Fatos Lubonja: Nën qiellin e Evropës (Shkrimi i plotë)
Afro dhjetë ditë pasi u çlirua nga Gjykata për Krimet në ish-Jugosllavi (29 nëntor 2012) prej akuzave për krime lufte, ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri një vizitë triumfale në Shqipëri. Atij iu dedikua një seancë e Parlamentit shqiptar ku mbajti një fjalim të shkurtër; u prit nga Kryeministri Sali Berisha me shumë nderim, kurse më 10 dhjetor u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me Urdhrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në fjalën e tij Nishani e quajti kënaqësi që në emër të qytetarëve të Shqipërisë i shprehte mirënjohjen njërit prej burrave shqiptarë më të përkushtuar të kohëve moderne: Ai kurrë nuk u iku përballjeve, rezistencës, tha Nishani, duke bërë të mundur që edhe përmes transparencës, kurajës, përballjes me Gjykatën e Hagës, të ruante të pacenuar dinjitetin e një lufte rezistence, dinjitetin e një lufte çlirimtare që ne e bëmë së bashku me partnerët më të mirë të shqiptarëve.1
Kryeministri Berisha, po në ato ditë bëri një deklaratë në të cilën, pasi e nderoi të shfajësuarin, u shpreh se Qeveria e Republikës së Shqipërisë do tu kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë ndërmarrjen e një hetimi të pavarur ndaj ish-prokurores Carla Del Ponte, për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Haradinaj. Në deklaratën e tij ai i kërkoi sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje.2
Edhe kreu i opozitës, socialisti Edi Rama, manifestoi të njëjtin respekt në pritjen që i bëri Haradinajt. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama, i cili e kishte përshëndetur çlirimin e tij nga akuzat që ditën që kjo ndodhi, tha se i shprehu atij mirënjohje për mbrojtjen dhe sakrificat e bëra në vite për popullin e Kosovës dhe se me të biseduan për bashkimin e shqiptarëve nën qiellin e Bashkimit Europian për unifikimin e arsimit dhe sistemit doganor etj.
Akuzat ndaj Haradinajt
Ironia është se të gjithë politikanët e lartë që celebruan të shfajësuarin kanë informacion të mjaftueshëm, në mos për të qenë të bindur, për të pasur dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinajt janë të vërteta. Pra, se në vitet 19981999, dhe veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai apo njerëzit e tij kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë. Ata e dinë se raporti i Këshillit të Europës i vitit 2010 e ka cilësuar gjendjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë si më të keqen në Ballkan edhe për shkak se vendimi i vitit 2008 i ICTY, që e nxori të pafajshëm Haradinajn herën e parë, nënvizonte vështirësitë për ti bindur dëshmitarët nga Kosova të shkonin në Hagë dhe të dëshmonin.3 Ata e dinë se në gjyqin e fundit dhe përfundimtar dëshmitarët refuzuan të flasin ose ndryshuan versionin e tyre të ngjarjeve. Ata e dinë, po ashtu, se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në gjyqin e një heroi tjetër të UÇK-së, Fatmir Limajt.
Atëherë si do ta shpjegojmë këtë glorifikim nga shqiptarët të Haradinajt në kthimin e tij nga Haga, me gjithë këto fakte të tmerrshme? Si ta shpjegojmë se në Kosovë, mu pas kthimit të tij, ai u shpall si Kryeministri i mundshëm i ardhshëm i Kosovës. Si ti shpjegojmë iniciativa kaq kurajoze si ajo e Berishës për të hapur hetime mbi Carla Del Ponten?
Së pari, kjo hipokrizi kaq kurajoze mund të shpjegohet me faktin se ky qëndrim ka të bëjë me mbisundimin e ideologjisë nacionaliste me të cilën vazhdojnë të punojnë në Shqipëri dhe Kosovë sistematikisht elitat politike dhe kulturore për tu shpëlarë trurin njerëzve. Ashtu si në kohën e komunizmit, shqiptarët vazhdojnë të ushqehen me idenë se ata janë asgjë, si qenie individuale, përpara interesave të kombit, se ata duhet të sakrifikojnë veten për atdheun dhe të mbyllin sytë ndaj çdo krimi të kryer në emër të tij. Në sajë të kësaj shpëlarjeje trush ata vazhdojnë të jetojnë në mënyrë skizofrenike midis glorifikimit të heronjve të lavdishëm që sakrifikojnë veten për kombin dhe mjerimit të maskarenjve që i vjedhin, madje edhe i vrasin ata gjithë duke qenë po ata heronj të glorifikuar. Mbajtja gjallë e këtij lavazhi trushplekset gjithashtu me faktin shumë më prozaik se Haradinaj me shokë, meqenëse kanë në Kosovë jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, tu imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushtetit të tyre në një rreth vicioz. Fati i dëshmitarëve që pësuan vdekje të parakohshme e lehtëson edhe më punën e tyre.
Së dyti, mbrojtja e Haradinajt nga ana e shqiptarëve është e lidhur edhe me mbrojtjen e imazhit të vendit të tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar. Akuza si ato të Carla Del Pontes duhen përgënjeshtruar dhe refuzuar, pasi ato dëmtojnë çështjen kombëtare, pasi i delegjitimojnë shqiptarët, madje duke u dhënë të drejtë armiqve të tyre, që i akuzojnë si rrezik në rajon me idenë e bashkimit kombëtar, që kohët e fundit është bërë kryefjala e retorikës politike në Shqipëri. (Në një nga fjalimet e tij të fundit, Kryeministri Berisha tha se është e papranueshme që shqiptarët jetojnë në pesë shtete të ndryshme, duke nënkuptuar Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë (Preshevën) dhe Maqedoninë.)4
Gjuha e dyfishtë
Në deklarimet e tij, veçanërisht ato drejtuar partnerëve dhe mediave ndërkombëtare, kur flet për çështjen e nxehtë të problemit të pazgjidhur kombëtar, Haradinaj e paraqet veten si një politikan i moderuar. Çështja shqiptare është zgjidhur me pavarësimin e Kosovës, i deklaroi Haradinaj një medieje greke kohët e fundit. Gjithkund ekzistojnë minoritete. Nëse fillon të projektosh kufij etnikisht të pastër, nuk do të ndalosh kurrë. Unë konsideroj se sot është koha e arsyes. Do ti ftoja të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të veprojnë në drejtim të integrimit europian. Ne do të shikojmë përpara, nuk do të merremi me gjërat që tashmë kanë kaluar.5
Kjo gjuhë, megjithatë, nuk e pengon atë të përdorë një tjetër gjuhë brenda Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni ku iu dha titulli Qytetar Nderi i qytetit të Lezhës,
