Shkodër, Drejtoria Rajonale Arsimore mes intelektualizmit dhe militantizmit
Ndërrimi i pushteteve në Shqipëri ka sjellë gjithnjë pështjellime. Tanithi, ankthi dhe frika shoqërojnë një pjesë të rëndësishme të atyre që punojnë në administratën publike. Po të vini re me kujdes, edhe krimet e shumta, të pangjara kudo nëpër Evropë, e kanë një shpjegim psiko-social: kalimin e pushtetit në mënyrën më të keqe të mundshme.
Duket sikur shteti kalon në anarki në momentin kur ndërrohen pushtetet, kur vjen një qeveri e re. Ja, shikoni dhe bëni llogaritë secili më vete! Në kohën që krimi po lulëzon kudo rrugëve të Shqipërisë, institucionet përkatëse parandaluese dhe ligjzbatuese nuk janë në gatishmëri, përkundrazi, duket sikur ata po bëjnë sehir përkundrejt krimeve galopante që skanë të ndalur. Në momentin që strukturat shtetërore ndodhen në përgjumje, krimi, si gjithnjë i gatshëm dhe aktiv, syhapët dhe i kobshëm, qëndron gati për të përfituar. Dhe rezultati: krime pafund, një pafundësi krimesh.
Ndërrimi i pushteteve, përpos ankthit dhe frikës, ka edhe një tjetër anë të medaljes, pikërisht gëzimin dhe shpresën. Një pjesë, që e kanë merituar plotësisht ofiqin shtetëror, falë kapaciteteve të tyre, kanë shpresë se me qeverinë e re do të mund të vlerësohen për atë çka janë dhe për zotësinë e profesionalizmit të tyre. Një pjesë tjetër, militantë të pushtetit të ri, fërkojnë duart nga gëzimi, pasi me subjektin e tyre politik mund të gjejnë vendin e punës, kafshatën e bukës. Në këtë mjegullnajë ka vlerësime dhe zhvlerësime, kënaqësi dhe indinjatë, gëzim dhe shqetësim…
Kohët e fundit, në Shkodër fjala vjen, duket sikur njerëzit po shfrytëzojnë lirinë që prej kohësh kish munguar. Kështu së paku duket, pasi edhe përkrahës të Partisë Demokratike kanë filluar të flasin e madje të shigjetojnë disa eksponentë të partisë së tyre, që kanë abuzuar me pushtetin, ndërkohë që deri dje nuk pipëtinte asgjë prej gjëje.
Në disa media online vihen re akuza të shumta, ku në qendër kanë Drejtorinë Rajonale Arsimore. Në komentet e fundit, gjithë pohojnë njëzëri se për tu futur në punë si mësues/e duhet paguar mbi 7 mijë euro. Populli thotë se ku ka zë sështë pa gjë, mirëpo ndonëse nuk ka prova materiale, në Shkodër e njëjta fabul në të gjitha gojët ka shansin e madh të jetë e vërtetë.
Karakteristikë e këtij qyteti është se me të keqen përherë fillojnë skenat teatrale. Batutat për zënien e vendit të punës si mësues nuk kanë të sosur dhe po kthehen në legjenda urbane. Megjithatë, tanimë duket se shpresat janë zgjuar, teksa shumë syresh në pritje për të zënë një vend pune si mësues/e presin ardhjen e të tjerëve në krye të Drejtorisë Rajonale Arsimore.
Disa intelektualë, në tryeza të ndryshme, kanë filluar të përmendin emrin e përkthyesit, studiuesit dhe profesorit të nderuar të letërsisë, Zija Vukaj. Më herët ai ka qenë sekretar i parë i Prefekturës së Shkodrës gjatë kohës kur kryeministër ka qenë Pandeli Majko, por edhe drejtor shkolle të mesme. Vukaj është një nga intelektualët e heshtur, që prej kohësh është distancuar nga pozicionet e ndryshme publike, duke preferuar më tepër të merret me përkthimet dhe botën e tij letrare. Mirëpo, tani që pushtetet kanë ndërruar ngjyrë (të shpresojmë edhe fytyrë), meqë individë me kapacitete presin të punësohen në arsim, emri i Zija Vukajt lakohet si e vetmja shpresë për ti rikthyer dinjitetin arsimit në Shkodër. Ndërkaq, Partia Socialiste dhe aleatët e saj janë në mëdyshje, mes së shkuarës së llumtë dhe së ardhmes europiane, mes militantizmit të thekur dhe dinjitetit profesional.
Thënë këto, koalicioni fitues i zgjedhjeve të 23 qershorit ka përgatitur një listë emrash për të udhëhequr Drejtorinë Rajonale Arsimore; në këtë listë ka edhe militantë. Nga ana tjetër, kryeministri i ardhshëm i vendit ka deklaruar një qeverisje të denjë. Të endur mes emrave militantë dhe stereotipit intelektual të Zija Vukajt, të presim se koalicioni i ri qeverisës vërtet është ai që pretendon të jetë, i së ardhmes së ndritur europiane, duke vlerësuar zotësitë individuale, apo sdo të ketë ndryshim me atë çka ka ndodhur në Shqipërinë e këtyre 23 viteve. Deri në shtator le të presim!
