjetor, votimi i tyre do të jetë i drejtpërdrejtë, çka ua shton ca më tepër përgjegjësinë për zgjedhjet e tyre. Në natën finale të Festivalit të Këngës në RTSH do të shkojnë njëzet këngë, të cilat do të jenë në konkurrim për çmimin e parë në festival, njëkohësisht dhe për të përfaqësuar Shqipërinë këtë vit në Festivalin Europian të Këngës. Nën prezantimin e Hygerta Sakos, Kreshnik Xhelilajt dhe Enkelejda Zekos, Festivali merrte ngjyra të tjera: një aktor, një gazetare dhe një ish-Miss, sigurisht që kombinonin përvojën në karrierë dhe bukurinë. Edicioni i 50-të i Festivalit të RTSH-së do të mbahet mend edhe për kthimin në traditën e dikurshme, atë të interpretimit të gjallë (live), me një teknologji shumë më të avancuar se dikur. Orkestrës së RTSH-së, e cila ka qenë gjithnjë live, në këtë festival i ishte shtuar edhe një bandë muzikore, nën drejtimin e maestro Shpëtim Saraçit, njëkohësisht drejtori artistik i festivalit. Që nga këngëtari, tek baza orkestrale deri tek harqet gjithçka ka qenë drejtpërdrejt nga skena e Pallatit të Kongreseve dhe në ekranin e RTSH-së. “Ky është i vetmi festival kaq prestigjioz dhe me këtë histori, dhe ka shumë këngë të bukura”, - thotë këngëtarja kosovare Rona Nishliu, e cila ka siguruar tashmë finalen dhe është një nga pretendentët për çmimin e madh. Këtë vit interpretimi, ashtu siç dhe kishte premtuar Shpëtim Saraçi, ishte 100% live. Këtë e tregojnë padyshim dhe gabimet teknike që nuk i munguan live këtij festivali, ku kënga u desh të fillonte dhe njëherë, siç ishte rasti i natës së parë i këngëtarit Evans Rama. Një gabim me të cilët edhe prezantuesit “e luajtën” bukur në skenë duke u justifikuar se janë normale kur intereptohet tërësisht live. Por sigurisht që treshja Hygerta Sako, Kreshnik Xhelilaj dhe Enkelejda Zeko, me prezantimin e tyre ku emocioni shfaqej hapur nuk u shpëtuan dot gafave para publikut. Të 14 këngët që u ngjitën mbrëmë në natën e dytë të festivalit sollën emra të rinj dhe këngëtarë të karrierës. Bojken Lako në këtë jubile kishte zgjedhur të prezantohej si këngëtar. Pasi provoi një vit më parë drejtimin artistik e muzikor të festivalit me synimin për të sjellë diçka të re, por që nuk ia doli, Bojken Lako u ngjit si kantautor në skenë me një duet me Sam, një ish-nxënëse e tij talentin e së cilës e zbuloi në “Star Academi” me këngën e titulluar “Të zakonshmen”. Mariza Ikonomi ishte gjithashtu një nga konkurrentët e natës së mbrëmshme me këngën me titull “Më lër të të dua”, me muzikë nga Sokol Marsi dhe tekst të Jorgo Papingjit. “Këtë vit më pëlqen shumë organizimi. Gjithçka është në vendin e vet, që nga provat, aq më tepër të kënduarit live. Ia vlente të marrje pjesë në këtë 50-vjetor”, - thotë këngëtarja Mariza Ikonomi. Saimir Braho, një tjetër konkurrent këtë periudhë e ka pasur vërtet të ngarkuar për sa i përket impenjimeve artistike. Vetëm pak ditë më parë ai u ngjit në skenën e Teatrit Metropol me premierën e dramës “Vdekja dhe Virgjëresha”, ku luante përkrah bashkëshortes së tij. Kjo e fundit në festival ishte në rolin e spektatores. “Kësaj here, ajo që bën diferencën nuk është 50 vjet muzikë, por të kënduarit live, niveli artistik, teknik dhe profesional i artistëve, i orkestrës së RTSH-së sidomos, por edhe i bandës që ka sjellë maestro Saraçi. Kjo ishte një arsye shumë e mirë për mua për të marrë pjesë në festival. Kur kam ardhur dhe më kanë thënë që nuk lejohet të hysh në prova, si në radio edhe këtu, sepse do zhvillohen vetëm me këngëtarin dhe autorët, atëherë thashë, më në fund ne po ecim në rrugën e duhur. Nuk është çështje rreshtoreje, por edukate. Muzika është kaq shumë delikate dhe për hiç gjë mund të prishet gjithçka”, - thotë Saimiri, i cili u prezantua me këngën titulluar “Ajër”, me muzikë të Ilir Dangëllisë. Frederik Ndoci ashtu siç dhe kishte premtuar u ngjit në skenën e festivalit me “Jeta e ime”, duke rrëfyer pak nga familja Ndoci. Diçka personale ndërkohë kishte për të treguar Doktor Flori, një këngë që mbante firmën e tij në të gjithë komponentët. Juria e përbërë nga maestro Zhani Ciko, Zana Shuteriqi, Edmond Xhani, Aldo Shllaku, Ndriçim Xhepa, Redon Makashi dhe Robert Rakipllari përzgjodhi 10 këngët gjysmëfinaliste, të cilat do të konkurrojnë në natën finale për çmimin e madh, çmim që i jep të drejtën këngës fituese për t’u përfaqësuar në Festivalin Europian të Këngës. Një vit më parë Shqipëria u përfaqësua në këtë festival me këngëtaren Aurela Gaçe, ndërsa këtë vit do të jetë mbrëmja e datës 29 dhjetor, e cila do të përcaktojë se kush do të jetë fituesi i këtij 50-vjetori. Krahas garës, e cila do të zhvillohet përgjatë dy netëve (dy netët e para dhe nata e katërt), është parashikuar edhe një natë e tretë, e cila do t’i kushtohet tërësisht nostalgjisë. Plot 26 këngë, të krijuara mes viteve 1962-2000 do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve. Disa nga këngëtarët që do të ngjiten në skenën e natës së tretë janë: Myfarete Laze, Sherif Merdani, Frederik Ndoci, Irma dhe Eranda Libohova, David Tukiqi, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Mira Konçi, Manjola Nallbani, Juli Ndoci, Aleksandër Gjoka, Viktor Tahiraj, Rovena Dilo etj. Ndërkohë që juria përzgjidhte 10 gjysmëfinalistët e dytë të festivalit skena u ndez nga e ftuara speciale e natës së dytë, këngëtarja britanike Katherine Ellies. Disa nga këngët e saj më të njohura janë: “Jam”, in your mind”, “The bomb”, “I love my people”, “My drem” etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›